Në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni, Ministri Osmani realizoi takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorçiç. Në takim u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale midis dy vendeve, të cilat janë produkt i miqësisë tradicionale dhe afatgjate , ku u shkëmbyen këndvështrimet rreth mundësisë dhe potencialeve për zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella, veçanërisht në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, aktiviteteve të përbashkëta të partneritetit në NATO, si dhe mbështetjen e Sllovenisë në procesin e integrimit të vendit tonë në BE. “Kishim biseda biseda të sinqerta dhe të hapura. Më gëzon njoftimi se zgjerimi i BE-së me vendet e rajonit tonë do të jetë i renditur lartë në prioritetet gjatë presidencës sllovene me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2021ashtu edhe siç ishte gjatë presidencës tuaj të parë si një shtet anëtar i BE-së, në vitin 2009. Nga një mik i afërt i Ballkanit Perëndimor dhe mik i dëshmuar, atë edhe e presim”, tha Osmani, duke iu falënderuar kryetarit Zorçiç për mbështetjen e madhe dhe të parezervë që Sllovenia ia ofron Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit tonë në BE. Në takim u diskutua edhe për aleancën në NATO, për çka edhe u shkëmbyen mendime për çështjet aktuale të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për angazhimet dhe përpjekjet për të ardhmen e rajonit tonë. Në atë kontekst, u përshëndetën aktivitetet e Maqedonisë së Veriut në planin e avancimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Osmani është në vizitë zyrtare në Slloveni me ftesë të Ministrit të Jashtëm Anzhe Logar. Përveç takimeve të nivelit të lartë, gjatë qëndrimit të tij në Lubjanë, Ministri kishte edhe disa intervista për mediat sllovene, përfshirë Televizionin Nacional të Sllovenisë – “TV Slo”, si dhe gazetën e përditshme “Delo”. Lubjanë, 19 tetor 2020