Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, d-r Jeton Shaqiri mori pjesë në takimin e dytë në kuadër të procesit të përgatitjes së Programit të reformave ekonomike 2022-2024, nën udhëheqjen e Ministrisë së financave të Maqedonisë së Veriut dhe anëtarët e grupit punues ndër-resorial për përgatitjen e Programit të reformave ekonomike 2022-2024. Në këtë takim, mes tjerash u diskutua për propozim masat reformuese që do të përfshihen në Programin 2022-2024 dhe do të jenë në drejtim të tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital. Këtu MSHIA është implementuese dhe përkrahëse e masave siç është rritja e shërbimeve elektronike të institucioneve publike dhe integrimi i tyre në portalin nacional të shërbimeve, projekti i implementimit të sistemit inteligjent transportues (SIT) përgjatë korridorit 10 dhe iniciativa tjera në bashkëpunim me ministritë dhe ndërmarrje tjera në funksion të plotë të digjitalizimit dhe shkëmbimit elektronik. Këto shërbime elektronike që tanimë janë në fazën e implementimit, integrojnë shumicën e shërbimeve nga më shumë ministri të Maqedonisë së Veriut (punëve të brendshme, ekonomi, drejtësi, arsimit dhe shkencës, punës dhe politikës sociale, punëve të jashtme, gjykatat dhe prokuroria dhe disa drejtori, siç janë Regjistri qendror i Maqedonisë së Veriut, Drejtoria e të ardhurave publike, Drejtoria e librave amë, etj.) nga ku qytetarët dhe bizneset, për herë të parë, do të kenë mundësi të zëvendësojnë pritjet në sportele me shërbime nga shtëpia apo zyrat e punës. Dokumentet elektronike të gjeneruar tanimë janë plotësisht legale dhe mund të përdoren gjithkund pasiqë njihen në sistemin pozitiv ligjor në Maqedoninë e Veriut me ndryshimet e fundit ligjore. Masat e propozuara që do të jenë pjesë e Programit reformues ekonomik 2022-2024, zbatohen së bashku me BE-në dhe paraqet përgatitje për pjesëmarrje në procesin e mbikëqyrjes ekonomike dhe fiskale të vendeve anëtare të BE-së, me qëllim që të zbatohen proceset kryesore reformuese në vend, të cilat do të ndikojnë në intensifikimin e dialogut me BE-në. Programi do të dorëzohet në Komisionin Europian deri në fund të janarit të vitit 2022.