Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu priti sot në një takim të Ngarkuarin me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Z. Prindon Sadriun.Ganiu ka theksuar se ndjehet i nderuar me këtë vizitë të sotme dhe se bashkëpunimi midis dy institucioneve është mjaft i rëndësishëm, para së gjithash për banorët e Komunës së Çairit të cilët janë tejet të lidhur për nga aspekti i lidhjeve familjare me Kosovën.Në takim ku ishte i pranishëm edhe ministri këshilltar dhe zëvendës-shef i Misionit të Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Vlorat Gashi,Ganiu ka potencuar se bashkëpunimi i Komunës së Çairit me institucionet kosovare është në një nivel të shkëlqyeshëm. Ndërsa ka shtuar se kultivimi dhe ruajta e frymës së bashkëpunimit mes institucioneve lokale të të dyja vendeve është ajo që mund të çojë drejt mirëqenies, avancimit dhe këmbimit të përvojave të ndërsjella e me këtë do të ngriten në një shkallë më të lartë edhe raportet shtetërore.Gjithashtu është përmendur edhe fakti se Komuna e Çairit tanimë ka vendosur bashkëpunime konkrete me shumë komuna të Republikës së Kosovës, duke nisur kështu edhe procedura të binjakëzimit.