Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Austrisë z. Martin Pamer. Në fillim të takimit, kryetari Xhaferi i uroi mirëseardhje të ftuarit nga Austria dhe i uroi mandat të suksesshëm, si vazhdimësi e zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore dypalëshe. Kryetari Xhaferi u përqëndrua në dinamikën e mirë të vizitave kthyese dhe takimeve në të gjitha nivelet mes të dyja vendeve, si dhe rolit udhëheqës të Austrisë në investimet e huaja në vendin tonë.
Kryetari Xhaferi e njoftoi ambasadorin për procesin e ndryshimeve kushtetuese, i cili duhet të përfundojnë deri në nëntor të këtij viti, me qëllim të fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian sipas kapitujve dhe klasterëve. Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në rrugën e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Xhaferi theksoi kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nën moton “Bëhet fjalë për njerëzit”, si dhe kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Ambasadori Pamer shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe theksoi se ka potencial të madh për zgjerimin e fushave të ekonomisë dhe turizmit duke pasur parasysh potencialin e vendit. Ambasadori nënvizoi se Republika e Austrisë mbetet një mbështetëse e fortë e vendit tonë në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale politike në vend dhe shprehën gatishmërinë për takime të mëtejshme dhe bashkëpunim të hapur.