Riprogramimi i borxhit publik dhe financimi i rritjes në kohë krize

Si sot para tridhjetë viteve, më datë 25 shkurt të vitit 1993, vendi ynë u bë anëtar i Bankës Botërore, respektivisht pjesë e partneritetit global të 189 vendeve për uljen e varfërisë dhe krijimin e një të ardhmeje të përbashkët prosperuese.
Gjatë 30 viteve të fundit, Banka Botërore ishte partneri ynë në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Grupacioni i Bankës Botërore ishte përkrahja jonë në çdo hap drejt krijimit të ekonomisë tregtare funksionale–nga përforcimi kapaciteteve përmes përkrahjes financiare të projekteve kryesore kapitale deri tek përforcimi i kapaciteteve njerëzore. Në fillim të kësaj kolumne, e cila nuk ndërlidhet shumë me bashkëpunimin me Bankën Botërore, por më shumë i referohet zhvillimeve aktuale me financat e brendshme, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Grupacionin, si dhe për të gjithë ekspertët dhe profesionistët e jashtëzakonshëm që dhanë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë sonë.

Nga numri i madh i projekteve, vlen të përmendet përkrahja e Bankës Botërore për përforcimin e financave publike, veçanërisht projektet lidhur me pjesën fiskale. Do të fokusohem te aktualiteti dhe do ta veçoj Ligjin e Buxheteve dhe përkrahjen për krijimin e platformës së njësuar në financat publike ku do të ndërlidhen të gjitha sistemet – IFMIS. Një bashkëpunim tjetër shumë domethënës i vazhdueshëm me Bankën Botërore është përpilimi i Rishikimit të shpenzimeve (Expenditure Review), i cili do të japë kontribut shumë të rëndësishëm në realizimin e angazhimit tonë për konsolidimin fiskal (ulje graduale e hendekut mes të hyrave dhe shpenzimeve në buxhet, pa penguar rritjen ekonomike).

Këtu do t’i referohem temës që u diskutua shumë në publik gjatë tre javëve të fundit. Ajo i referohet borxhit publik dhe duke qenë se transparenca dhe llogaridhënia fiskale janë forma më e lartë e kontrollit të financave publike, në funksion të tyre e dedikoj edhe kolumnën time të fundit. Në këtë tekst i referohem planit të financimit të borxhit këtë vit, si dhe strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit, përfshirë edhe konsolidimin fiskal. Pjesa më e madhe e shifrave tashmë janë komunikuar, por besoj se është gjithmonë adekuate që “të vendosim gjithçka në tavolinë”, në mënyrë që të gjithë ta kemi tablonë e përgjithshme, ku jemi aktualisht dhe ku shkojmë.

Borxhi publik në kohë krize

Për tre vjet, pas disa krizave ekonomike botërore, borxhi publik global u rrit për rreth 12 pikë përqindjeje, ndërsa borxhi publik në ekonomitë në zhvillim shënoi rritje mesatare prej rreth 10 pikë përqindjeje.

Ekonomia jonë, e vogël dhe e hapur, nuk përjashtohet nga ngjarjet e rajonit dhe botës. Pas rritjes së shpejtë të borxhit publik në vitet 2008-2016, në vitet 2016-2019 kishim stabilizim. Por, me fillimin e pandemisë në vitin 2020, borxhi publik u rrit për 10 pikë përqindjeje. Ndalimi i menjëhershëm i aktivitetit ekonomik, si dhe nevoja për financimin e masave shëndetësore, ekonomike dhe sociale, rezultuan në thellimin e deficitit buxhetor, i cili duhej të servisohej së bashku me detyrimet e vjetra që maturuan për pagesë. Gjatë pandemisë u miratuan gjashtë pako të masave antikrizë me vlerë prej 1.2 miliardë eurove për të zbutur efektet e krizës tek qytetarët dhe ekonomia. Në raportet e organizatave financiare ndërkombëtare, vihet re se politikat ekonomike zbutën dukshëm rënien e aktivitetit ekonomik dhe efektet e krizës.

