Shaqiri: Përgatitëm pako edukative për promovimin e vlerave të filmit “Toka e Mjaltit” ndërmjet nxënësve

Përmes aktiviteteve jashtëshkollore, porositë nga filmi dokumentar “Toka e Mjaltit”, i cili garoi për Oscar në vitin 2020, të barten te nxënësit e moshës prej 10 – 14 vjeç. Të rinjtë mësojnë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor nga shkatërrimi, dhe sa të rëndësishme janë bletët për të mirën e përbashkët.

 
Kjo ishte e paraparë me memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe kompanitë private Farmahem dhe Apollo. Ato së bashku, përgatitën pako edukative që sot u shfaq para publikut ndërsa tanimë përfshihet në shkollat fillore në 14 komuna të rajonit të Bregallnicës ku mësojnë mbi 8000 nxënës nga klasa e pestë deri në të nëntën.
 
Në promovimin e sotëm të rezultateve të këtij projekti të përbashkët, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se pakoja edukative përmban tri vepra autoriale: libër me ilustrim për nxënësit e shkollave fillore dhe dy lojëra interaktive të cilat janë të krijuara në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke.
 
“Në Materialet edukative janë futur porosi nga filmi dokumentar “Toka e Mjaltit” dhe të njëjtat zgjojnë kureshtjen, mësimin dhe shkëmbimin e përvojave mes mësimdhënësve dhe nxënësve, të cilat mundësojnë avancimin e aftësive të tyre për mësim të përjetshëm”, tha ministri Shaqiri, duke shtuar se projekti ka forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve nga sektori publik, privat dhe ndërkombëtar, ndërsa siç u shpreh ai, bart përgjegjësi të madhe për krijimin e kushteve për ndryshime në arsim.
 
“Me këtë produkt kreativ dhe artistik, ekipi i autorit mundësoi që vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për promovimin e vlerave të filmit “Toka e Mjaltit”  të bëhet realitet”, theksoi Shaqiri. Ai shpjegoi se loja zgjat nga gjysmë ore deri në maksimum 45 minuta dhe i mundëson secilit prej lojtarëve të luajë ndryshe dhe të arrijë fitoren ndryshe.  Ekipi i autorit respekton plotësisht 5 parimet e lojës si medie  mësimore, përkatësisht  parimet e rëndësisë, interaktivitetit, kënaqësisë, aktivizimit dhe përsëritjes.
 
Për rikujtim, dokumentari “Toka e Mjaltit ” e regjisorëve Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov, ishte në garën më të ngushtë për të fituar dy nga statuetat më prestigjioze të arta në ndarjen e çmimit të  92-të të filmit. Në vitin 2020, para fillimit të pandemisë Covid-19, përfaqësuesit tanë përgatitën surprizë cilësore përmes ndarjes së një historie reale për kultivuesen e  fundit femër të bletëve të egra në Evropë, e cila jeton në simbiozë me natyrën. “Toka e Mjaltit ” fshatin Bekirlija e bëri si vend qendror jo vetëm në industrinë e filmit, por edhe në mbarë botën me ngrohtësinë dhe filozofinë jetësore të Atixhe Muratova për shpërndarje të barabartë. Në ndërkohë, Filmi  ka marrë mbështetjen e Qeverisë për promovim më të madh të porosive , veçanërisht në mesin e popullatës së re.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…