Osmani në takim me Ministrat e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Italia

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në kuadër të Debatit të Përgjithshëm të OKB-së, në Nju Jork, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Takimi u mbajt në kontekst të fokusit të shtuar të Italisë drejt përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe inkurajimit të bashkëpunimit rajonal.

Ministri Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut punon me përkushtim për pranimin sa më gjithëpërfshirës të konceptit për më shumë integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor para anëtarësimit të plotë në BE.

“Qytetarët duhet t’i ndjejnë përfitimet konkrete të anëtarësimit në BE përderisa rrjedhin negociatat, e jo vetëm pas hyrjes formale në BE. Përmes konceptit “Integrimi para anëtarësimit” do të kthehet kredibiliteti i zgjerimit të BE-së, ndërsa qytetarët do ta kthejnë besimin për proces negocioues të suksesshëm dhe për kapërcimin me sukses të sfidave me të cilat ballafaqohemi gjatë integrimit”, theksoi Osmani.

Në fokus të takimit ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Procesi i Berlinit vazhdon të jetë një nismë gjithëpërfshirëse rajonale me peshë më të madhe politiko-ekonomike, forcë lëvizëse e bashkëpunimit rajonal në nivelin më të lartë dhe iniciator i Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendës së Gjelbër.

Ministri Osmani e theksoi rëndësinë e Iniciativës 8 ndërmjet Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ajo paraqet një mundësi të shkëlqyer për të avancuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur realizimin e Korridorit VIII pan-evropian.

“Përfundimi i lidhjes hekurudhore dhe autostradës dukshëm do të kontribuojë në rritjen ekonomike të rajonit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Osmani.

Related posts

Reagim plotësues nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me incidentet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe…

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 28 nëntorit duke thënë që liria nuk…

Ali Ahmeti takon shoqatat e shqiptarëve në Kroaci: Mirënjohës Amerikës për jetë të jetëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ka takuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në…