Më paraqet nder të madh të drejtohem para gjithë jush me rastin e 30-vjetorit të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, (PABSEK). Sot kremtojmë pikë kthesën në udhëtimin tonë të bashkëpunimit, solidaritetit dhe miqësisë, që karakterizohet me gjeografinë tonë të përbashkët, vizionin dhe ardhmërinë e përbashkët.
Derisa mendojmë për tre dekadat e kaluara, mund të krenohemi me rezultatet e jashtëzakonshme që i kemi arritur. Që nga themelimi i vet në vitin 1993, PABSEK-u shërben si një forum i dimensionit parlamentar i rajonit të Detit të Zi, duke promovuar bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim ndërmjet vendeve anëtare. Ndër vite, PABSEK-u siguroi platformë për këmbimin e ideve, praktikave dhe përvojave më të mira dhe e lehtësoi zhvillimin e nismave dhe projekteve të përbashkëta që kishin ndikim pozitiv mbi zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të rajonit tonë.
Njëra nga anët kryesore e PABSEK-ut është aftësia e tij për të tubuar parlamentarët nga vendet e ndryshme, përcaktimet e ndryshme politike dhe mjediset kulturore, dhe të inkurajojë dialog dhe bashkëpunim të bazuar mbi respekt të ndërsjellë dhe mirëkuptim. Kjo diferencë është përparësi që i pasuron diskutimet tona dhe e përmirëson aftësinë tonë për tu përgjigjur sfidave dhe mundësive të rajonit tonë.
Derisa jemi duke parë prapa arritjet tona, le ti pranojmë edhe sfidat me të cilat u ballafaquam dhe vazhdojmë të ballafaqohemi, përfshirë këtu jostabilitetin politik, dallimet ekonomike, degradimin e ambientit jetësor dhe kanosjet ndaj sigurisë. Agresioni rus kundër Ukrainës është brengë e madhe për sigurinë në rajonin e Detit të Zi dhe është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. PABSEK-u është i zëshëm në dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe e ftoi Federatën ruse që ti ndërpren menjëherë operacionet e veta ushtarake në Ukrainë, ti tërheqë forcat e veta dhe tërësisht ti respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Edhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po ashtu i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë qëndrim të fuqishëm kundër agresionit rus dhe të mbështesë Qeverinë e Ukrainës në përpjekjet e saj për kthimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
E shfrytëzoj këtë rast të përsëris përkushtimin tonë ndaj parimeve të të drejtës ndërkombëtare dhe ndaj zgjidhjes paqësore të konflikteve. Ne qëndrojmë fortë me popullin e Ukrainës në këtë kohë të vështirë dhe apelojmë te të gjitha palët të shfaqin përmbajtje dhe të kërkojnë zgjidhje paqësore për konfliktin.
Të dashur miq,
Maqedonia e Veriut, si anëtare e kësaj organizate, kontribuon në vizionin e përbashkët për inkurajimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit politik dhe këmbimit kulturor. E treguam përkushtimin tonë ndaj bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Vendi ynë bëri përparim të konsiderueshëm në përforcimin e institucioneve të veta, në përforcimin e ekonomisë dhe promovimin e vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të drejtës. Ne besojmë se anëtarësimi ynë në PABSEK, jo vetëm që është në dobinë tonë, por kontribuon edhe në zhvillimin dhe rritjen e përgjithshme të rajonit të Detit të Zi. Si anëtare e PABSEK-ut, Maqedonia e Veriut obligohet se do të marrë pjesë në mënyrë aktive në nismat e organizatës dhe do të punojë në drejtim të realizimit të qëllimeve të saj. Ne kemi shumë dëshirë të kontribuojmë në zhvillimin e projekteve rajonale dhe të ndajmë ekspertizën dhe përvojën tonë.
Shteti ynë është përkushtuar ndaj promovimit të tregtisë, investimeve dhe inovacioneve, duke e përkrahur zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe komunikimit. Ne po ashtu e çmojmë rëndësinë e këmbimit kulturor dhe kontakteve ndërmjet njerëzve. Maqedonia e Veriut, me trashëgiminë e vet të pasur kulturore dhe shoqërinë e larmishme, ka etje të promovojë dialog dhe mirëkuptim ndërkulturor.
Maqedonia e Veriut është e nderuar që është pjesë e familjes së PABSEK-ut. Jemi të bindur se anëtarësimi ynë do të sjellë mundësi të reja, partneritete më të fuqishme dhe ardhmëri më të ndritshme për rajonin. Derisa e kremtojmë 30-vjetorin e PABSEK-ut, mund të themi me krenari se kaluam rrugë të gjatë. Demonstruam se gjeografia jonë e përbashkët nuk është barrierë por është përparësi, dhe se vizioni ynë i përbashkët mund të na frymëzojë të arrijmë punë të mëdha. Ne po ashtu shohim kah ardhmëria me ndjenjë optimizmi dhe vendosmërie. Jemi të bindur se ardhmëria jonë e përbashkët është e ndritur dhe se bashkë mund të ndërtojmë rajon më prosperues, të qetë dhe të qëndrueshëm të Detit të Zi. Në të njëjtën kohë, pranojmë se ka akoma shumë punë për të bërë. Bota ndryshon shpejtë ndërsa ne ballafaqohemi me sfida dhe mundësi të reja të cilat kërkojnë prej nesh të përshtatemi dhe të bëjmë risi. Duhet të përforcojmë bashkëpunimin tonë në fushat kryesore, siç janë tregtia, energjia, turizmi dhe kultura, dhe të hulumtojmë rrugë të reja të bashkëpunimit, siç janë digjitalizimi dhe inovacionet. Krahas kësaj, duhet ti promovojmë vlerat që e mbështesin bashkëpunimin tonë, siç janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i të drejtës. Këto vlera nuk janë thelbësore vetëm për mirëqenien tonë, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.
Si përfundim, dua të shpreh mirënjohje të sinqertë ndaj të gjithë anëtarëve të PABSEK-ut, ish anëtarët dhe ato aktual, për përkushtimin dhe kontributin e tyre të padyshimtë për suksesin e organizatës. Fryma e unitetit dhe bashkëpunimit e cila na udhëhiqte në 30 vitet e kaluara, le të vazhdojë të na frymëzojë dhe udhëheqë përpara, derisa jemi duke punuar bashkë për të krijuar ardhmëri më të ndritur për rajonin dhe më gjerë.
Ju faleminderit për vëmendjen!