Investimet zhvillimore dhe Korridoret strategjike: Shtytës të rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetesës

Nëse financat janë “sistemi i qarkullimit të gjakut” të ekonomisë, atëherë infrastruktura është shtylla kurrizore e zhvillimit ekonomik – përmirëson qasjen në shërbime, krijon vende të reja pune dhe stimulon aktivitetin ekonomik.

Javën e kaluar nisi ofensiva më e madhe ndërtimore në historinë më të re të vendit tonë, ndërtimi i katër autostradave përgjatë Korridorit VIII dhe Korridorit X-d. Siç kam shkruar edhe paraprakisht, rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe gjeopolitike, si për ne ashtu edhe për rajonin ka ndërtimi i katër pjesëve të autostradës së re moderne me gjashtë korsi, ose më saktësisht rrjeti rrugor i ri, modern, cilësor dhe i sigurt prej 110 kilometrave, në drejtimet Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë dhe Prilep – Manastir. Investimi i përgjithshëm në këto autostrada është 1.3 miliardë euro, të cilat së bashku me investimet përkatëse do të arrijnë në nivel prej 10% të PBB-së sonë. Ndërtimi i korridoreve VIII dhe X-d pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare dhe ekonomike për vendin, ekonominë dhe popullsinë. Në përgjithësi, ky investim do të ketë efekt pozitiv të drejtpërdrejtë në sektorin real të vendit.

Autostradat në korridoret VIII dhe X-d me efekt ekonomik vjetor mbi 2% të PBB-së nominale

Le të flasim me shifra! Efekti i drejtpërdrejtë i ndërtimit të korridoreve VIII dhe X-d mbi produktin e brendshëm bruto nominal të vendit vlerësohet në 2% shtesë në nivel vjetor, gjatë realizimit të projektit. Investimet e bazuara në këto projekte në bazë vjetore, në periudhën 2023-2027, variojnë nga 240 deri në 320 milionë euro në nivel vjetor.

Si kompanitë vendase ashtu edhe qytetarët do të kenë përfitime financiare nga ndërtimi i autostradave të korridoreve VIII dhe X-d. Rreth 50% e punimeve të ndërtimit në këto rrugë do të realizohen nga ndërmarrjet vendase, të cilat mbi këtë bazë do të përfitonin rreth 700 milionë euro. Efekt shtesë në ekonomi do të ketë edhe rritja e kërkesës në industri të caktuara që do të jenë përkrahje për ndërtimin, si prodhimi i materialeve të ndërtimit, bujqësia, ushqimi dhe produktet ushqimore, transporti, deponimi dhe veprimtari të tjera të shërbimit.

Do të ketë përfitime edhe për popullatën. Një nga përfitimet më të rëndësishme janë vendet e reja të punës. Angazhimi i nënkontraktuesve vendas dhe fuqisë punëtore vendase do të ketë ndikim pozitiv në tregun e punës në vend, me ç’rast do të ulet shkalla e papunësisë. Vlerësimet tregojnë se rreth 3.000 punëtorë nga industria e ndërtimit do të angazhohen drejtpërdrejt për ndërtimin e autostradave, si dhe mbi 5.000 punëtorë do të angazhohen në mënyrë indirekte nga industri të tjera. Këto janë gjithsej rreth 8.000 vende pune, si rezultat i efektit të përgjithshëm të katër autostradave të reja në korridoret VIII dhe X-d.

Gjithashtu, popullsia do të ketë përfitime financiare nga eksproprijimi i tokës, ku parshihen rreth 210 milionë euro. Këto mjete do tu paguhen qytetarëve, toka e të cilëve do të jetë lëndë e eksproprijimit, si dhe do të kontribuojnë në rritjen e fuqisë konsumatore të këtyre qytetarëve.

Duke marrë parasysh përfitimet ekonomike dhe financiare për ekonominë dhe popullsinë, multiplikatori i investimeve dhe efekti i përgjithshëm i këtij projekti në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, vlerësohet të jetë më shumë se 2% e PBB-së nominale në nivel vjetor.

