Kryeparlamentari Xhaferi takoi anëtarët e Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë të Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me delegacionin e përbërë nga anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, të paraprirë nga kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.

      Kryetari Xhaferi theksoi se të dy parlamentet bashkëpunojnë me sukses dhe mbështeten edhe në planin multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL), ku në bazë të barabartë janë inkuadruar të gjitha shtetet e EJL-it. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, këtë vit kryeson me PBEJL-in dhe shprehu shpresë se deputetët kosovarë do të marrin pjesë më evenimentet që do i organizojë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

      Në vazhdim, Kryetari Xhaferi theksoi se raportet institucionale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës janë në nivel shumë të lartë, a bashkëpunimi i ndërsjellë në segmente të ndryshme është në favor të qytetarëve dhe duhet të vazhdojë me intensitet akoma më të madh në periudhën e ardhshme. Nënvizoi se ndiqen me vëmendje zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe se si vend e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, në drejtim të normalizimit të raporteve dhe gjetjes së zgjidhjes së pranueshme të përbashkët.  

      Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, shprehu falënderim për mbështetjen e dëshmuar dhe aktive të Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo mbështetje është veçanërisht e rëndësishme në forumet ndërkombëtare ku nuk janë anëtarë deputetë nga Kosova. Po ashtu, shprehu kënaqësi që deputetë kosovarë kishin mundësi në konferencat e organizuara në suazat e Procesit të Berlinit dhe Këshillit të Evropës në Shkup të takohen me deputetë të vendeve evropiane dhe me euro deputetë.

      Në takim u bë fjalë edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si edhe për nevojën për përfundimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe përmirësimin e cilësisë së kalimeve kufitare. U këmbyen opinione edhe për gjendjet në rajon, në Ukrainë dhe Gazë, me ç’rast u theksua se të dyja vendet kanë qëndrimet e njëjta për çështjet globale.

      Xhaferi dhe Kryeziu-Hyseni shprehën bindjen se kjo vizitë paraqet edhe një konfirmim i bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës në nivel të kryetarëve të parlamenteve, komisioneve dhe grupeve të bashkëpunimit dhe miqësisë. Krahas kësaj, do të kontribuojë edhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral të përgjithshëm konstruktiv dhe frekuent ndërmjet dy shteteve fqinje.

Related posts

Reagim plotësues nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me incidentet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe…

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 28 nëntorit duke thënë që liria nuk…

Ali Ahmeti takon shoqatat e shqiptarëve në Kroaci: Mirënjohës Amerikës për jetë të jetëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ka takuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në…