Kryeparlamentari Xhaferi në Vilnus flet para homologëve të tij nga vendet anëtare të NATO

E nderuar Kryetare Çmilite Nilsen, 

E nderuar Kryetare e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, Gerio Mejlam,

Të nderuar kolegë,

Është nder dhe kënaqësi e veçantë që kam mundësi sot të drejtohem para jush, për një temë që është me rëndësi të jashtëzakonshme për aktivitetet aktuale të Aleancës, por gjithashtu edhe për ardhmërinë e saj. Mbajtja e këtij takimi në format të këtillë, për herën e parë në historinë e NATO-s, vetvetiu e shënon simbolikën dhe domosdoshmërinë e këmbimit të opinioneve rreth veprimit tonë të ardhshëm si aleatë në të gjitha nivelet e pushtetit, por edhe për veprimin tonë kolektiv në nivelin global.   

Të nderuar,

Multilateralizmi paraqet gur themel mbi të cilin bazohet rendi ndërkombëtar juridik bashkëkohor dhe instrument i cili i bashkon vendet në respektimin e vlerave demokratike, duke siguruar njëherazi trajtim të barabartë të vendeve individuale në të drejtat dhe obligimet e tyre në këto organizata ndërkombëtare. Në ato suaza, NATO- ja si organizatë rajonale multilaterale, prej themelimit të vet deri sot, është përfaqësues i fuqishëm për bashkëpunim të fuqishëm me organizatat ndërkombëtare tjera të cilat kanë veprim të përcaktuar global apo gjeografik.  Kontributi i saj në sigurimin e mbrojtjes së Evropës Perëndimore, zgjerimi kah Lindja, kah rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe aktualisht kah pjesa veriore e Evropës, realizimi i misioneve paqësore dhe asistencave në më shumë vende nëpër botë, e shndërruan NATO-n në partner global dhe eksportues të paqes dhe stabilitetit në botë. 

Vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull i vendit që ka qenë importues, ndërsa sot është eksportues i paqes, partner aktiv dhe kontribuues në Aleancë. Përmes realizimit të këtij qëllimit tonë strategjik, që është përcaktim i shumicës së gjithë qytetarëve tanë, ne arritëm ta mbrojmë pavarësinë, integritetin territorial, pacenueshmërinë e kufijve shtetërore të pranuara ndërkombëtarisht, por edhe të promovojmë politikë të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet në rajonin më të gjerë.  Përpjekjet tona për të kontribuuar në paqen dhe sigurinë globale paraqesin udhërrëfyes për institucionet tona, për përgatitjen e tyre të vazhdueshme të kapaciteteve dhe aftësive për pjesëmarrje në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO-s, por edhe të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Sistemi i vendosur i  funksionimit të NATO-s, deri para do kohe na mundësonte të reagojmë në mënyrë përkatëse në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe në menaxhimin e sfidave në rritje, të cilat gjithnjë e më shumë janë me natyrë, formë dhe ndërlikueshmëri jokonzistente dhe evolutive. Trendët e ri global të sigurisë dhe gjeopolitikës përmbajnë në vete rreziqe për sigurinë e shteteve, për çka nevojitet ndërtimi i mekanizmave përkatëse të përgjigjes dhe veprimit më gjithëpërfshirës nga ana e të gjithë faktorëve. Ndryshimet në mjediset e sigurisë nuk lejojnë që kanosjet të perceptohen në mënyrë të veçuar, si paraprakisht, por kërkojnë modernizim të kapaciteteve dhe gatishmëri për veprim të vendosur. Këtu do i kisha veçuar në veçanti ndikimet në rritje të vendeve të treta, rrjedhat e migracionit dhe ndryshimet klimatike, pandemitë, kanosjet hibride, lajmet e rrejshme dhe dezinformacionet, brishtësinë e sistemeve furnizuese, varësinë nga resurset e rëndësishme strategjike dhe inteligjencën artificiale. 

Të dashur kolegë, 

Sot, për fat të keq, jemi dëshmitarë të kuptimit të ndryshëm të zbatimit dhe funksionimit të multilateralizimit, si edhe të vendosjes së modeleve të reja të demokracisë së ashtuquajtur alternative. Sistemet e atilla të rregullimit sigurojnë për vete garanci të brendshme juridike për sundim të pakufizuar, për demonizim të arsyeshëm të oponentëve politikë, mohim dhe kriminalizim të lirisë të të shprehurit. Ajo që brengos më së shumti, është trendi i tyre për eksportimin e demokracisë së ri-modeluar jashtë kufijve të tyre dhe përfitimit të shteteve tjera në rregullin e tyre të ri-krijuar. Ndër instrumentet që i shfrytëzojnë për kontestimin e peizazhit global demokratik politik janë kanosjet hibride, lajmet e rrejshme dhe dezinformacionet që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë e shoqërive tona, e gjithë kjo pa e shfrytëzuar armatën ose armët luftarake. Ndikimi i tyre i qëlluar përmes luftës ideologjike e godet rezistencën tonë demokratike, e zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveritë dhe parlamentet e zgjedhura demokratike dhe perceptimin e qytetarëve se institucionet kanë kapacitet ti menaxhojnë këto dukuri. Rajoni jonë i Ballkanit Perëndimor është dëshmitar i gjallë i këtyre aktiviteteve, sidomos në dekadën e fundit. 

Pyetja që parashtrohet këtu është vallë, NATO-ja ndryshohet ose po ne si vende anëtare dhe si parlamente kontribuojmë në këtë ndryshim dhe adaptim për ardhmërinë?  Jam personalisht i bindur se deri tani i menaxhojmë me sukses problemet dhe se në historinë e Aleancës, kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar për mbijetesën e saj dhe për promovimin e vlerave dhe mundësive të saj në skenën botërore politike dhe të sigurisë.  

Në këtë botë komplekse shumë-polare, që e sfidon globalizimin dhe multilateralizimin, si shtete dhe politikanë doemos të veprojmë shpejtë dhe të parandalojmë copëzimin e këtillë, sepse i njëjti paraqet kanosje serioze për gjithë botën. Nuk kemi alternativë tjetër përpos të vazhdojmë të luftojmë për mbijetesën e sistemit dhe për sundimin e të drejtës, mbi sistemin e sundimit të fuqisë dhe ndryshimin e kufijve me përdorimin e forcës. Beteja jonë doemos të vazhdojë me vendosmëri përmes përforcimit të partneriteteve ekzistuese dhe kërkimit të partneriteteve tjera, kreative dhe aleancave me shtete dhe organizata që akoma besojnë në një botë të bazuar mbi vlerat demokratike dhe liberale, në mbrojtjen e tyre, qëndrueshmërinë afatgjate dhe rezistencën ndaj këtyre proceseve negative. Neve, si përfaqësues të popullit, na mbetet të vazhdojmë ti promovojmë besimin dhe korrektësinë e multilateralizimit, si mekanizëm i vetëm i cili mundëson paqe dhe prosperitet në botë. 

Në fund, dëshiroj të përuroj mikpritësit për Konferencën e organizuar me sukses! 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…