Viti 2022, vit krize, por edhe vit i reformave sinjifikative në financat publike

Për tejkalimin e kësaj “stuhie të përsosur” dhe rikthimin e botës drejt rrugës së zhvillimit, nevojiten ndryshime në nivel mikro dhe makroekonomik, si në vendet e përparuara ashtu edhe në ato në zhvillim, theksoi kryetari i Bankës Botërore, David Malpass në fjalimin e tij në Universitetin Stanford në muajin shtator të këtij viti. Është e vërtetë se nga çdo krizë duhet të nxirren leksione dhe të kërkohen mënyra për t’i tejkaluar boshllëqet sistemike. Kjo kolumnë i dedikohet pikërisht kësaj teme, si ta përmirësojmë sistemin, ku patëm ngecje dhe ku do të vazhdojmë më tej.

Viti që po kalon solli sfida të mëdha ekonomike në botë. Në planin ekonomik, viti aktual 2022, do të mbahet mend nga bota për rritjen më të lartë të inflacionit gjatë dekadave. Kriza energjetike dhe presionet e çmimeve që u shfaqën në fund të vitit të kaluar, vazhduan edhe këtë vit dhe u intensifikuan me fillimin e luftës në Ukrainë. Që nga fillimi i pandemisë, ekonomia botërore është vazhdimisht e ekspozuar ndaj goditjeve. Sapo të tejkalohet një sfidë, vijon tjetra dhe hartuesit e politikave gjatë tre viteve të fundit janë në pozicionin që të determinohen vazhdimisht për zgjidhjen e krizave. Ashtu si shumica e qeverive në botë, ashtu edhe qeveria jonë i orientoi kapacitetet e saj në menaxhimin dhe amortizimin e rreziqeve që sjell kriza botërore, në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe social, nëpërmjet përkrahjes së qytetarëve dhe ekonomisë (7 pako të masave antikrizë që nga fillimi i pandemisë).

Por, nuk i vendosëm në plan të dytë reformat e financave publike. Përkundrazi, vazhduam njëkohësisht të punojmë në këtë drejtim, në favor të përforcimit të sistemit dhe vendosjes së bazës solide për përshpejtimin e rritjes ekonomike. Në vitin 2022, përfunduan disa reforma të mëdha në financat publike. U miratua Ligji i ri i Buxheteve (Organic Budget Law), në bazë të këtij ligji, u hartua buxheti i parë afatmesëm dhe u vendos edhe korniza për këshillin fiskal dhe rregullat fiskale. Reforma e sistemit tatimor filloi në bazë të strategjisë së njëjtë, e cila bazohet në konceptin e zgjerimit të bazës tatimore, nëpërmjet rishikimit të kostove tatimore dhe reduktimit të ekonomisë gri. Jemi konsekuent me angazhimin për konsolidim gradual fiskal me Propozim buxhetin për vitin 2023 dhe në këtë drejtim u miratua edhe Plani i qëndrueshmërisë fiskale, i cili parasheh masa për racionalizimin e shpenzimeve. U miratuan ndryshime ligjore me të cilat përforcohet decentralizimi fiskal, duke vënë në dispozicion të komunave më shumë mjete financiare, por edhe kërkohet llogaridhënie dhe transparencë më e madhe lidhur me to. Në përgatitje finale janë edhe ligjet e reja për përforcimin e kapaciteteve institucionale të institucioneve të rëndësishme në fushën e financave publike dhe revizionit shtetëror, gjegjësisht Ligji i Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe Ligji i Revizionit Shtetëror, në drejtim të rritjes së mëvetësisë së tyre. Sipas kësaj, mund të themi se viti 2022 u shënua si viti i reformave në financat publike.

