Kryetari i Kuvendit të Republikë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Zhozep Borelin, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Goran Misovski dhe Hysni Ismaili, koordinatorët e Grupeve Parlamentare në Kuvend, Jovan Mitreski dhe Arbër Ademi, zëvendës-koordinatorët Dafina Stojanovska dhe Halil Snopçe, përfaqësuesit e partive më të vogla në Kuvend, Safije Sadiki Shaini, Bastri Bajrami dhe Antonijo Milloshoski, anëtar i KNEI-it.
Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për realizimin e vizitës dhe dinamikën e realizimit të takimeve me përfaqësuesit e Unionit, duke shprehur falënderim të veçantë për ndihmën e saj financiare të dedikuar për menaxhimin e pasojave të krizës pandemike, energjetike dhe ekonomike. Njëherazi, u theksua gatishmëria jonë për vazhdimin e harmonizimit të vazhdueshëm dhe të tërësishëm me politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, përfshirë edhe në drejtim të ngjarjeve në Ukrainë. Ai e shtjelloi këndvështrimin e vet rreth situatës aktuale politike, aktivitetet rrjedhëse në Kuvend dhe informoi për kontributin tonë në suazat e kryesimit tonë me OSBE-në dhe PBEJL-in këtë vit, për avancimin e qëllimeve dhe vlerave të tyre të përcaktuara.
Përfaqësuesi i lartë Boreli, i përshëndeti pozitat e përbashkëta të faktorëve politikë në dekadat e kaluara për perspektivën evropiane të vendit dhe për mirëqenien e qytetarëve të tij. Duke folur për ciklet e kaluara të zgjerimeve dhe përvojën e vendit të tij, Boreli theksoi se procesi i zgjerimit është gjëja më e mirë që secili nga vendet e sotme anëtare e ka bërë për prosperitet dhe paqe në kontinentin evropian.
Ngjarjet në Ukrainë u sugjeruan si motor i përshpejtimit të zgjerimit dhe moment historik i cili ofron një mundësi të jashtëzakonshme e cila nuk guxon të lëshohet. “Nënshkrimi i Marrëveshjes me Fronteks-in është realitet i pamohueshëm dhe garanci për gjuhën maqedonase si një ndër gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian,” deklaroi Boreli. Në raport me Kuvendin në këtë proces, Boreli theksoi se roli i tij është me rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të faktit se përfaqësuesit e tij vijnë me zgjedhje të qytetarëve. Mesazhet e drejtuara ndaj bashkëbiseduesit kishin të bëjnë me nevojën për koordinim më të madh ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe veprimin e tyre të përbashkët për hir të interesave shtetërorë. U veçua rëndësia dhe roli i Komisionit të Çështjeve Evropiane, si edhe ndryshimet që duhet të futen në Rregulloren për punën e Kuvendit për të mundësuar nxjerrjen e papenguar të legjislacionit të duhur evropian deri në anëtarësimin në Union.
Të pranishmit nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut shprehën këndvështrime të ndryshme për eurointegrimet, prej të cilave një pjesë e madhe ishin për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese të ardhshme, por u shprehën edhe droje për kërkesat e mundshme të radhës nga ana e Republikës së Bullgarisë në këtë proces. Në këtë kontekst, u informua edhe për mbështetjen e ulët të qytetarëve në anketat e fundit për anëtarësim në BE për shkak të kërkesave të Bullgarisë dhe u kërkuan garanci që ky proces të udhëhiqet sipas parimeve dhe standardeve të zgjerimeve të kaluara të Unionit.