Javën e kaluar u mbajt konferenca e parë e përbashkët shkencore e Ministrisë së Financave dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Konferenca i referohej sfidave të politikës fiskale të shkaktuara nga kriza Covid-19 dhe pritjeve për periudhën pas krizës. Në konferencë morën pjesë mbi 30 ekonomistë të shquar – akademikët Fiti, Bexheti, Petreski dhe Zeqiri, guvernatorja Angellovska – Bezhoska, zëvendësguvernatorja Mitreska dhe drejtoresha e Drejtorisë për politikë monetare dhe hulumtim Davidovska – Stojanova, profesorët dhe ish ministrat e Financave Popovski, Sllaveski dhe Tevdovski si dhe shumë kolegë të tjerë që i konsideroj si profesorë dhe shkencëtarë jashtëzakonisht cilësor si Bishev, Sojkov, Uzunov, Trpeski, Mazllami, Abazi – Alili, Filipovski, Mojsovska – Bllazhevski, Naqeva – Ruzhin, Trenovski si dhe kolegët nga Ministria e Financave Kovaçevski, Tast dhe Elezi, si dhe shumë profesorë tjerë të rinj që dhanë analiza vërtetë interesante dhe të dobishme. Gjithashtu, fjalim mbajtën edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe FMN-së. Kjo konferencë është jashtëzakonisht e rëndësishme për dy arsye – e para është gatishmëria e Qeverisë për përfshirjen e komunitetit shkencor në krijimin e strategjive dhe politikave të ardhshme dhe e dyta – sinergjia e zgjidhjeve të duhura, që do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme nga bashkëpunimi me komunitetin akademik. Fatmirësisht, ky bashkëpunim me ASHAM rezultoi jashtëzakonisht mirë. Mblodhëm autorë të suksesshëm që ofruan analiza vërtet të hollësishme të cilat së shpejti do t’i botojmë në një përmbledhje punimesh nga konferenca. Këtë kolumnë ia dedikoj konkluzioneve që janë rezultat i diskutimit dhe njëkohësisht do të parashtroj disa opinione personale për hapat vijuese në pjesën fiskale. Konkluzionet e përgjithshme të konferencës ishin se: 1. Politika fiskale duhet të vazhdojë ta stimulojë ekonominë në rrugën e saj drejt rimëkëmbjes 2. Mjetet për financimin e stimulit fiskal (në pjesën më të madhe) duhet të “importohen”. 3. Konsolidimi fiskal është domosdoshmëri për periudhën afatmesme. Në vijim do të ndërlidhem për secilin nga këto konkluzione. Masa antikrizë – derisa ekonomia “të ngrihet përsëri në këmbë” Është e sigurt se rikuperimi i ekonomisë nga efektet e krizës Covid-19 ka filluar. Që nga fillimi i vitit vërehen rezultate pozitive ekonomike si në nivel global, ashtu edhe në vendin tonë. Së fundi, përfundoi edhe misioni i FMN-së në vendin tonë, i cili konstatoi se ekonomia jonë ka filluar të rimëkëmbet. Në fakt, kjo mund të shihet edhe nga të dhënat e statistikave nga fillimi i vitit. Eksporti gjatë tremujorit të parë shënon rritje prej 18%, ndërsa importi rritje prej 14.1%. Shkëmbimi tregtar në muajin mars në raport me vitin e kaluar shënoi rritje prej 35.5%, ndërsa eksporti u rrit prej 36.7%. Prodhimi industrial në muajin mars për herë të parë që nga fillimi i krizës regjistroi rritje më të lartë, duke arritur në 7.6%, me rritje të industrisë së përpunimit prej 6.2%. Pritjet e subjekteve afariste në muajin prill janë përmirësuar në raport të rritjes së vëllimit të prodhimit, sigurimit të prodhimit me porositë dhe zvogëlimit të stoqeve ekzistuese. Shfrytëzimi i kapacitetit të prodhimit po rritet gjithashtu me shfrytëzueshmëri prej 71.7% në muajin prill, që është në nivel të periudhës para krizës. Kreditimi gjatë muajit prill u rrit për 5.7% në nivel vjetor, me rritje si në amvisëritë ashtu edhe në sektorin korporativ, ndërsa depozitat shënuan rritje prej 6.9%. Rikuperimi i ekonomisë i detyrohet suspendimit gradual të masave shëndetësore, në nivel global dhe në vendin tonë, si dhe përshpejtimit të procesit të imunizimit, që ndikon në normalizimin e zinxhirëve të furnizimit dhe rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve afariste. Gjithashtu, kjo i detyrohet edhe masave të miratuara nga Qeveria për përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve si dhe për lehtësimin e efekteve të krizës. Llogaritjet e Ministrisë së Financave tregojnë se falë masave të ndërmarra, rënia në vitin 2020 amortizohet për 4.2 pikë përqindje, përkatësisht pa këto masa, do të arrinte deri në 8.7%. Njëkohësisht, masat e ndërmarra kontribuan në ruajtjen e një numri të madh të vendeve të punës (shkalla e papunësisë në vitin 2020 ka rënë me pothuajse një pikë përqindje në raport me vitin 2019). Gjithashtu, paga mesatare vazhdoi të rritet edhe përkundër krizës (rritje vjetore prej 7.8% në vitin 2020 në raport me vitin 2019). Që nga fillimi i krizës, janë miratuar gjashtë pako të masave me vlerë prej rreth një miliardë e dyqind milionë euro. Kjo është rreth 11% e BPV-së. Stimuli i përgjithshëm fiskal përfshin jo vetëm shpenzimet direkte të buxhetit, por edhe lehtësimet dhe lirimet tatimore, garancitë në dispozicion dhe të ngjashme. Për krahasim, sipas të dhënave të FMN-së, stimuli fiskal në vendet e rajonit varion nga 2.4% të BPV-së në Bullgari, 3% në Bosnjë dhe Hercegovinë, 3.3% në Shqipëri, 4% në Mal të Zi, 5% në Kosovë, 7% Kroaci, 13.6% në Serbi dhe rreth 14% të BPV-së në Greqi dhe Slloveni. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, shumica e vendeve do të vazhdojnë me stimulin fiskal edhe në vitin 2021. Nëse shqyrtohen shembujt e vendeve të mësipërme nga rajoni: Sllovenia miratoi pakon e tetë të masave me vlerë prej 320 milionë euro në muajin shkurt të vitit 2021; Serbia në muajin prill miratoi masa të reja për subvencionimin e pagave, përkrahje financiare për qytetarët mbi 18 vjeç dhe pensionistët, përkrahje financiare për të papunësuarit, përkrahje për transportuesit dhe hotelierët në vlerë prej 2.3% të BPV-së; Kosova ndau 1.7% të BPV-së për transfere ndaj firmave dhe qytetarëve; Mali i Zi miratoi pakon e katërt të masave antikrizë në janar të këtij viti, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut miratoi pakon e pestë dhe të gjashtë të masave në muajin shkurt dhe prill. Ekonomitë më të zhvilluara vazhduan gjithashtu të miratojnë pako të masave ekonomike në vitin 2021. Që nga fillimi i krizës, vendet e G20 kanë ndarë shuma serioze për stimul fiskal. E shprehur si përqindje e BPV-së, Japonia ndau 56%, Gjermania 39.3%, Italia 37.7%, Franca 23.8%, SHBA-ja 22.5%, Australia 19.5%, Kanada 18.6%, etj. Rekomandimet e FMN-së janë në drejtim të vazhdimit të përkrahjes së ekonomisë dhe qytetarëve, për sa kohë që zgjat rimëkëmbja. Një aspekt tjetër është se sektori i korporatave ka nevojë për përkrahje për shkak të problemeve të likuiditetit dhe solvencës në kohë krize, veçanërisht në industritë me kontakt më intenziv si dhe në ndërmarrjet mikro dhe të vogla. Aspekti i dytë është mbrojtja e sistemit financiar, përkatësisht pa ndërhyrjen e politikës fiskale, mund të ketë rritje të lartë të kredive jofunksionale nga firmat që do të hyjnë në borxh për të kapërcyer pasojat e krizës, por që nuk do të jenë në gjendje t’i servisojnë më pas. Prandaj, pika ku kemi arritur paraqet domosdoshmëri që të vazhdojmë me përkrahjen e firmave, por edhe qytetarëve (nga aspekti social) në mënyrë që të mund të vazhdojë rimëkëmbja e ekonomisë. Përpjekjet, sigurisht do të jenë në drejtim që masat e reja që do të miratohen, të kenë gjithashtu karakter zhvillimor, përkatësisht përveç përkrahjes që do të ofrojnë për të nxitur investime të reja të mundësojnë edhe zgjerimin e kapaciteteve dhe punësimeve të reja. Importi i kapitalit për stimulimin e rritjes ekonomike dhe relaksimin e politikës monetare Pasi konstatuam që përkrahja financiare duhet të vazhdojë edhe më tej, çështja tjetër është se si do të financohet. Përkatësisht, që nga fillimi i krizës, për shkak të rënies së