Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas mbarimit të takimit vjetor të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Grupit të Vishegradit – V4 dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor –BP6, në cilësi të kryesuesit me Fondin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbignjev Rau dhe Përfaqësuesin special të BE për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak kishin deklaratë për mediet. Osmani theksoi se katërshja e Vishegardit paraqet shembull dhe inspirim për mënyrën në të cilën duhet të zhvillohet bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Ne me të vërtetë kemi mundësi të shkëlqyeshme të mësojmë nga përvojat tuaja. Sidomos, në aspekt të asaj se si, përkundër ekzistimit të dallimeve të caktuara, ju megjithatë arrini të bisedoni dhe të ndërtoni pozita të përbashkëta për çështje të rëndësishme para Këshillave dhe Samiteve të rëndësishme evropiane. Në deklaratë, Osmani iu referua edhe procesit të zgjerimit, bashkëpunimit rajonal, si dhe për pritshmëritë nga kryesimi i ardhshëm slloven me Bashkimin Evropian dhe në këtë kontekst theksoi: “Këshillat e fundit të BE-së, treguan se bisedimet rreth mënyrës në të cilën duhet të sigurohen procese efektive për anëtarësim për të gjithë vendet tona nuk kanë mbaruar, por përkundrazi, ndoshta sapo kanë filluar. Republika e Maqedonisë së Veriut sinqerisht shpreson se gjatë kryesimit slloven me BE do të kemi terren më të përgatitur për sjelljen e vendimeve të rëndësishme në lidhje me perspektivën evropiane të vendit dhe të gjithë rajonit. Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Grupit të Vishegardit – V4 dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor – BP6, këtë vit mbahet në Poznan, në kuadër të kryesimit polak. Ministrat, në tryezë patën tema të shumta për diskutim siç është diskutimi i masave për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia, thellimi i tregut të përbashkët rajonal, investimet në arsim, digjitalizimi dhe projektet e tjera infrastrukturore dhe iniciativat e gjelbra si dhe temat e tjera me karakter ndërkombëtar më të gjerë.