Ndërtimi i katër autostradave të reja sjell përfitime ekonomike shtesë që nuk mund të kuantifikohen. Me ndërtimin e pjesëve do të përmirësohet transporti, gjë që do të rezultojë me ulje të kostove të transportit dhe kostove operative për automjetet. Siguria e transportit gjithashtu do të përmirësohet. E gjithë kjo do të kontribuojë në udhëtime më të lehta dhe hapje të bizneseve të reja në rajon, me ç’rast do të rriten edhe mundësitë rajonale për punësime të reja. Lidhja më e shpejtë do tëkontribuojë në pjesën e planifikimit rajonal të hapësirës dhe do të rrisë vlerën e tokës. Ndërtimi i autostradave do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit, rajonit dhe rritjen e shkëmbimit tregtar.

Teoria ekonomike: Efekti multiplikativ i investimeve në

infrastrukturë

Ekzistojnë prova empirike se investimet në infrastrukturë stimulojnë rritjen e produktit të brendshëm bruto, më shumë se shpenzimet e tjera fiskale. Në teorinë ekonomike, ideja e zbatimit të investimeve infrastrukturore si stimul ekonomik ka ekzistuar që nga shkolla kejnsiane. Në teorinë kejnsiane, shkalla e lartë e papunësisë dhe rezultati negativ ekonomik gjatë recesionit i atribuohen uljes së kërkesës agregate.

Konsumatorët shpenzojnë më pak, firmat shesin dhe fitojnë më pak, duke ulur kështu kostot dhe duke larguar punëtorët, gjë që ndikon në fuqinë blerëse dhe kërkesën e përgjithshme dhe kontribuon në vazhdimin e ciklit negativ. Sipas kësaj teorie, një nga zgjidhjet është ulja e kërkesës nga sektori privat, që qeveritë ta kompensojnë atë përmes rritjes së shpenzimeve publike. Megjithëse kjo do të nënkuptonte çdo lloj konsumi publik që do ta mbyllte hendekun e prodhimit në ekonomi, vetë Keynes thekson se kostot duhet të kenë efekt multiplikativ, ose çdo qindarkë e shpenzuar nga qeveria duhet të stimulojë shpenzime shtesë në sektorin privat.

Për shembull, qeveria angazhon kompani ndërtimi për të ndërtuar rrugë me ç’rast punësojnë dhe paguajnë punëtorë ndërtimi për këtë qëllim; punëtorët e ndërtimit i shpenzojnë pagat e tyre për nevojat e tyre të jetesës duke blerë produkte dhe shërbime, gjë që stimulon krijimin e vendeve të reja të punës në aktivitete të tjera prodhuese dhe shërbyese.

Teoria endogjene e rritjes ekonomike thotë se qeveritë mund ta përshpejtojnë rritjen ekonomike përmes politikave për stimulimin e konkurrencës dhe inovacionit. Sipas kësaj teorie ekonomike, investimet kapitale në arsim, shëndetësi dhe telekomunikime sjellin vlerë të shtuar në ekonomi.

Teoria e ofertës ose koncepti makroekonomik që thotë se rritja ekonomike bazohet në rritjen e ofertës së mallrave dhe shërbimeve, gjithashtu i trajton edhe investimet në infrastrukturë, veçanërisht në transport. Sipas kësaj doktrine, avancimi i transportit do të kontribuonte në përmirësimin e faktorëve të efikasitetit dhe produktivitetit të prodhimit, nëpërmjet kostove më të ulëta të prodhimit për kompanitë dhe rritjes më të madhe të fuqisë punëtore.

Investimet në infrastrukturë janë të duhura sepse hapin profile të ndryshme pune, nga personat me kualifikim të lartë deri te ato me kualifikim të ulët (shembull: inxhinierë ndërtimi, arkitektë dhe punëtorë ndërtimi).