Axhenda reformuese duhet të vazhdojë pavarësisht krizës

Reformat në financat publike kanë për qëllim planifikimin afatgjatë dhe të duhur të programeve të buxhetit dhe buxheteve, qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë në zbatimin e politikave, modelin më të drejtë për sa i përket të hyrave, shpenzimeve dhe mënyrës së financimit (si mbushet buxheti dhe ku shpenzohen paratë e qytetarëve), monitorimin dhe matjen e rezultateve. Një nga shtyllat kryesore të reformave të financave publike është transparenca dhe llogaridhënia, si dhe alokimi i mjeteve publike aty ku ato japin rezultate më të mëdha sipas prioriteteve të përcaktimit të politikave optimale në interes të qytetarëve dhe ekonomisë, “Vlera e parasë” (Value for money) dhe vendosja e treguesve kryesorë të performancës (Key Performance Indicators).

Reformat në financat publike janë të domosdoshme që të mund të flasim për rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza dhe përshpejtim të mëtejshëm të rritjes ekonomike. Këto janë edhe rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Rezultate të qëndrueshme, në çdo sferë, mund të arrihen vetëm nëse ekziston sistem. Tashmë jemi në fazë të avancuar të ndërtimit të sistemit të financave “të zgjuara”, që bazohet në strategji të qartë, qëndrueshmëri, përgjegjësi, reforma dhe transparencë. Ky sistem do të na ndihmojë që të sigurojmë investime të reja, vende të reja pune dhe jetesë më të mirë për qytetarët përmes rritjes së zgjuar, të qëndrueshme dhe inkluzive.

Axhenda reformuese është mirë që të zbatohet në episoda krize, sepse ato na tregojnë më së miri se në cilën pjesë të sistemit nevojiten ndryshime. Simboli i krizës në gjuhën kineze shkruhet me dy shenja – njëra paraqet rrezik dhe tjetra mundësi, që do të thotë se duhet të jemi të vetëdijshëm për kërcënimet, por edhe ta identifikojmë mundësinë për t’u përmirësuar.

Pakoja e reformës – tetë shtylla për avancimin e financave publike

Buxhetimi i ri strategjik është hap shumë i rëndësishëm reformues. Ai është një pjesë e pakos së madhe reformuese me të cilën do të krijojmë sistem të ri dhe më të mirë të financave publike. Sipas Programit të menaxhimit të reformave në financat publike, reformat i bazojmë në tetë shtylla. E para i referohet përforcimit të kapaciteteve për analiza ekonomike; Shtylla e dytë i referohet mobilizimit të të hyrave përmes politikës tatimore dhe doganore; Shtylla e tretë është planifikimi dhe buxheti; E katërta i referohet prokurimeve publike; Shtylla e pestë ka të bëjë me sistemin e financave publike të integruara; Shtylla e gjashtë i referohet kontrollit të brendshëm financiar publik; Shtylla e shtatë – kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes parlamentare, ndërsa shtylla e tetë i referohet menaxhimit të financave publike në nivel lokal.

Forcimi i kapaciteteve analitike për performancë më të mirë të financave publike

Për projektim, planifikim, zbatim dhe matje më të mirë, në radhë të parë është i domosdoshëm përmirësimi i kapaciteteve të analizës ekonomike. Të dhënat cilësore dhe diagnostifikimi i saktë i gjendjeve, janë bazë për marrjen e vendimeve reale. Rëndësi të veçantë ka rritja e kapacitetit analitik për parashikimin e të hyrave, krijimin e politikave tatimore dhe monitorimin e administratës tatimore për përmirësimin e efikasitetit në arkëtimin e të hyrave.

Gjithashtu, pjesë e prioriteteve është edhe përcaktimi i vlerësimit gjithëpërfshirës të rreziqeve fiskale, me qëllim të sigurimit të informacioneve në lidhje me kërcënimet e mundshme ndaj pozicionit fiskal të vendit dhe sigurimin e qasjes së integruar për menaxhimin e këtyre rreziqeve. Analiza e rrezikut fiskal do të kontribuojë drejt perceptimit më të mirë të pozicionit të financave publike dhe kështu sigurimin e përkrahjes së politikave prudente fiskale, si dhe përforcimin e llogaridhënies për menaxhimin e rrezikut.

