
Lulzime Ballazhi u lind në Kërçovë më 29.03.1980. Arsimin fillor e përfundoi në fshatin Shutovë, ndërsa atë të mesëm në Shkollën e Mesme Profesionale Mjekësore “Nikolla Shtejn” në Tetovë.
Studimet universitare i kreu në Universitetin e Tetovës, në degën Farmaci, ku në vitin 2005 diplomoi dhe fitoi titullin Magjistër i Farmacisë. Studimet e doktoraturës i vazhdoi në Fakultetin e Farmacisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup, ku në vitin 2017 mbrojti me sukses doktoraturën në fushën e Farmakologjisë, duke marrë titullin Doktor i Shkencave Farmaceutike. Një pjesë e hulumtimit shkencor u realizua në Universitetin e Bernit në Zvicër.
Karrierën profesionale e ka zhvilluar në fushën akademike dhe shkencore. Që nga viti 2010 është e punësuar në Universitetin e Tetovës, Fakulteti i Shkencave Mjekësore, ku aktualisht mban titullin Profesore Inordinare.
Kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe në institucionet shtetërore dhe profesionale. Në periudhën 2019–2024 ishte anëtare e Komisionit për Regjistrimin e Barnave Humane (MALMED), ndërsa nga viti 2020 është anëtare e Komisionit për Licencimin e Farmacistëve pranë Dhomës së Farmacistëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Angazhimin politik e ka nisur në strukturat lokale të Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga viti 2013 deri në vitin 2017 ishte anëtare e Këshillit Komunal të BDI-së në Kërçovë. Që nga viti 2019 është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, ndërsa në periudhën 2023–2025 ishte anëtare e Kryesisë së Degës së BDI-së në Kërçovë. Në dhjetor të vitit 2025 u zgjodh anëtare e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.
Statusi civil: e martuar, nënë e tre vajzave.

1 Comment