Pothuajse të gjitha projektet e mëdha tinfrastrukturore zgjasin për disa vite, periudhë gjatë së cilës ofrohen vende pune të sigurta. Punonjësit e këtyre projekteve e stimulojnë ekonominë lokale nëpërmjet konsumit, ndërsa pas përfundimit të projektit, popullatës i mbetet infrastruktura që siguron shërbim publik, lehtëson jetën ose përmirëson produktivitetin e popullsisë. Kështu, në fund të vitit 2021, kur u ndjenë pasojat e krizës energjetike, kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden nënshkroi Ligjin e Investimeve në Infrastrukturë dhe vende të reja pune, me vlerë 1.2 trilion dollarë, që destinohen për rindërtimin e rrugëve, urave, ujësjellësave, burime të ripërtëritshme të energjisë, internet gjithëpërfshirës dhe infrastrukturë tjetër.

Investimet publike si shtytës i investimeve private

Në kuadër të efektit multiplikativ dhe investimeve në infrastrukturë, duhet pasur parasysh edhe një aspekt tjetër – stimulimi i investimeve nga sektori privat. Një shembull i mirë i kësaj është “plani Juncker”, ku “një euro mobilizon 15”. Përkatësisht, ish kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në vitin 2014, me qëllim të stimulimit të aktivitetit ekonomik në BE pas recesionit të shkaktuar nga kriza financiare botërore, si dhe përmirësimit të infrastrukturës në vendet e BE-së, prezantoi “Planin e investimeve infrastrukturore në BE” ose i njohur më mirë si “Plani Juncker”. Vlera e përgjithshme e këtij plani ishte 335 miliardë investime në infrastrukturë.

Specifika e këtij plani është se u krijua fond, i cili mobilizoi më shumë mjete nga burime publike dhe private për financimin e projekteve me rëndësi sinjifikative ekonomike, si infrasrtruktura transportuese dhe energjetike, efikasiteti energjetik, lidhja gjithëpërfshirëse etj. Fondi evropian i investimeve strategjike–(European Fund for Strategic Investment – EFSE) kishte efekt multiplikativ në investime në raport 1:15, këshu që mjetet e fondit mobilizuan 15 herë investime më të larta.

Plani për përshpejtimin e rritjes ekonomike – fondet zhvillimore dhe instrumentet

Në premisa të njëjta bazohet edhe Plani i qeverisë për përshpejtimin e rritjes ekonomike, qëllimi i të cilit është shfrytëzimi sa më optimal i burimeve dhe përshpejtimi i rritjes në periudhë afatgjate. Ky plan është kornizë gjithëpërfshirëse për përshpejtimin e rritjes dhe financimin e saj, e cila bazohet në: 1. Rritjen e investimeve – rritja e investimeve publike dhe mobilizimi i dyfishit të investimeve nga sektori privat me efekt të përgjithshëm prej 12 miliardë eurove gjatë disa viteve vijuese; 2. Përshpejtimi i rritjes ekonomike, dyfishimi i rritjes tradicionale me normat e synuara vjetore rreth 5% dhe 3. Konsolidimi fiskal – borxhi më i ulët, si rezultat i hendekut më të vogël ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve. Gjithashtu, drejt këtyre pikësynimeve është edhe nxitja e realizimit më të shpejtë të investimeve përmes një sërë mekanizmash (përfshirë mekanizmin CAPEF), të cilët do të rrisin mesataren nga viti 2011-2019 prej 72% me të paktën 10 pikë përqindjeje. Nëpërmjet investimeve do të përkrahen projektet publike, partneritetet publike-private dhe reformat institucionale në fushën e ekonomisë së gjelbër, dixhitalizimit, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, kapitalit njerëzor, infrastrukturës fizike dhe kohezionit social. Burime financimi, përveç buxhetit të shtetit, janë dhe do të jenë institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët, bankat private dhe partnerët zhvillimorë.

Plani konsiston në krijimin e fondeve zhvillimore, fondeve për përkrahjen e inovacionit, fondeve garantuese, fondeve ekvite, fondeve të kapitalit sipërmarrës (venture) dhe instrumenteve të ngjashme për përkrahjen e kompanive eksportuese, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve sociale. Plani përfshin partneritete publike-private, koncesione dhe instrumente të tjera për financimin e projekteve kapitale publike, si dhe të sektorit privat.

