Sot filloi konferenca e dytë ndërkombëtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme e titulluar “Gratë në politikën e jashtme” nën patronazhin e Qeverisë, kurse nikoqire është zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki.
Në konferencë fjalën e tij e kishte Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ndër të tjera theksoi se kjo konferencaë ngadalë por sigurtë po shndërrohet në traditë si në rajonin e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në më gjërë, si një platformë unike për shkëmbimin e mendimeve dhe ideve për rolin e gruas në pozita vendimtare.
“Maqedonia e Veriut, si shtet anëtar i NATO-s dhe pjesë e familjes ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, një vend që synimi strategjik i tij është anëtarësimi në BE dhe i cili do të kryesojë OSBE-në në vitin 2023, vazhdimisht po bën përpjekje në përfaqësimin e barazisë gjinore dhe përforcimin e pozitës së gruas në pozitat vendimmarrëse sepse ky progres është i lidhur ngushtë me prosperitetin, stabilitetin dhe mirëqenien e vendit”, tha Osmani.
Në cilësinë e nikoqires së konferencës, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki, në fjalën e mbajtur në hapjen zyrtare, i’u referua nevojës për pjesëmarrje më të madhe të grave në të gjitha sferat e shoqërisë, duke theksuar se duhet gjetur një rrugë që burrat dhe gratë ta tejkalojnë hendekun gjinor në jetën publike.
“Unë do të përpiqem për çdo grua diplomate të suksesshme në Ministrinë e Jashtme t’i jepet mundësia për të shërbyer në një pozicion kuptimplotë, për çdo grua ambasadore jashtë vendit dhe për të gjitha gratë e tjera që kanë një vizion për të ndryshuar botën e dominuar nga meshkujt, për të mirën e të gjithëve. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Prandaj theksoj se nuk bëhet fjaë për opsion, por për domosdoshmëri”, tha Isaki.
Si përfaqësuese e Qeverisë, që është edhe patronazhi zyrtar i këtij manifestimi, Zëvendëskryetarja e Qeverisë përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska theksoi se “botës i duhet këmbëngulje, durim, mirëkuptim dhe dashuri, përmes të cilave gratë u qasen problemeve dhe marrin vendime. Ne kemi nevojë për një qasje të tillë duke marrë parasysh kontekstin aktual global politik dhe të sigurisë në botë.”
Në hapjen zyrtare folën po ashtu edhe përfaqësues të lartë politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët ndanë pikëpamjet, përvojat personale dhe opinionet e tyre për politikat që duhen të ndërmirren për promovimin e dimensionit gjinor në politikën e jashtme, veçanërisht në lidhje me përfaqësimin e grave në pozitat vendimmarrëse.