Me kapërcimin e efekteve të para të pandemisë, ekonomia filloi të rimëkëmbet. Megjithatë, çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit, rritja e kërkesës në krahasim me ofertën dhe konflikti i luftës në Ukrainë shkaktuan kriza të reja. Ekonomia e brendshme filloi të rimëkëmbet nga goditja e pandemisë, por rimëkëmbja e tërësishme u prolongua për shkak të goditjeve të reja. Qeveria ka miratuar masa të reja në vlerë prej 760 milionë eurove për tejkalimin e efekteve nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve.

Nga viti 2020 deri më tani, u miratuan masa anrtikrizë në vlerë prej afro 2 miliardë eurove, me qëllim të lehtësimit të pasojave nga krizat globale mbi ekonominë dhe qytetarët. Gjithashtu, për tri vite u realizuan shpenzime kapitale mbi një miliardë euro, detyrimet rrjedhëse servisohen në bazë të rregullt, ndërsa borxhet paraprake shlyhen në kohë.

Në vitin 2021, borxhi publik nga 59.7% e PBB-së u rrit në nivel prej 61%, ndërsa në fund të vitit 2022 borxhi publik u zvogëlua në nivel prej 57.1% të PBB-së. Sa i përket aspektit të vlerës absolute, edhe pse mënyrë më relevante është që borxhi publik të paraqitet si përqindje e PBB-së për shkak se pasqyron aftësinë e ekonomisë sa i përket servisimit të detyrimeve, ai u rrit për 2.1 miliardë euro.

Shkurtimisht, kjo është gjithçka sa i përket borxhit publik gjatë tri viteve të fundit në periudhë krize. Por, më e rëndësishme është çështja që i referohet pritshmërive dhe strategjisë për të ardhmen. Synimi ynë kryesor është zhvillimi i politikave të qëndrueshme makroekonomike, si përkrahje e rritjes ekonomike, që nënkupton edhe ruajtjen e nivelit të qëndrueshëm të borxhit publik.

Niveli i qëndrueshëm i borxhit publik

Para se t’i arsyetoj në mënyrë të detajuar strategjitë dhe planet vjetore, afatmesme dhe afatgjate, një digresion i vogël për lexuesin sa i përket qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe rëndësisë së tij lidhur me stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike.

Niveli i borxhit publik konsiderohet si i qëndrueshëm nëse mundëson servisimin e detyrimeve në kohë, që maturojnë në periudhë më të gjatë. Kjo varet nga disa faktorë, si norma e deficitit/suficitit buxhetor, norma e rritjes së ekonomisë, norma e inflacionit, shkalla e zhvillimit të tregut të brendshëm financiar, likuiditeti i tregut ndërkombëtar të kapitalit etj. Kështu, qëllimet e përcaktuara me Strategjinë e menaxhimit me borxhin publik synojnë financimin e nevojave të shtetit me kosto sa më të ulët të mundshme, portofolin e qëndrueshëm për shlyerje të pandërprerë të borxhit, si dhe zhvillimin e tregut të brendshëm financiar efikas.

Më shumë se 30 vite, kur u përcaktua arkitektura fiskale e Bashkimit Evropian në Mastriht, pragu i lartë i borxhit publik për vendet anëtare u përcaktua që të jetë 60% e PBB-së. Megjithatë, ai nuk u përcakua si limit absolut, sepse borxhi i disa prej vendeve anëtare (Belgjika, Irlanda dhe Italia) ishte pothuajse 100% ose e tejkalonte atë. Në vend të kësaj, u përcaktua limiti i deficitit buxhetor deri në 3% të PBB-së, sa i përket rregullimit të huamarrjes së re. Sot, një pjesë e madhe e vendeve të BE-së dhe Eurozonës, ende kanë borxh më të lartë në raport me kriterin e Mastrihtit. Në fund të vitit të kaluar, borxhi shtetëror mesatar në Eurozonë ishte 95% e PBB-së. Megjithatë, borxhi i tyre është i qëndrueshëm, përkatësisht ekonomia ka kapacitet për krijimin dhe servisimin e borxhit në mënyrë të pandërprerë. Në raport me kriteret e Mastrihtit, theksohet se ato nuk përkojnë më me realitetin, duke marrë parasysh distancën kohore kur janë vendosur ato dhe gjendjen aktuale të borxheve në ekonomitë e BE-së (Gaspar dhe Buti, 2021).

