Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me Ministren për Evropën dhe Amerikat e Britanisë së Madhe, Uendi Morton, në Shkup e mbajtën edhe bashkëkryesuan takimin e parë inaugurues të Këshillit për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të dy Ministrat këtë rast solemn ndërmjet dy shteteve e karakterizuan si epokë të re në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve të cilat kultivojnë partneritet shumëvjeçar në 28 vitet e fundit, që reflektohet përmes marrëdhënieve të forta miqësore. “Tani e tutje,ky Këshill do ta ketë rolin e koordinatorit dhe kontrolluesit të punës së të dy shteteve për sfidat dhe mënyrat për implementimin e dispozitave nga Marrëveshja për Bashkëpunim, të cilën e nënshkruam para pothuajse një viti. Sot në mënyrë institucionale, administrative dhe teknike jo vetëm që siguruam vazhdimësinë e bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral me Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas me BREXIT, por lirisht mund të them se që nga sot krijojmë edhe potenciale të reja për bizneset; potenciale edhe për investime të reja të huaja, por edhe mundësi për zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të biznesit në vend”- theksoi Osmani. Në dhjetë vitet e fundit, Mbretëria e Bashkuar u bë një nga partnerët më të rëndësishëm tregtar të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shkëmbimi ndërmjet dy vendeve prej kohësh e ka kaluar kufirin prej një miliard eurosh në nivel vjetor. Vitin e kaluar, pavarësisht ndikimit të pandemisë, vëllimi i tregtisë u rrit me këtë vend, me çka Maqedonia e Veriut u bë partneri i tyre më i madh ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim u shpreh kënaqësia edhe nga bashkëpunimi i suksesshëm i vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes, ndërsa si jashtëzakonisht e rëndësishme është mbështetja shumëvjeçare britanike për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit tonë. U shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera me interes të ndërsjellë, situatën në rajon dhe bashkëpunimin me NATO-n, si një hallkë e lidhjes dhe e bashkëpunimit të të dy vendeve në të ardhmen. Të dy Ministrat gjatë takimit e miratuan dhe e nënshkruan Rregulloren e punës së Këshillit për partneritet, tregti dhe bashkëpunim, ku për më shumë se dy javë, më 21 tetor, do të mbahet edhe takimi i parë i Komitetit për partneritet dhe tregti, si organ për mbikëqyrje teknike dhe administrative për implementimin e Marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve bilaterale, në përgjithësi.