E drejta për arsim është një e drejtë themelore njerëzore dhe e garantuar me Kushtetutë, ndaj asnjë arsye nuk mund të mbështetet aq sa ajo të mos realizohet. Çdo sfidë mund të tejkalohet me një bashkëpunim të mirë mes institucioneve të sistemit dhe pikërisht këtë e konfirmuan sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komunat Çair dhe Butel.
Në takimin koordinues të ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe kryetarëve të dy komunave Visar Ganiu dhe Darko Kostovski, sot është tejkaluar sfida me të cilën ballafaqohen disa nga nxënësit e Vizbegut, të cilët për shkak të mungesës së objektit shkollor në vendin e tyre të vendbanimit, vijojnë mësimin edhe në shkolla të tjera në territorin e këtyre dy komunave dhe për shkak të pezullimit të transportit të organizuar, ditëve të fundit kanë organizuar individualisht udhëtimin që të arrijnë në klasat e tyre.
Pas një diskutimi konstruktiv dhe prezantimit të një sërë propozimesh dhe sygjerimesh për tejkalimin e situatës, Komuna e Butelit tashmë po financon transportin e organizuar nga Vizbegu në SHFK “Ismail Qemali”, dhe Komuna e Çairit do të vazhdojë të financojë organizimin e transportit për nxënësit nga Vizbegu në SHKF “7 Marsi” deri në fund të vitit shkollor. Në ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke punuar në zgjidhjen e përhershme, përmes investimit në infrastrukturën arsimore, gjegjësisht ndërtimin e një objekti shkollor krejtësisht të ri, modern në Vizbeg, ku nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit nga kjo lagjja do të vazhdojnë shkollimin aty dhe nuk do të ketë më nevojë për transport.