Ekzistojnë shumë punime shkencore dhe studime nga ekonomistët që hulumtojnë lidhjen e borxhit publik me rritjen ekonomike. Si një nga më të cituarat është “Rritja në kohë borxhi” nga Carmen Reinhart dhe Kenneth Rogoff, ku paraqiten hulumtime të bazuara në një sërë të dhënash mbi borxhin publik dhe PBB-në, duke arritur në përfundimin se normat e borxhit publik që janë mbi 90% të PBB-së ngadalësojnë rritjen ekonomike. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, pragu prej 70% nuk do të ndikojë negativisht mbi rritjen ekonomike të këtyre ekonomive.

Borxhi publik në vendin tonë është nën këto nivele, megjithëse në pesëmbëdhjetë vitetet paraprake ka pasur tendencë rritjeje. Që nga viti 2008, kur borxhi publik ishte 23% e PBB-së, ai vazhdimisht rritej deri në vitin 2016, kur arriti në 48.8% të PBB-së, gjegjësisht u rrit për 25.8 pikë përqindjeje, që do të thotë u dyfishua. Gjatë tri viteve të ardhshme, borxhi u stabilizua në këtë nivel, në mënyrë të tillë, siç e theksove në fillim, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia, ashtu si në ekonomitë e vendeve të tjera, në vendin tonë u rrit me dhjetë pikë përqindjeje. Në vitin 2021, kishte rritje minimale të borxhit publik me një pikë përqindjeje, ndërsa në vitin 2022 borxhi shënoi ulje dhe është në nivel prej 57.7%. Më lejoni t’ju rikujtoj se nga viti 2019, në drejtim të ndjekjes së rekomandimeve të organizatave financiare ndërkombëtare dhe transparencës më të madhe, në përllogaritjen e borxhit publik, filloi të përllogaritet edhe borxhi i jo i garantuar.

Sipas buxhetit për këtë vit, projektohet rritje e moderuar e borxhit publik në 60.6%. Duke marrë parasysh detyrimet që maturohen për shlyerje, në vitin 2024 borxhi do të rritet mesatarisht për 1.2 pikë përqindjeje, ndërkohë që nga viti 2025 pritet ulje graduale e borxhit publik, ndërsa në vitet 2026 dhe 2027 pritet të jetë nën 60% të PBB-së. Pritshmëritë tona për uljen e borxhit publik i bazojmë në përcaktimin për konsolidim gradual fiskal, përkatësisht në uljen graduale të deficitit buxhetor me çdo buxhet pasues nëpërmjet racionalizimit të shpenzimeve dhe përmirësimit të arkëtimit të të hyrave, si dhe impenjimeve për ta luftuar ekonominë gri. Qëllimi është ulja e deficitit buxhetor në periudhë afatmesme nën kriterin e Mastrihtit (nën 3%), pa ndikuar negativisht në aktivitetin ekonomik.

Financimi i Buxhetit për vitin 2023

Në tri vitet e fundit, me çdo buxhet pasues që planifikohet, deficiti buxhetor ulet gradualisht. Rasti i tillë ishte edhe me Buxhetin për vitin 2023, në të cilin deficiti buxhetor projektohet të jetë 4.6% ose për 0.7 pikë përqindje më i ulët se projeksioni për vitin 2022. Buxheti për vitin 2023, u përpilua sipas rregullit të artë në financa, përkatësisht investimet duhet të jenë më të larta në raport me deficitin. Deficiti i projektuar për vitin 2023 është në vlerë prej 42.7 miliardë denarëve (694.3 milionë eurove, ndërsa shpenzimet kapitale projektohen në vlerë prej 795 milionë eurove).

Do të theksoj se me miratimin dhe zbatimin e Propozim Ligjit të Tatimit mbi Solidaritetin, do të kemi ulje shtesë të deficitit buxhetor, si rezultat i të hyrave më të larta të pritshme.

