Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomik dhe investimet, Fatmir Bytyqi janë takuar sot në mëngjes në selinë e Odës Ekonomike të Dubait me kryetarin dhe drejtorin ekzekutiv Hamad Buamim dhe menaxhmentin e ngushtë të Odës Ekonomike. Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Odat Ekonomike janë krijues të ideve që ofrojnë zgjidhje për problemet reale të biznesit dhe prezantoi mundësitë për investim në vendin tonë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ofron një përzgjedhje të gjerë mundësish për të mbështetur investimet në prodhim, sektorin e energjisë, bujqësi, ndërtim, turizëm por edhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor në pjesën e fabrikave për përpunimin e mbeturinave, si pjesë e ekonomisë qarkore. “Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa serioze për ruajtjen e mjedisit jetësor dhe mbrojtjen e burimeve natyrore që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët, siç janë uji dhe ajri” – tha Nuredini, duke shtuar se aktualisht janë duke u realizuar një numër i madh i objekteve të infrastrukturës komunale dhe stacioneve të trajtimit, dhe është planifikuar të realizohen edhe disa investime në fabrikat e përpunimit të mbeturinave, për të përmirësuar ekonominë qarkore dhe përdorim i zgjuar i burimeve të disponueshme. Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Emiratit të Dubait ka potencial të zhvillohet me ritme më të shpejta se më parë, përfunduan në takim zëvendëskryeministri Bytyqi, ministri Nuredini dhe kryetari i Odës Ekonomike të Dubait, Buamim dhe ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e ndërsjellë dhe të shkëmbejnë informacione shtesë në të gjitha nivelet për të rritur mundësitë për bashkëpunim ekonomik. Takimi u shoqërua edhe nga ambasadori i vendit tonë në EBA, Abdulkadar Memedi, si dhe përfaqësuesit e katër Odave më të mëdha Ekonomike: Antoni Peshev (Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut), Trajan Angelovski (kryetar i Shoqatës së Odave Ekonomike), Nebi Hoxha (kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore) dhe Aneta Antova Pesheva (kryetare e MASIT). Në kuadër të vizitës dyditore, delegacioni zyrtar do të jetë pjesë e ceremonisë së sotme me rastin e Ditës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut në Expo Dubai 2020 dhe do të marrë pjesë në konferencën e nesërme të biznesit.