Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot përmes një video-mesazhi iu është drejtuar qytetarëve, duke i falënderuar për komentet dhe diskutimin që ka shkaktuar video-ja që ai ka incizuar 20 ditë më parë. Në atë video, Ministri shpjegoi thelbin e kornizës negociuese me Bashkimin Europian. Marrëveshjet me fqinjët, veçanërisht Marrëveshja me Bullgarinë dhe shqyrtimet nga neni 12 i Marrëveshjes nuk janë pjesë e kornizës negociuese, tha atëherë Osmani. Në videon e sotme, Ministri thotë se edhe pas njëzet ditësh nuk ka ende asnjë argument kundër këtij pretendimi dhe konfirmon edhe një herë se këto segmente nuk janë pjesë e kornizës negociuese dhe nuk ka votim për to nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Sipas Osmanit, përpjekja e tij për ta prezantuar realisht kornizën negociuese, përmes një përshkrimi vizual të pjesëve përbërëse të saj, kishte për qëllim nxitjen e një debati që do të fokusohej në të vërtetën dhe përmes të cilit do të prezantoheshin faktet në mënyrë objektive. “Megjithatë, bie në sy se edhe pse ka pasur komente të shumta, asnjëri nuk ka dhënë një argument të prekshëm për t’i hedhur poshtë faktet që i kam prezantuar. Mesazhi bazë mbetet i pandryshuar: marrëveshjet me fqinjët dhe shyqrtimet nuk janë pjesë e segmenteve të veçanta të kornizës negociuese, ku bëhet raportimi me shkrim dhe votimi nga shtetet anëtare”, thotë Osmani në video. Ministri Osmani edhe një herë bëri thirrje nëse ka qëndrime të kundërta, të prezantohen me argumente dhe me një qasje të sinqertë që do të tregojë se me të vërtetë kujdesemi për të ardhmen e vendit. “Diskursi i sinqertë e forcon demokracinë tonë. E respektoj secilin prej jush, pavarësisht nëse jeni dakord me metodën apo jo. Qëllimi ynë përfundimtar është një e ardhme më e ndritur europiane për Maqedoninë e Veriut dhe besoj se së bashku me dialog dhe fakte të hapura mund ta arrijmë këtë”, thotë Osmani.