Sekretari Organizativ
Nebi Rexhepi

Nebi Rexhepi është profesionist i fushës së gjeodezisë dhe planifikimit hapësinor, me përvojë të gjatë në administratën shtetërore, sektorin privat dhe në jetën publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. I lindur më 6 janar 1979 në Gostivar, ai përfaqëson një profil të ndërtuar mbi ekspertizë teknike, përgjegjësi institucionale dhe angazhim të vazhdueshëm në proceset zhvillimore të shtetit dhe pushtetit lokal.
Formimin universitar e përfundoi si Inxhinier i diplomuar i Gjeodezisë dhe Fotogrametrisë në Universitetin Teknik Yıldız në Stamboll, Turqi, ndërsa studimet pasuniversitare në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup. Kjo përgatitje e plotë akademike përbën bazën e duhur mbi të cilën ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe me ndikim në planifikimin hapësinor dhe hartimin e politikave mjedisore.
Në administratën shtetërore ka ushtruar funksione të larta drejtuese në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Aktualisht mban detyrën e Udhëheqësit të Sektorit për Planifikim Hapësinor, një pozicion kyç në sistemin shtetëror të planifikimit hapësinor dhe atij urban. Në këtë cilësi drejton hartimin, koordinimin dhe harmonizimin e dokumenteve strategjike planifikuese në nivel shtetëror, duke siguruar përputhshmëri të legjislacionit kombëtar dhe afrimin e tij me Direktivat dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Një nga angazhimet më të rëndësishme është edhe roli i tij si Kryetar i Grupit të Punës për hartimin e Planit të ri Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2021-2040, dokumenti më i lartë strategjik planifikues në shtet, i cili përcakton drejtimet afatgjata të zhvillimit hapësinor, territorial, infrastrukturor, energjetik dhe mjedisor të vendit. Në këtë proces ai udhëheq koordinimin ndërinstitucional dhe përfshirjen e ekspertizës profesionale në ndërtimin e një dokumenti me rëndësi themelore për zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit.
Në periudhën 2016–2017 ka ushtruar detyrën e Shefit të Kabinetit të Ministrit, ndërsa në vitet 2023–2024 ka mbajtur funksionin e Sekretarit Shtetëror në MMJPH, duke qenë pjesë e nivelit më të lartë administrativ në drejtimin dhe menaxhimin e politikave publike në këtë fushë.
Në periudhën 2014–2024 ka qenë Anëtar i Komisionit për hapjen e kufijve të rinj të Republikës së Maqedonisë së Veriut me shtetet fqinje, duke kontribuar në procese me rëndësi të veçantë shtetërore dhe ndërkufitare. Në kuadër të këtij angazhimi ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë profesional në procedurat administrativo-institucionale, teknike dhe planifikuese për hapjen e pikës kufitare Bellanoc – Stançiq (2021), në rajonin e Likovës, e cila lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Kosovës. Përfshirja e tij ka konsistuar në koordinimin teknik ndërinstitucional, përcaktimin territorial dhe harmonizimin e proçesit, duke kontribuar në realizimin e një projekti me rëndësi të veçantë për lëvizjen e lirë, zhvillimin ekonomik rajonal dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Në vitin 2018 ka qenë Kryetar i Komisionit për dhënien e Koncesionit për shfrytëzim të ujit për prodhim të energjisë elektrike dhe ndërtimin e 22 hidrocentraleve të vogla, si dhe Kryetar i Komisionit për dhënie të Koncesionit dhe ndërtim të Hidroelektranës Çebren në “Crna Rekë” (2022), një nga projektet më të rëndësishme energjetike në vend. Përmes këtyre përgjegjësive ka udhëhequr procese me rëndësi kombëtare, ku dimensioni teknik, juridik dhe strategjik janë harmonizuar në funksion të interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shtetit.
Paralelisht me angazhimin institucional, në periudhën 2016 – 2023 ka qenë i angazhuar si Asistent në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, DrejtimiGjeodezi dhe Gjeoinformatikë pranë Universitetit të Tetovës. Në këtë rol kontribuon në procesin mësimor dhe në përgatitjen profesionale të studentëve në fushën e gjeodezisë dhe teknologjive gjeohapësinore, duke ndërlidhur përvojën praktike institucionale me dimensionin akademik.
Në planin politik, Nebi Rexhepi është pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim që nga themelimi i saj, duke qenë i angazhuar në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme në strukturat organizative. Ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Këshillit Vendor të BDI-së në Negotinë (2019 – 2022) dhe Kryetar i Degës së BDI-së në Vrapçisht (2022–2025). Në vitin 2017 ishte bartës i listës për këshilltarë komunal në Komunën e Vrapçishtit, ndërsa në vitin 2021 kandidat i BDI-së për Kryetar të Komunës së Vrapçishtit. Angazhimi i tij politik karakterizohet nga fokus i qartë në zhvillimin lokal, planifikimin hapësinor dhe forcimin e institucioneve vendore.
Ai flet rrjedhshëm shqip, maqedonisht, anglisht, turqisht dhe serbo-kroatisht.
Në planin personal, është i martuar dhe baba i katër vajzave, duke e konsideruar familjen si themel të qëndrueshmërisë dhe motivim të vazhdueshëm në jetën e tij profesionale dhe atë politike.
Kontakt:
🔵 https://www.facebook.com/share/1BRf3Vho2R/
📸 https://www.instagram.com/nebirexhepi
💼 www.linkedin.com/in/nebirexhepi
🐦 https://x.com/NebiRexhepi
📞 +389 75 316 728
✉ nebi.rexhepi@bdi.mk