Në këtë drejtim është edhe përcaktimi për krijimin e këshillit fiskal, i përcaktuar me Ligjin e ri të Buxheteve. Krijimi i këshillit fiskal do të sigurojë përmirësimin e qëndrueshmërisë së financave publike nëpërmjet vlerësimit të pavarur të politikës fiskale, strategjive ekonomike dhe zbatimit të tyre, si dhe vlerësimit të projeksioneve bazë, atyre makroekonomike dhe buxhetore të shfrytëzuara gjatë hartimit të dokumenteve strategjike lidhur me financat publike. Këtu përfshihet edhe vendosja e rregullave fiskale të përzgjedhura me kujdes dhe targetet e përcaktuara për treguesit e rreziqeve të borxhit, të cilat do të sigurojnë qëndrueshmëri mbi politikën fiskale.

Përmirësimi i mobilizimit të të hyrave

Shtylla e dytë i referohet mobilizimit të të hyrave, të cilat do të sigurojnë hapësirën e domosdoshme fiskale për manovrim dhe rritje të konsumit në drejtim të stimulimit të rritjes në periudhë afatmesme, duke përfshirë infrastrukturën, shëndetësinë dhe arsimin. Prioritetet orientohen drejt rritjes së stabilitetit, efikasitetit dhe cilësisë së sistemit të përgjithshëm të të hyrave në vend me qëllim të menaxhimit të qëndrueshëm dhe të mirë të financave publike, shërbimit profesional të obliguesve tatimorë, harmonizimit të tatimeve dhe përkrahjes së tregtisë legale përmes përforcimit të mekanizmave të kontrollit.

Në këtë drejtim është edhe Strategjia e reformës tatimore, e cila i referohet vendosjes së sistemit tatimor të drejtë, efikas dhe efektiv, që do të jetë bazë për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe arritjen e qëllimeve të caktuara të shoqërisë së zhvilluar dhe moderne. Strategjia bazohet në pesë prioritete. Prioriteti i parë i referohet drejtësisë më të madhe në tatimim, me ç’rast do të sigurojë që secili ta përmbushë detyrimin e tij shoqëror dhe ta paguajë pjesëmarrjen e tij të drejtë të tatimit.

Prioriteti i dytë i referohet efikasitetit dhe efektivitetit më të madh të sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave. Prioriteti i tretë ka të bëjë me rritjen e transparencës tatimore, me qëllim të përmirësimit të kornizës ligjore për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve, bashkëpunim ndërmjet institucioneve financiare dhe administratës tatimore, stimulim më të madh të obliguesve tatimorë për raportimin e informacioneve të përgjithshme përkatëse. Prioriteti i katërt i referohet cilësisë më të mirë të shërbimeve, respektivisht thjeshtimit dhe përshpejtimit të procedurave dhe uljes së barrës administrative.

Prioriteti i fundit i referohet vendosjes së tatimimit ekologjik (“të gjelbër”), me qëllim të stimulimit të obliguesve tatimorë për reduktimin e sjelljes dhe aktiviteteve të tyre që kontribuojnë në ndotje, dhe nga ana tjetër, stimulimin e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe stimulimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Si pjesë të reformave tatimore, Qeveria miratoi ndryshimet ligjore në Ligjin e Tatimit mbi Fitimin, Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe Ligjin e TVSH-së, në drejtim të zgjerimit të bazës tatimore dhe drejtësisë më të madhe. Në vijim, do ta shqyrtojmë modelin e tatimimit të të ardhurave të amvisërive, si model për tatimim të drejtë. Filluam gjithashtu konsultimet për vendosjen e mundshme të tatimit mbi fitimin ekstra, sipas shembullit të shumicës së ekonomive, të cilat e identifikuan atë si mënyrë “të drejtë” për sigurimin e mjeteve të nevojshme shtesë.

Buxhetimi dhe prokurimet

Shtylla e tretë i referohet planifikimit dhe buxhetit, reforma të cilat kryesisht përfshihen me Ligjin e ri të Buxheteve. Për reformat në buxhet është shkruar shumë gjatë periudhës së kaluar, kështu që tani vetëm do të përmend se me të, në thelb përmirësohet menaxhimi i financave publike, para së gjithash përmes planifikimit buxhetor afatmesëm si një nga prioritetet më të mëdha të Qeverisë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian.