Një shembull i tillë është Fondi për përkrahjen e kompanive eksportuese përmes produkteve të favorshme kreditore. Nëpërmjet krijimit të Fondi të investimeve do të përkrahen projekte më të mëdha, projekte arsimore si ndërtimi i kopshteve të fëmijëve, shkollave, sallave sportive etj., ndërsa gjatë përzgjedhjes së kompanive që do të përfshihen në të gjithë procesin do tu jepej prioritet kompanive të vogla dhe të mesme. Fondi për rritjen e mjeteve financiare (Fund of Funds), do të ishte një mënyrë për t’i financuar bizneset e fokusuara në rritje, siç janë kompanitë e vogla dhe të mesme në fazë zhvillimi dhe ekspanzioni, me seli në RMV. 

Fondi strategjik investues do të dedikohet për financimin e infrastrukturës dhe investimeve. Fondi do të sigurojë përkrahje financiare të duhur për mbulimin e infrastrukturës së madhe dhe axhendës së investimeve në zonat e lira ekonomike dhe industriale. Për themelimin e këtyre fondeve ekziston mundësia e shfrytëzimit të kapaciteteve institucionale siç është Fondi për inovacione dhe zhvillim teknologjik, Banka Zhvillimore dhe Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale. Përveç fondeve, mënyrë për mobilizimin e mjeteve është edhe crowdfunding – financimi me bashkëpunim apo strukturim të grupit.

Përveç fondeve, për gjenerimin e mjeteve do të shfrytëzohen edhe letrat me vlerë të emetuara nga shteti, për të cilat kam shkruar paraprakisht. Instrumentet e reja për financimin e zhvillimit janë fletobligacionet e gjelbra, fletobligacionet zhvillimore dhe projektuese, fletobligacionet zhvillimore të qytetarëve dhe fletobligacionet zhvillimore të destinuara për diasporën. Ato do të sigurojnë kapital për projekte zhvillimore, si dhe mundësi për grante shtesë nga Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera zhvillimore ndërkombëtare.

Shtatë miliardë euro – portofol aktual i investimeve në periudhë afatmesme

Më konkretisht për investimet. Pavarësisht krizës, këtë vit vazhdojmë me përkushtimin për rritjen e investimeve në vlera të qëndrueshme që do të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Investimet kapitale nga buxheti për këtë vit janë rreth 800 milionë euro, ose pothuajse gjysmë herë më shumë se viti paraprak. Financimi i tyre bëhet përmes mjeteve buxhetore, fondeve IPA dhe huave. Portofoli i projekteve publike në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare në periudhën e ardhshme shtatëvjeçare vlerësohet në rreth shtatë miliardë euro (përveç kësaj ka edhe projekte të financuara nga buxheti).

Për sa i përket infrastrukturës rrugore, përveç katër autostradave të reja, do të vazhdojë ndërtimi i pjesës Rankovce – Kriva Pallankë, pjesës Krivë Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe pjesës perëndimore të korridorit rrugor 8, Kërçovë-Bukojçan dhe Kërçovë-Ohër. Parashihen mjete edhe për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë. Po ashtu, përmes Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore do të zhvillohet projekti urban dhe themelor për lidhjen e Tetovës me Prizrenin, Republika e Kosovës. Këtë vit janë planifikuar rreth 250 milionë euro për investime në infrastrukturën rrugore.

Për sa i përket infrastrukturës hekurudhore, në vitin 2023 parashihet të përfundojë rikonstruimi i Korridorit X me përkrahje të BERZH-it. Këto aktivitete do të përmirësojnë fluksin e udhëtarëve dhe mallrave në këtë pjesë, do t’i ulin kostot e mirëmbajtjes dhe do të sigurojnë komunikacion më efikas dhe më të sigurt. Janë planifikuar edhe mjete për ndërtimin dhe rehabilitimin e fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore të Korridorit 8, përkatësisht pjesës Kumanovë – Beljakovcë – Kriva Pallankë. Siç u njoftua këtë javë nga Hekurudhat – Infrastruktura, do të shpallet tender për drejtimin e fundit të hekurudhës drejt Bullgarisë. Në periudhën afatmesme është konfirmuar edhe financimi i linjës hekurudhore Kërçovë-Lin (Shqipëri) nga BERZH-i dhe BEI-ja. Këtë vit për këto aktivitete janë paraparë rreth 39 milionë euro.

