Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë ditës së sotme priti në takim delegacion nga Kosova të udhëhequr nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Vesel Krasniqi. Ministri Kreshnik Bekteshi theksoi se mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës gjithmonë ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer dhe ceku se bashkëpunimi i tillë do vazhdoj edhe më tej në shumë sfera. “Sot kisha kënaqësinë që të kem si mysafir në Ministrinë e Ekonomisë ministrin e Tregtisë dhe Industrisë zotëri Krasniqin. Si Ministri e Ekonomisë kemi pasur bashkëpunim të mrekullueshëm me institucionet e Republikës së Kosovës në veçanti me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë edhe në të kaluarën por nuk ndalemi këtu, deklaroi Bekteshi. Temat që u diskutuan në takimin mes ministrit Bekteshi dhe Veseli ishin të fushave të ndryshme e ndër to si më të rëndësishme u përmendën ato të fushës së turizmit ,industrisë dhe teknologjisë. “I dakorduam të gjithë draft marrëveshjet të cilat i kemi paraparë që ti nënshkruajmë gjatë seancës së përbashkët, marrëveshje të cilat kanë të bëjnë me fushën e turizmit, me fushën e industrisë, teknologjisë por njëkohësisht edhe marrëveshje sa i përket mallrave strategjike. Biseduam për investimet e mundshme në fushën e turizmit, një nga temat kryesore ka qenë Kodra e Diellit apo që bashkarisht të tërheqim investitorë edhe në pjesën e Brezovicës por edhe në Kodrën e Diellit. Temë tjetër e rëndësishme ishte vendosja e one-stop shop apo pikës së përbashkët kufitare në kuadër të pikës doganore në Bllacë dhe jam më se i bindur se pas nënshkrimit të marrëveshjes të paradisa muajve për njohjen e çertifikatave fitosanitare pothuajse janë plotësuar të gjitha parakushtet që të vendoset kjo pikë e përbashkët kufitare” , theksoi kështu ministri Bekteshi në fjalimin e tij për media pas takimit. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi falënderoi ministrin Bekteshi për mikpritjen dhe për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe ceku se ky bashkëpunim së shpejti do sjell nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme për të dy shtetet. “Kisha nderin dhe kënaqësinë të jem për vizitë tek ministri i ekonomisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilin dua ta falënderoj për mikpritjen vëllazërore ku diskutuam shumë tema të rëndësishme për të dyja vendet fqinje. Ne edhe më herët kemi realizuar takime të përbashkëta përmes dikastereve tona ku jemi dakorduar që në takim të përbashkët të të dyja qeverive që është planifikuar më 25 janar ti arrijmë disa marrëveshje në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Ne biseduam edhe për mallrat strategjike të cilat janë të një rëndësie të madhe për të dyja vendet, mallra të cilat kalojnë tranzit përmes Maqedonisë së Veriut poashtu edhe përmes Kosovës dhe së bashku do ngrisim edhe më shumë angazhimin e përbashkët për kontroll më të fuqishëm të mallrave që kalojnë në të dyja vendet ,” deklaroi kështu Ministri Krasniqi. Të dy ministrat u zotuan se do vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen edhe në fusha tjera përkundër këtyre që u diskutuan ditën e sotme.