Me këtë ligj, vendoset detyrimi i jashtëzakonshëm, të cilin duhet ta paguajnë kompanitë të cilat vitin e kaluar kishin të hyra prej mbi 10 milionë euro dhe të cilat kanë realizuar dukshëm fitim më të lartë se zakonisht. Baza e tatimimit do të jetë fitimi që është mbi 20% i mesatares së tri viteve paraprake dhe kjo vlerë do të tatimohet me normë prej 30%. Detyrimi do të jetë i njëhershëm dhe do t’i referohet rezultateve financiare të kompanive për vitin 2022. Pritshmëritë janë se të hyrat mbi këtë bazë do të jenë rreth 4.7 miliardë denarë (76.4 milionë euro) dhe ato do të destinohen për nevojat e buxhetit në lidhje me krizën e Kovidit dhe atë energjetike. Kjo do të kontribuojë drejtpërdrejt në uljen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik për 0.5 pikë përqindje nga planifikimi për vitin 2023, respektivisht deficiti buxhetor në vend se 4.6% do të jetë 4.1% dhe borxhi publik në vend se 60.6% do të jetë 60.1% si pjesëmarrje në PBB.

Në vitin 2023, borxhi i përgjithshëm i cili maturon për pagesë është me vlerë prej 52.1 miliardë denarëve (847.2 milionë euro), ku borxhi i jashtëm është 36.5 miliardë denarë (594 milionë euro), ndërsa borxhi i brendshëm është 15.6 miliardë denarë (254 milionë euro).

Shlyerja e kryegjësë (principalit) në bazë të borxhit të jashtëm përfshin pagesën e euroobligacionit nga viti 2016 me vlerë prej 27.7 miliardë denarëve (450.4 milionë euro), ndaj FMN-së me vlerë prej 2.7 miliardë denarëve (43.9 milionë euro), ndaj IBRD-së me vlerë prej 2.3 miliardë denarëve (37.4 milionë euro), ndaj BERZH-it me vlerë prej 1.2 miliardë denarëve (19.5 milionë euro), ndaj IDA-s me vlerë prej 0.9 miliardë denarëve (14.6 milionë euro); ndaj BQE-së me vlerë prej 0.6 miliardë denarëve (9.75 milionë euro) dhe ndaj kreditorëve të tjerë bilateralë me vlerë prej 0.3 miliardë denarëve (4.9 milionë euro nga IFAD-i, KfW-ja, Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar etj).

Shlyerja e kryegjësë në bazë të borxhit të brendshëm i referohet pagesës së fletobligacioneve për 2, 3 dhe 5 vjeçare me vlerë prej 12 miliardë denarëve (19.6 milionë euro), pagesës së fletobligacioneve për decionalizim me vlerë prej 0.4 miliardë denarëve (6.5 milionë euro) dhe pagesës së huasë afatshkurtër prej 3 miliardë denarëve (50 milionë euro). Fletobligacionet e tjera kanë afatizim prej 7, 10, 15 dhe 30 viteve dhe nuk maturohen në vitin 2023.

Financimi i borxheve që maturojnë, si dhe i deficitit, do të realizohet përmes burimeve të jashtme dhe brendshme. Kombinimi optimal i burimeve të jashtme dhe të brendshme të financimit rezulton me disa përfitime, nga diversifikimi i portofolit të borxhit publik sipas afatit dhe valutës deri tek rritja e rezervave devizore, si dhe rezulton me qasjen në mjetet e tregut të brendshëm financiar për sektorin real.

Huamarrja e jashtme do të realizohet përmes emetimit të euroobligacionit të nëntë në tregun ndërkombëtar të kapitalit, tërheqjes së transhesë së re nga linja kreditore për përkujdesje dhe likuiditet nga FMN-ja dhe përmes tërheqjes së mjeteve nga kreditë e favorshme nga institucionet financiare të huaja dhe linjat kreditore për financimin e projekteve të caktuara dhe deficitit buxhetor.

Huamarrja e brendshme është parashikuar të jetë në nivel prej 33.6 miliardë denarëve (546 milionë euro) përmes emetimit të letrave shtetërore me vlerë dhe huasë së brendshme. Me huamarrjen në tregun e brendshëm do të sigurohet financim në kushte të favorshme duke shfrytëzuar norma interesi më të favorshme, njëkohësisht përmes optimizimit të portofolit, duke prolonguar afatizimin dhe përmes kalimit në një platformë më të përshtatshme për zbatimin e emetimit primar në Bloomberg. Në këtë mënyrë do të rritet pjesëmarrja e investitorëve të huaj në tregun e brendshëm.

