Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) do të emërojë një person i cili do të jetë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Ekonomisë për bashkëpunim të vazhdueshëm, për informacion transparent dhe në kohë, si dhe transmetimin e propozimeve për politika më të mira nga të dy palët. Kjo është paraparë në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar sot midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP). Gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se Ministria e Ekonomisë po punon vazhdimisht në përmirësimin e bashkëpunimit me sektorin e biznesit, kryesisht në krijimin e masave dhe programeve që janë në interes të kompanive. “Ky është një dokument shumë i rëndësishëm. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në të kaluarën dhe kemi krijuar masa dhe politika në interes të biznesit, por tani me Memorandumin që nënshkruam sot kemi detyrimin të ndajmë informacione të përbashkëta në mënyrë transparente dhe me kohë në mënyrë që të përmirësojmë kushtet për komunitetin e biznesit. Ministria e Ekonomisë mbetet e hapur për bashkëpunim. OEMVP disponon me numër të madh të analizave, veçanërisht të kompanive mikro dhe të vogla e që janë të rëndësishme për Ministrinë e Ekonomisë. Ne do të mund të përdorim këto analiza për politikëbërje, për përdorim racional të fondeve në mënyrë që të pushtojmë tregje të reja, të promovojmë dhe të rritim eksportet “, deklaroi Ministri Bekteshi. Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha theksoi se personi që do të emërohet prej tyre, do të përfshihet në të gjitha aktivitetet në Ministrinë e Ekonomisë. Për realizimin e të gjitha kërkesave tona, përpjekjet për një klimë më të mirë biznesi, ne do të nominojmë një kandidat nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) i cili do të jetë një urë e bashkëpunimit dhe rrjedhës së informacionit midis dy institucioneve. “Angazhimi ynë si komunitet i biznesit ka për qëllim gjithmonë një mjedis më të mirë biznesi për zhvillimin e ekonomisë në vendin tonë,” tha Hoxha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit.