Osmani para Këshillit të Përhershëm të OSBE: Vuajtja e njerëzve duhet të ndalet menjëherë

Kryesuesi i OSBE-së, ministri Bujar Osmani, sot, në ditën e një vjetorit nga invazioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës, i është drejtuar Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, përmes videos, dhe në cilësinë e kryesuesit të organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë, i bëri thirrje Rusisë që lufta të ndalet.

“Po në këtë ditë i bëj sërish thirrje Federatës Ruse që të ndalojë menjëherë luftën, të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, t’i përkushtohet parimeve dhe vlerave të OSBE-së dhe diplomacisë. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara, për popullin e Ukrainës dhe rajonin e OSBE-së”, tha Osmani.

Osmani theksoi se vizita e tij e parë si kryesues i OSBE-së ishte në Ukrainë për të dhënë një sinjal të qartë se Ukraina do të jetë prioriteti kryesor gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se kryesimi jonë do të fokusohet mbi të gjitha te njerëzit.

“Nëse ka ndonjë mësim për të nxjerrë nga këta 12 muaj, është se gjatë luftës njerëzit vuajnë më shumë. Gjatë vizitës sime në Ukrainë, pashë drejtpërdrejt ndikimin serioz të luftës në jetën e njerëzve. Ata janë të parët që përjetojnë tmerret e luftës dhe janë dëme të drejtpërdrejta dhe kolaterale”, theksoi Osmani.

Në fjalën e tij, Osmani potencoi se qëndresa e grave dhe burrave ukrainas meriton admirimin dhe respektin më të madh dhe se ata kanë përkrahjen tonë të plotë, duke bërë të ditur se mbështetja për ta do të vazhdojë edhe më me vendosmëri.

“Ne duhet të ndihmojmë popullin e Ukrainës të rikthejë shpresat dhe të rindërtojë shtëpitë e tyre të shkatërruara. Kjo është detyra jonë dhe një synim fisnik. Vuajtjet e njerëzve duhet të ndalen tani dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, pohoi ministri.

Në fjalën e tij, Osmani theksoi se është vërtet e trishtueshme dhe një paradoks që 50 vjet pas nënshkrimit të aktit final të Helsinkit, nuk ka arsye për të festuar, dhe shtyllat e Organizatës janë minuar në mënyrë kritike. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, si kryesuese, është fuqishëm e përkushtuar ndaj parimeve udhëheqëse të OSBE-së, të inkorporuara në Aktin Final të Helsinkit dhe dënoi çdo formë agresioni si mjet për të arritur qëllimin.

“Më lejoni t’ju siguroj se nuk do të tërhiqemi. Ne nuk mund dhe nuk do të pranojmë vetëm atë që po ndodh, nuk do të qëndrojmë pa marrë masa. Përkundrazi, duke u bazuar në mekanizmat e OSBE-së, ne do të forcojmë përpjekjet tona për të gjetur mënyra për të rivendosur paqen dhe për të respektuar plotësisht parimet dhe zotimet tona”, tha kryesuesi i OSBE-së Osmani.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…