Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së në vitin 2023, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi dy biseda të veçanta telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Armenisë, Ararat Mirzojan dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov. Bisedat u fokusuan në situatën në rajonin e Kaukazit Jugor, me theks të veçantë në Korridorin e Laçinit.
Ministri Osmani theksoi se është duke e përcjellë nga afër situatën rreth Korridorit të Laçinit, teksa shprehu shqetësimin për ndikimin e të njëjtit në jetën e përditshme të popullatës civile. Në këtë drejtim, ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe të fillojnë një dialog konstruktiv dhe produktiv. Osmani theksoi se, si pjesë e instrumenteve të OSBE-së, masave për ndërtimin e besimit dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit paraqesin elemente kyçe për tejkalimin dhe zbutjen e sfidave me të cilat përballen njerëzit në terren.
Në këtë kontekst, Krysuesi i OSBE-së, Osmani rikonfirmoi gatishmërinë e tij për të bërë përpjekje personale në drejtim të qetësimit të tensioneve dhe dhënies së kontributit të tij në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme, duke paralajmëruar vizita në Armeni dhe Azerbajxhan për këtë qëllim.