Po ashtu, këtë vit është transferuar depozitë prej 160 milionë eurove nga viti i kaluar, në përputhje me politikat prudente për menaxhimin me borxhin publik dhe baferët të cilët mundësojnë fleksibilitet më të madh në raport me zhvillimet në tregun e kapitalit. Vitin e kaluar, baferët e tillë na mundësuan tejkalimin e periudhës së normave të interesit jashtëzakonisht të larta në tregun ndërkombëtar të kapitalit dhe kursimin e dhjetëra miliona eurove.

Interesi i investitorëve për euroobligacion – dëshmi e politikave ekonomike të mirëfillta

Këtu, dëshiroj edhe një herë t’i rikthehem huamarrjes së jashtme dhe të ndalem tek euroobligacioni i nëntë. Edhe pse vitin e kaluar kishim detyrime të maturuara për rifinancim, si dhe nevojë për financimin e masave për ballafaqimin me krizën energjetike dhe fillimisht ishte planifikuar të emetonim euroobligacion, megjithatë nuk u plasuam në treg. Normat e interesit në tregun ndërkombëtar të kapitalit ishin shumë të larta, ndërkohë që menaxhimi prudent i financave publike la hapësirë të mjaftueshme që huamarrja e euroobligacionit të kryhet kur të krijohen kushte më të mira. Sipas ankandit të fundit dhe në krahasim me vendet e tjera me rejting të ngjashëm ose më të lartë se i yni, të cilët emetuan menjëherë euroobligacion, vendimi ynë ishte i drejtë.

Do të theksoj se pranimi i madh i politikave të mirëfillta që udhëhqim, përveç aprovimit të linjës PLL nga FMN-ja vitin e kaluar (që u jepet ekskluzivisht vendeve me baza të mirëfillta ekonomike) dhe përkrahjes makroekonomike nga Komisioni Evropian është edhe interesi i madh i investitorëve për euroobligacionin (madje për 2.5 herë vlerë më të lartë në ankandin e fundit të euroobligacionit të nëntë në fillim të muajit shkurt të vitit 2023).

Ministria e Financave është gatshme ta emetojë euroobligacionin e nëntë, sapo të krijohen kushtet për të. Monitorojmë me vigjilencë gjendjen në tregjet e kapitalit dhe në periudhën më të mirë të mundshme do të sjellim vendim më optimal për emetimin e euroobligacionit, i cili do të destinohet për rifinancimin e euroobligacionit të emetuar në vitin 2016.

Kornizë institucionale për qëndrueshmëri të borxhit publik në periudhë afatgjate

Në periudhën afatmesme dhe afatgjate janë paraparë disa mekanizma të sigurimit të qëndrueshmërisë së borxhit publik, në nivel të sigurimit të stabilitetit dhe të rritjes ekonomike. Ligji i Ri i Buxheteve që themelon Këshillin Fiskal dhe rregullat fiskale, Plani i qëndrueshmërisë fiskale, si dhe Plani i rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike, përfshirë këtu edhe Strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit publik, janë dokumente strategjike që do të kontribuojnë në këtë drejtim. Pikërisht, këto janë katër shtyllat që do të ofrojnë bazën e qëndrueshmërisë së borxhit.

Në Ligjin e Ri të Buxheteve inkorporuam limitet e Mastrihtit për borxhin publik dhe deficitin buxhetor. Këto janë rregullat numerike që në periudhë afatmesme vendosin limite nga 60% të borxhit publik dhe 3% të deficitit buxhetor. Këto limite tashmë janë të përfshira në Strategjinë fiskale. Gjithashtu, parashihet dhe rregullohet themelimi i organit të pavarur – Këshillit Fiskal, i cili do të përzgjedhet nga Kuvendi (me propozimin e ASHAM-it, Bankës Popullore dhe Entit Shtetëror të Revizionit) i cili do t’i mbikqyrë strategjitë, projeksionet dhe zbatimin e politikave fiskale. Këshilli Fiskal do të themelohet gjatë këtij viti, ndërsa mjetet për formimin dhe funksionimin e tij janë planifikuar në Buxhetin e vitit 2023. Thënë ndryshe, Ligji i Ri i Buxheteve dhe reformat e miratuara, janë mirëpritur nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare si dhe në raportin e fundit të progresit të KE-së.

