Tetovë, 28.02.2026
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pati kënaqësinë e veçantë që në selinë e partisë të mirëpresë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T. z. Bajram Begaj.
Në një atmosferë vëllazërore dhe me frymë të thellë përgjegjësie, ata diskutuan për bashkëpunimin kombëtar dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.
Theks të veçantë i dhanë rëndësisë jetike të Marrëveshjes së Ohrit si gurthemeli i shtetit multietnik dhe arkitekturës së paqes në vend. Çdo goditje ndaj këtij kompromisi historik u vlerësua jo vetëm si cenim i një dokumenti politik, por si sfidë ndaj frymës së bashkëjetesës dhe barazisë mbi të cilën është ndërtuar shteti.
Gjithashtu u diskutua për projektet strategjike rajonale, në veçanti për Korridorin VIII, si bosht zhvillimi ekonomik dhe lidhjeje ndërmjet vendeve dhe rajonit, si dhe për përkushtimin e përbashkët drejt së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
U theksua se rruga është e qartë: partneritet i ngushtë, vizion i përbashkët dhe vendosmëri për të mbrojtur paqen, barazinë dhe orientimin euroatlantik.




https://www.facebook.com/share/p/1CetzxhnNP/?mibextid=wwXIfr
https://www.facebook.com/share/r/1HddGJrB9U/?mibextid=wwXIfr
