Në panelin e mbajtur me mbështetjen e programit “Qytetet e reja”, në kuadër të projektit “WeUnity”, u prezantuan gjetjet e hulumtimit për diskriminimin në shkollat e mesme në Gostivar.
Më vjen mirë që çështjes që ka të bëjë me diskriminimin në shoqëri po i bëhet gjithnjë e më shumë vend për diskutim dhe që në luftën kundër këtij fenomeni negativ po bashkohen përditë forca të reja, aktivitetet po intensifikohen dhe kjo të jep shpresë se situata mund dhe do të ndryshojë për më mirë.
Në diskutim pata rastin të theksoj se për të arritur përmirësimin e marrëdhënieve mes të rinjve me prejardhje të ndryshme etnike, fetare, politike dhe sociale në Gostivar si bashkësi lokale multietnike, është i nevojshëm ndikimi sistematik te të rinjtë perms procesit arsimor.
Për këtë qëllim, reformat e nisura të Ministrisë synojnë që të rinjtë të respektojnë më shumë njëri-tjetrin, të respektojnë diversitetin, të jenë tolerantë dhe të barabartë ndaj të gjithëve në mjedisin dhe përditshmërinë e tyre. Ne gradualisht po i ndryshojmë plan programet dhe po përgatisim tekste të reja në shkolla, të cilat, sipas Konceptit të ri për arsimin bazë, integrojnë përmbajtje kushtuar multikulturalizmit, barazisë gjinore, solidaritetit dhe mosdiskriminimit.