Takimi Besimi – Al Suwaidi: mundësi për investime në sferat kyçe të parapara me Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike

Mundësitë për investime në projekte të mëdha me rëndësi të veçantë në vend janë shqyrtuar në takimin e ministrit të Financave Fatmir Besimi me drejtorin e përgjithshëm të Fondit për Zhvillim të Abu Dabit, Mohammed Saif Al Suwaidi si dhe me drejtorin për Investime të këtij Fondi, Rashed Alkabi. Takimi, edhe pse ishte planifikuar të zhvillohej në Dubai, u zhvillua online, në përputhje me masat antikrizë për të ulur shpenzimet në kohë krize.

Ministri Besimi prezantoi Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, i cili, siç theksoi ai, parasheh rritje të investimeve publike dhe private në shumë sfera prioritare, siç janë: dixhitalizimi, axhenda e gjelbër, kapitali njerëzor, inovacioni dhe zhvillimi teknologjik dhe infrastruktura fizike. Plani për përshpejtim të rritjes do të luajë rol kyç në nxitjen e vendeve të punës dhe rritjen e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut.

“Ministria e Financave dhe Qeveria kanë objektiv ambicioz por të arritshëm për të përkrahur rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar. Përpjekjet kanë për qëllim arritjen e normave  dyfish më të larta të rritjes ekonomike, me ç’rast përfitimet do t’i ndjejnë më shumë qytetarë dhe dobi do të kenë gjeneratat e tanishme ashtu edhe ato të ardhshme”, theksoi ministri në këtë takim.

Nga ana e Fondit për Zhvillim shprehën interes për t’u përfshirë në financimin e projekteve, veçanërisht në sferën e bujqësisë dhe turizmit. Dy vendet kanë potencial për ta intensifikuar bashkëpunimin, veçanërisht në sferën e bujqësisë, turizmit, investimeve, energjetikës, ndërtimtarisë dhe të ngjashme.

Fondi për Zhvillim i Abu Dabit, si një nga fondet më të rëndësishme investuese  në korniza botërore financon projekte strategjike përmes sigurimit të huave për qeveritë e vendeve në zhvillim, duke iu ndihmuar në arritjen e qëllimeve zhvillimore dhe prioriteteve. Kapitali i tyre për investime vlerësohet të jetë në vlerë prej disa miliarda dollarëve.Shumica e projekteve janë të fokusuara në sektoret nga sfera e transportit, banimit, bujqësisë, energjisë, ujit dhe industrisë së bashku me shërbimet sociale, arsimin dhe shëndetësinë.  Krahas këtyre, ky Fond kryen investime direkte në kompani të ndryshme dhe portofole private në partneritet me sektorin privat dhe publik përmes posedimit të aksioneve në pronësi të plotë ose të pjesshme. Merr pjesë edhe në investime indirekte të tregut të kapitalit përmes depozitave dhe fletobligacioneve.

Related posts

Reagim plotësues nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me incidentet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe…

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 28 nëntorit duke thënë që liria nuk…

Ali Ahmeti takon shoqatat e shqiptarëve në Kroaci: Mirënjohës Amerikës për jetë të jetëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ka takuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në…