Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini së bashku me kryetarin e Komunës Visar Ganiu sot kanë promovuar projektin për vendosjen e sistemeve fotovoltaike në objektet publike në territorin e Komunës së Çairit. Projekti është realizuar në përputhje me Vendimin për alokimin e mjeteve financiare të realizuara në bazë të kompensimit për prodhimin e energjisë nga lëndët djegëse fosile si subvencione të destinuara për komunat, me ç’rast Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e mbështeti financiarisht dhe nga buxheti i saj ndau 9 milionë denarë. – Projekti ka shumë përfitime, duke filluar nga pikëpamja financiare i cili jep përgjigje adekuate krizës së përgjithshme energjetike dhe redukton shpenzimet e komunës, nga pikëpamja shëndetësore redukton ndikimet negative në shëndetin e njerëzve, por kontribuon në reduktimin e ndotjes lokale dhe globale si dhe reduktimin e ndryshimeve klimatike – informoi ministri Nuredini. Sipas tij, mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes lokale të ajrit është parandalimi i emetimit të gazrave nga djegia e lëndëve djegëse fosile për të marrë energji elektrike dhe ngrohje. “Aplikimi i burimeve të rinovueshme të energjisë është qasja më e mirë për të zgjidhur ndryshimet klimatike, dhe në të njëjtën kohë një mënyrë për të reduktuar ndotjen e mjedisit ku jetojnë njerëzit”, shtoi Nuredini.