arkëtimit të të hyrave dhe njëkohësisht rritjes së lartë të shpenzimeve për nevojat e financimit të masave shëndetësore dhe antikrizë, deficiti buxhetor tek pothuajse të gjitha vendet rritej, gjë që ndikoi në rritjen e borxhit shtetëror. Nëse marim parasysh vendet në rajon, mund të shohim se ata që kanë pasur stimul më të lartë fiskal, kanë edhe rritje më të lartë të borxhit. Për shembull, në vitin 2020, sipas të dhënave të FMN-së, Sllovenia dhe Greqia kanë rritje të konsiderueshme të borxhit shtetëror për 15 pikë përqindje, resprektivisht për 24.3 pikë përqindje. Masat e reja do të paraqesin nevojën për mjete të reja financiare. Mjetet e reja financiare përmes mekanizmave të ndryshme, duhet të arrijnë tek investitorët. Në atë mënyrë, do të arrihet efekt i shumëfishtë pozitiv për ekonominë. Fillimisht, do të kompensohet rënia e remitancave nga jashtë dhe zvogëlimi i investimeve të jashtme (deri në rimëkëmbjen e tyre të kënaqshme). Së dyti, do të shmanget efekti i “tkurrjes” (crowding out) në sektorin real, përkatësisht disponueshmëria e kapitalit për ekonominë nga burimet e brendshme të financimit, do të shmanget. Pas euroobligacioneve në vitin 2020 dhe 2021, pati relaksim të politikës monetare, përkatësisht përshpejtim të rritjes së masës monetare nga 8% para fillimit të krizës në 10.1%, si dhe zvogëlim të normave të interesit në tregun e parave në nivel historikisht më të ulët prej 1.25% në muajin mars të vitit 2021. Mund të konkludohet se financimi i deficiteve buxhetore përmes burimeve të jashtme, nga njëra anë do të stimulojë rritjen ekonomike dhe nga ana tjetër do të krijojë kushte për relaksimin e politikës monetare. Njëkohësisht, bankat e tjera qendrore në të gjithë botën e relaksojnë politikën monetare, përfshirë edhe Bankën Qendrore Evropiane. Kjo e bën kapitalin e jashtëm më të lirë dhe më të kapshëm. Kështu, në muajin mars emetuam euroobligacionin e tetë, me normë historikisht më të ulët të interesit prej 1.625%, i cili pati interes të madh tek investitorët 2.3 herë më të lartë se shuma e ofruar. Sipas aspektit krahasues, norma mesatare e interesit e të gjitha euroobligacioneve të emetuara paraprake është 5.05% dhe është 3.1 herë më e lartë se norma e interesit të euroobligacionit të fundit.Gjatë huamarrjes, gjithmonë duhet të patur parasysh se kostoja duhet të jetë më e vogël se përfitimi, përkatësisht normat e ardhshme të rritjes së bruto produktit vendor duhet të jenë të mjaftueshme për të financuar borxhin (g> k). Konkretsht, euroobligacioni që emetuam tani në vitin 2021 ka justifikim ekonomik, nëse marim parasysh se norma e interesit është 1.625% ndërsa rritja e projektuar e BPV-së është së paku 4.1% ose 5.6% rritje nominale, përkatësisht 3.5 herë më e lartë në raport me normën e interesit të euroobligacionit. “Rregulli i artë” i rritjes ekonomike dhe financat publike“Rregulli i artë” i rritjes ekonomike, sipas teorive të rritjes është niveli në të cilin raporti i konsumit dhe kursimeve, gjegjësisht investimeve, siguron fond të njëjtë të kapitalit për të punësuar efektiv, duke marrë parasysh amortizimin, rritjen e popullsisë dhe zhvillimin teknologjik dhe me këtë të sigurojnë kthim konstant të shkalles (rritja ekonomike). Sidoqoftë, modelet endogjene të rritjes ekonomike në këtë ekuacion shtojnë edhe rolin e politikave ekonomike në gjenerimin e rritjes duke inkurajuar gjeneratorë të rritjes – përkrahjen e kapitalit njerëzor, inovacioneve dhe njohurive në mënyrë që të rritet produktiviteti i ekonomisë. Këtu, lidhet edhe çështja e financimit të rritjes, gjegjësisht financat publike, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Lidhur me këto çështje, debati është i hapur në shkencën ekonomike dhe vazhdon në lidhje me të ashtuquajturën “Rregulli i artë i financave publike”, përkatësisht huamarrje vetëm për