Optimizimi i proceseve të punës dhe reduktimi i kostove

Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike përcakton masat e konsolidimit të shpenzimeve në institucionet shtetërore, përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve, masat dhe rekomandimet e Ndërmarrjeve Publike dhe Shoqërive Tregtare në Pronësi Shtetërore. Në publik është folur shumë për këtë plan – shkurtimisht, thelbi është realizimi i kursimeve serioze nëpërmjet racionalizimit dhe optimizimit të proceseve të punës. Me raionalizimin e shpenzimeve gjithashtu theksohet edhe përmirësimi i realizimit të shpenzimeve kapitale. Njëkohësisht, ekziston edhe metodologjia e vlerësimit të efekteve të projekteve investuese në rritjen ekonomike – PIMA, si dhe metodologjia e vlerësimit të realizimit të investimeve kapitale nëpërmjet “Smart Key Performance Indicators”, që është përcaktuar me Ligjin e Ri të Buxheteve. Gjithashtu, plani përmban mekanizma të përforcimit të kapaciteteve për arkëtimin dhe përshpejtimin e të hyrave publike nga debitorët tatimorë dhe doganorë. Ekziston edhe përmirësimi i efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave të akcizës, nëpërmjet zhvillimit të politikave, sistemeve, procedurave dhe të instrumenteve të kontrollit efikas dhe të arkëtimit të të hyrave. Përforcohen aktivitetet e parandalimit të evazionit tatimor, ndërgjegjësohet publiku për pasojat e dëmshme të ekonomisë gri si dhe përforcohet morali tatimor. Parashihen masat e përmirësimit të mbikëqyrjes inspektuese, koordinimi ndërinstitucional i kontrolleve, dixhitalizimi i mëtejshëm i proceseve, si: e-fatura, e-fiskalizimi, sistemi i shënjimit dhe i kontrollit të mallrave të akcizës etj.

Duke marrë parasysh se deficiti buxhetor dhe borxhi publik matet si përqindje nga PBB-ja, rritja ekonomike kontribuon në procesin e konsolidimit. Plani i rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike ndikon në drejtim të konsolidimit fiskal në dy mënyra: së pari, nëpërmjet mekanizmave për përshpejtimin e rritjes ekonomike, respektivisht dyfishimit të rritjes ekonomike në periudhën e kaluar të normave prej dhe mbi 5% në periudhë afatmesme dhe së dyti, nëpërmjet mekanizmave për mobilizimin e kapitalit privat të investimeve dhe huamarrjes më të vogël shtetërore (si partneritetet private dhe publike, fondet zhvillimore dhe instrumentet financiare).

Instrumentet e reja në tregun financiar

Në kontekstin e mekanizmave të lartpërmendura për mobilizimin e kapitalit privat për përkrahjen e nevojave publike është zhvillimi i tregut të brendshëm financiar, nëpërmjet vendosjes së intrumenteve të reja, të parapara me Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik. Ministria e Financave tashmë është duke punuar në diversifikimin e burimeve të financimit dhe vendosjen e instrumenteve të reja, të cilat do të kenë zbatim të ndryshëm. Njëri prej këtyre instrumenteve është “fletobligacioni zhvillimor”, që ka për qëllim financimin e projekteve zhvillimore në vend, të destinuara për qytetarët, me ç’rast do të jepet mundësia e blerjes së tyre edhe nga bankat, fondet pensionale si dhe pjesmarrësit e tjerë në tregun financiar. Më tutje është paraparë emetimi i “fletobligacioneve të gjelbra”, të cilat do të destinohen për financimin e projekteve për përmirësimin dhe mbrojten e mjedisit jetësor. “Fletobligacionet projektuese”, do të shfrytëzohen për financimin e projekteve të infrastrukturës dhe do të destinohen për investitorët institucionalë, ndërsa “fletobligacionet zhvillimore për qytetarët” kanë për qëllim mobilizimin e kursimit të parave të gatshme të qytetarëve, reduktimin e parave të gatshme dhe ekonomisë joformale, ndërsa qytetarët do të marrin rendimente nga kursimet e tyre.

Me strategji të mirëvendosur për uljen graduale të nevojës për huamarrje të re të pagesës së borxheve të vjetra, nëpërmjet zvogëlimit të deficitit dhe stimulimit të rritjes dhe kapacitetit të pagesës së borxheve, mund ta ndryshojmë kahjen e kurbës së borxhit publik në rënie. Duhet vetëm të mbetemi konsistent ndaj strategjisë dhe ajo do të ofrojë rezultate.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…