Osmani në takimin e Koalicionit Global për Luftimin e ISIS-it

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot mori pjesë në takimin ministror të Koalicionit Global kundër DAESH-it/ISIS-it në Riad të Arabisë Saudite, i organizuar nga Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al-Saud.

“Maqedonia e Veriut, si pjesë e Koalicionit, por edhe si kryesues aktual i OSBE-së, është plotësisht e përkushtuar në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e aktiviteteve antiterroriste të OSBE-së. Maqedonia e Veriut si demokraci multietnike dhe multikulturore, e cila kultivon kulturë të bashkëjetesës, i kushton rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit përmes strategjive të miratuara kombëtare për luftën kundër terrorizmit dhe planeve të veprimit që përmbajnë masat dhe aktivitetet e ndërmarra në nivel kombëtar”, theksoi Osmani.

Në fjalimin e tij, Ministri Osmani theksoi nevojën për veprime gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara si përgjigje e sfidave që ekzistojnë ende në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Qendrore përkundër progresit të dukshëm të arritur në luftën kundër ISIS-it nga ana e Koalicionit dhe e rikonfirmoi përkushtimin e vendit që të vazhdojë të adresojë të gjitha sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën kundër ISIS-it dhe të gjitha organizatave terroriste përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe vendet fqinje.

Në margjinat e takimit të Koalicionit, MPJ Osmani pati takime të ndara me: Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Shole, ministrat e punëve të jashtme të Arabisë Saudite, Belgjikës dhe Qipros, Faisal bin Farhan Al-Saud, Haxha Labib dhe Konstantinos Kombos, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë.

Përndryshe, 73 përfaqësues nga gjithsej 86 shtete nga të pesë kontinentet që janë pjesë e Koalicionit morën pjesë në takimin e sivjetshëm ministror të Koalicionit Global për Luftimin e DAESH-it/ISIS-it.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…