investime publike (qëllime produktive).Por, ajo që mund të thuhet se ka konsensus në raport me financat publike është fakti se konsolidimi fiskal në periudhën afatmesme paraqet faktor të rëndësishëm në sigurimin e rritjes së qëndrueshme. Thënë më thjesht, nëse duam të financojmë rritjen, nëse nuk kemi kursime të mjaftueshme, këtë mund ta bëjmë me huamarrje, por ajo duhet të jetë e justifikueshme ekonomikisht që të mund të sigurojë rritje të qëndrueshme. Dhe kjo, e parë në mënyrë intertemporale, ndërmjet gjeneratave, nëse marrim huamarrje sot, do të thotë që nesër duhet të kthehet dhe kjo do të thotë që nëse investojmë sot, përfitimet duhet të shihen nesër ose nëse një gjeneratë merr hua, tjetra duhet ta kthejë atë, sigurisht që ata duhet të kenë përfitime nga vendimi i tillë. Konsolidimi dhe rritja ekonomikeRritja e deficitit buxhetor dhe borxhit shtetëror gjatë vitit të kaluar, me fillimin e krizës së covid-it është karakteristikë pothuajse për të gjitha ekonomitë botërore. Në Evropë, vetëm Norvegjia ka ndryshim negativ të borxhit shtetëror në vitin 2020 në raport me vitin paraprak për -1.3 pikë përqindje. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritje më të madhe të borxhit shtetëror në Evropë për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 e ka Spanja me rritje prej 27.5 pikë përqindje ose borxh aktual shtetëror prej 123% të BPV-së, mandej Italia me rritje të borxhit prej 27 pikë përqindje ose borxh shtetëror prej 161.8% të BPV-së dhe Greqia me rritje prej 24.3 pikë përqindje dhe borxh shtetëror prej 205.2% të BPV-së. Në rajon, përveç Greqisë, Shqipëria ka rritje më të lartë të borxhit prej 15.6 pikë përqindje dhe borxh shtetëror prej 83.3% të BPV-së, vijon Sllovenia me rritje prej 14.9 pikë përqindje dhe borxh prej 81% të BPV-së dhe Kroacia me 14.5 pikë përqindje rritje të borxhit dhe borxh shtetëror prej 87.7%. Nga 38 vende, Republika e Maqedonisë së Veriut ka borxh më të ulët shtetëror prej 24 vendeve dhe rritje më të ulët të borxhit shtetëror në vitin 2020 nga 22 vende. Rëndsi të veçantë ka mbajtja e borxhit në nivel të qëndrueshëm, i cili sipas vlerësimeve të FMN-së në raportin e vendit nga muaji prill i vitit 2020 për ekonominë e vendit, nuk tejkalon 70% të BPV-së. Prandaj është e rëndësishme që prej tani të kemi plan të mirë dhe të saktë për konsolidimin fiskal, përkatësisht zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor, pa ndikuar në rritjen ekonomike.Konsolidimin fiskal planifikojmë që ta arrijmë përmes: I. Përmirësimit të arkëtimit të të hyrave buxhetore (përmes përforcimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të shërbimeve të DAP-it dhe Doganës, përmes masave për uljen e ekonomisë gri, masave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, etj.), II. Zvogëlimit dhe ristrukturimit të mëtejshëm të shpenzimeve buxhetore (duke shkurtuar shpenzimet joprioritare dhe jothelbësore, zvogëlimin e shpenzimeve rrjedhëse, përkrahje më të madhe për sektorin privat, inovacionin dhe pëforcimin e konkurrencës, komponentin e theksuar social dhe rishikimin e metodologjive për transfere dhe subvencione etj.) III. Ndryshime në burimet e financimit të deficitit buxhetor (Plani për financimin e rimëkëmbjes dhe rritjes së ekonomisë).Duhet të theksohet që gjatë viteve buxheti është krijuar në këtë mënyrë, kështu që është e vogël përqindja e shpenzimeve buxhetore diskrete dhe është e kufizuar hapësira për politikë fiskale.Planifikohet që të zvogëlohen shpenzimet rrjedhëse përmes racionalizimit të shpenzimeve të administratës publike, optimizimit dhe rritjes së efikasitetit të administratës publike, optimizimit dhe riorganizimit të sektorit publik, dixhitalizimit të një pjesë të mirë të shërbimeve publike. Në mënyrë që të racionalizohen shpenzimet, theksi vendoset në përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale përmes mekanizmit të vendosur CAPEF për “ndëshkimin dhe shpërblimin” e shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor nga ata me realizim më të ulët drejt atyre me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale, metodologji e mëtejshme për vlerësimin e efekteve të projekteve të investimeve në rritjen ekonomike – PIMA dhe metodologji për vlerësimin e realizimit të investimeve kapitale përmes Smart Key Performance Indicators, si vendosjen e organeve monitoruese për realizimin e investimeve kapitale.Përmes Planit për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike duam t’i rrisim investimet e përgjithshme në ekonomi dhe njëherit të mbetemi në kursin e projektuar për zvogëlimin e deficitit fiskal në periudhë afatmesme dhe kështu të mbajmë borxhin në nivel stabil.Qëllimi kryesor i këtij plani është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave të rinj, instrumenteve, fondeve dhe burimeve për financim të krijohet efekt multiplikativ, gjegjësisht përveç investimeve publike të planifikuara në vlerë prej rreth 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025, të financuara nga buxheti, IPA fondet dhe institucionet financiare ndërkombëtare të mobilizohen më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Me këtë, do të rriten investimet e përgjithshme, do të përshpejtohet rritja e Bruto Produktit Vendor dhe do të përshpejtohet hapja e vendeve të reja të punës. Plani përfshin krijimin e fondeve zhvillimore, fondeve për përkrahjen e inovacioneve, fondeve garantuese, fondeve ekvite, fondeve për kapital sipërmarrës (venture) dhe instrumente të ngjashme për përkrahjen e kompanive eksportuese si dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Planifikohen partneritete private publike, koncesione dhe instrumente tjera për financimin e projekteve publike kapitale dhe projekte në sektorin privat. Këto do të jenë projekte në kuadër të Komitetit Nacional Investues (KNI), si dhe projekte të reja që do të dalin si iniciativa nga sektori publik ose privat.Përshpejtimi i rritjes ekonomike në periudhë afatmesme do të veprojë gjithashtu në drejtim të stabilizimit të borxhit për shkak të rritjes së hapësirës fiskale për servisimin e tij. Përmes ridizajnimit të politikave buxhetore dhe Strategjisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe përshpejtimin e rritjes (SmartER Growth) planifikohet përshpejtimi i rritjes ekonomike në periudhën e ardhshme, kthimi i ekonomisë në rrugën e rritjes para krizës në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe sigurimi i dinamikës më të shpejtë të rritjes ekonomike.Sipas projeksioneve të indikatorëve, rritja ekonomike në vitin 2025 pritet të arrijë në 5.9% dhe në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2030, norma mesatare e rritjes ekonomike pritet të stabilizohet në 5.75% në vit. Kjo planifikohet të arrihet edhe përmes krijimit të klimës afariste më konkurruese, të orientuar drejt eksportit me përkrahje të fuqishme të sipërmarrësisë dhe inovacioneve, përmirësimin e qasjes në financa dhe adaptimin e teknologjive, modernizimin e sektorëve ku kemi përparësi krahasuese, reformën tatimore, luftimin e ekonomisë gri, dixhitalizimin e ekonomisë, zhvillimin e burimeve njerëzore përmes investimeve në arsim, shkencë dhe shëndetësi, masa për aktivitet më të madh të popullsisë së aftë për punë, orientim drejt “ekonomisë së gjelbër”, etj Në fund, do doja të theksoja se forma e tillë e konsultimeve me komunitetin akademik do të bëhet praktikë, sepse duam që shkenca, si dhe të gjithë aktorët e përfshirë shoqëror, të jenë pjesë e marrjes së vendimeve të mira që do të japin rezultatet e duhura. Gjithashtu, dua të falenderoja të gjithë pjesëmarrësit në konferencë që kontribuan me punimet, analizat dhe idetë e tyre.