Në fushën e energjetikës do të vazhdojë edhe ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit dhe interkonektorit me Greqinë, si dhe përfundimi i sistemit të përçimit të gazsjellësit në të gjithë vendin në periudhë afatmesme. Gjithashtu janë paraparë investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë, energjinë diellore dhe energjinë e turbinave me erë, me ç’rast në proces është tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e hidrocentralit Çebren përmes PPP-ve. Do të vazhdojë edhe projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik, me të cilin do të financohen projekte me efikasitet energjetik nëpër komuna. Me këtë do të sigurohet tranzicioni energjetik drejt energjisë së pastër dhe rritja e pavarësisë energjetike të vendit.

Për sa i përket infrastrukturës komunale dhe menaxhimit të mbetjeve, do të vazhdojë dinamika e intensifikuar e ndërtimit të sistemeve të ujësjellësve – kanalizimeve në komuna të financuara nga burimet vetanake dhe me mjete nga BEI-ja.

Njëkohësht, janë paraparë mjete për Projektin rajonal të menaxhimit të mbetjeve të ngurta me përkrahjen e BERZH-it, me të cilin parashihet vendosja e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në rajonin Jugperëndimor, Juglindor, rajonin e Pollogut dhe Vardarit.

Me mjete nga BEI-ja dhe BERZH-i parashihet të financohet edhe një nga projektet më të mëdha në vend në fushën e mjedisit jetësor – Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. Përmes mjeteve IPA do të vazhdojë rehabilitimi dhe përmirësimi i impianteve në Kërçovë, Manastir dhe Tetovë.

Gjatë vitit do të vazhdojë të realizohet projekti shumëvjeçar i suksesshëm për përkrahjen e përmirësimit të shërbimeve komunale përmes realizimit të projekteve kapitale, njësia zbatuese e të cilit funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave.

Për sektorin e shëndetësisë janë planifikuar investime për ndërtimin dhe rikonstruimin e institucioneve shëndetësore publike dhe prokurimin me pajisje mjekësore, duke përfshirë edhe rikonstruimin e spitalit të përgjithshëm në Kërçovë.

Në fushën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe sportit janë projektuar investime kapitale për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve të fëmijëve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve dhe studentëve, prokurimin me pajisje dhe rikonstruimin e universiteteve, si dhe investime në infrastrukturën sportive.

Me qëllim të përmirësimit të qasjes në të drejtat dhe shërbimet sociale, si dhe zgjerimit të kapaciteteve për përkujdes dhe edukim parashkollor nëpërmjet ndërtimit të objekteve të reja dhe ridistinimit të atyreve ekzistuese në institucione parashkollore, në vitin 2023 vazhdon realizimi i Projektit për avancimin e shërbimeve sociale.

Parashihen gjithashtu investime të konsiderueshme kapitale për zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investime për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

Koncepti mbi të cilin duhet të veprojmë është – Ta sjellim Evropën në shtëpi, në procesin e integrimit në BE. Ky koncept do të kontribuojë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë dhe në realizimin e pikësynimeve tona strategjike në drejtim të integrimeve euroatlantike. Pjesa e tërësishme që ceket më sipër është në funksion të këtij angazhimi, respektivisht nëpërmjet strategjive SMART për realizimin më të shpejt të qëllimeve të projektuara. Investimet në infrastrukturë janë sigurisht pjesë e menaxhimit smart, sepse investimet në infrastrukturë kanë efekt multiplikativ për ekonominë dhe përfitime të shumëfishta për qytetarët dhe shoqërinë.

Related posts

Ali Ahmeti takoi ambasadorin norvegjez në Kroaci: Rajonit i duhet stabilitet dhe pajtim

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Zagreb, takoi ambasadorin e Norvegjisë në Kroaci z. Arne Bjornstad.  Kryetari…

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufinjtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u rikthye në Zvicër pas 12 viteve. Lideri…

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …