Kryeparlamentari Xhaferi takoi kordinatoren e përhershme të KB, Duxhak

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak. Në takim u bisedua për Pasqyrën universale periodike, me të cilën gjendja e të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtohet nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara, si edhe shënimin e 75-vjetorit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut.  

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak, falënderoi për bashkëpunimin e suksesshëm me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e theksoi rolin kryesor të Kuvendit në miratimin e legjislacionit dhe rolin mbikëqyrës në përmbushjen e Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm. Ajo informoi se Këshilli i të Drejtave të Njeriut i KB-së në prill të vitit 2024 në Gjenevë do e shqyrtojë Pasqyrën universale periodike për Republikën e Maqedonisë së Veriut, para së cilës do të paraprijë procesi i përpilimit të raportit të katërt nacional të vendit. Me qëllim të inkuadrimit, transparencës dhe gjithë përfshirjes të përgatitjes së raportit nacional dhe atij paralel “në hije” të sektorit civil, do të realizohet dialog interaktiv me përfshirjen e sa më shumë faktorëve aktivë nga fusha e të drejtave të njeriut. Theksoi se në qershor të vitit 2023 është parashikuar vizitë e një përfaqësuesi të Kombeve të Bashkuara i ngarkuar për Raportin universal periodik të vendit, që paraqet një mundësi e shkëlqyer për organizimin e debatit publik për rolin e Kuvendit në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku do të merrnin pjesë anëtarët e komisioneve për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Kryetari Talat Xhaferi theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe sipas strukturimit të vet, edhe sipas kompetencave duhet të jetë i inkuadruar në të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me Pasqyrën universale periodike për gjendjen me të drejtat e njeriut në vend. Ai theksoi se do të këmbëngulë që Kuvendi të inkuadrohet në mënyrë përkatëse në trupin punues për përpilimin e raportit nacional, si edhe në prezantimin e Pasqyrës universale periodike.

Duke e theksuar rëndësinë e Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, Xhaferi informoi se Kuvendi e shënoi 70-vjetorin e Deklaratës me një debat publik të Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit, që u realizua në dhjetor të vitit 2017.  Shprehu gatishmëri që edhe këtë vit të shënohet në mënyrë përkatëse 75-vjetori i Deklaratës, me organizimin e një evenimenti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara.

Bashkëbiseduesit theksuan se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur shumë në avancimin e të drejtave të njeriut, sidomos në fushën e çështjeve gjinore dhe të drejtave të personave me handikap dhe u pajtuan se Kuvendi, me inkuadrimin e vet në aktivitetet e ardhshme, mund të kontribuojë në masë të madhe në ngritjen e imazhit të vendit dhe apostrofimin e përparimit të arritur në fushën e të drejtave të njeriut.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…