Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi priti sot në takim lamtumire ambasadoren e Kanadasë me qendër në Beograd, Ketlin Çaba, e cila po përfundon mandatin e saj. Ambasadorja Çaba shprehu urimet e saj për zgjedhjen e Qeverisë së re, si dhe përgëzoi ministrin Bekteshi për rizgjedhjen si Ministër i Ekonomisë. Në takimin mes ministrit dhe ambasadores, u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve dhe marrëdhëniet e mira ekonomike midis Kanadasë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministri Bekteshi falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin e frytshëm në tre vitet e fundit dhe shprehu shpresë që bashkëpunimi i njejtë do vazhdoj të promovohet edhe në periudhën e ardhshme në disa fusha. Në takim, Ministri e informoi ambasadoren për politikat dhe masat e zbatuara nga Qeveria në trajtimin e pasojave të pandemisë, kryesisht në drejtim të mbështetjes së ekonomisë. U theksua nevoja për një bashkëpunim dhe solidaritet të shtuar midis vendeve si një përgjigje për shëndetin dhe sfidat socio-ekonomike të paraqitura nga ky problem global. Ministri Bekteshi theksoi prioritetet e Qeverisë në periudhën e ardhshme të cilat synojnë arritjen e një rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike duke rritur kështu konkurrencën e ekonomisë vendore.Ai falënderoi Kanadanë për mbështetjen e saj të vazhdueshme për përpjekjet e bëra nga vendi ynë në arritjen e aspiratave evropiane si dhe për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se një sfidë kryesore për ekonominë e Maqedonisë së Veriut por edhe në përmasa globale në këtë moment është trajtimi i pasojave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit KOVID 19 si dhe masat për të rimëkëmbur ekonominë.