Tregu i prokurimeve publike në vendin tonë arriti në 8% të PBB-së dhe 23% të buxhetit shtetëror në vitin 2020. Prandaj, përmirësimi i sistemit të prokurimeve publike do të kontribuojë drejt menaxhimit më të mirë të financave publike, sigurisë ligjore për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e prokurimeve publike, stimulimit të konkurrencës dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. Shfrytëzimi i potencialit të plotë të platformës së prokurimeve elektronike duhet të jetë kyçe në përpjekjet e përmirësimit të transparencës dhe rritjes së besimit në sistemin e prokurimeve publike. Gjithashtu, nevojitet përforcimi i kapaciteteve institucionale dhe avancimi i të dhënave statistikore dhe analizave të të dhënave të hapura. Strategjia për zhvillimin e sistemit të prokurimeve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2022-2026 përcakton masat për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të prokurimeve publike.

Platformë e përbashkët e centralizuar elektronike për financa të integruara dhe efikase

Shtylla e pestë në reformën e financave publike është gjithashtu pjesë e Ligjit të ri të Buxheteve dhe i referohet Sistemit të Integruar Informativ të Menaxhimit të Financave – IFMIS. Ky sistem duhet të përmirësojë efikasitetin dhe transparencën e operacioneve të menaxhimit të financave publike nëpërmjet tranzicionit nga sistemet ekzistuese të fragmentuara dhe të pandërlidhura në platformë të përbashkët të centralizuar, të bazuar në ueb. IFMIS-ja pritet që ta përkrahë modifikimin e kornizës ligjore dhe institucionale të buxhetit dhe të reagojë ndaj sfidave ekzistuese nëpërmjet zgjerimit të përfshirjes në fushën e monitorimit të realizimit të buxhetit dhe raportimit fiskal, duke përfshirë të gjitha fazat e ciklit të shpenzimeve (nga prokurimi deri në pagesë), si dhe duke pasur pasqyrë të konsoliduar të shpenzimeve publike në kohë.

IFMIS-ja do të mundësojë, ndër të tjera, krijimin e kornizës shumëvjeçare, vendosjen e funksionit të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me sistemin e ardhshëm të investimeve publike dhe private, sistemin e automatizuar për monitorimin e detyrimeve, përfshirë detyrimet shumëvjeçare dhe të dhënat e centralizuara për detyrimet e ndërmarra, menaxhimin e mjeteve fikse dhe menaxhimin e borxhit. Në vazhdimësi, integrimi i tij do të mundësojë qasje gjithëpërfshirëse dhe në kohë në të dhënat e financave publike të cilat do të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit në projektimin e likuiditetit dhe menaxhimin e flukseve financiare në raport me buxhetin.

Në kuadër të kësaj shtylle parashihet përforcimi i kontabilitetit të buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetorë me zbatimin e praktikave të reja kontabël, respektivisht vendosjen e kontabilitetit të modifikuar të parave të gatshme. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve do të punojmë në përmirësimin e raportimit financiar dhe paraqitjes reale të detyrimeve të ndërmarra dhe të pashlyera të buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetorë. Sa i përket ngritjes së kapaciteteve është edhe themelimi i Akademisë së Financave Publike, përmes së cilës do të zhvillohen trajnime dhe provime për kontabilistët e autorizuar në sektorin publik. Një nga sfidat gjatë tre viteve të ardhshme do të jetë trajnimi dhe certifikimi i të gjithë kontabilistëve nga sektori publik.

Megjithatë, roli i Akademisë së Financave Publike do të jetë shumë më i gjerë se trajnimi dhe certifikimi i kontabilistëve. Përkatësisht, përmes akademisë do të sigurohet edukimi i vazhdueshëm i administratës publike në fushën e menaxhimit të financave publike dhe krijimi i administratës moderne dhe kompetente për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, certifikimi dhe licencimi për revizorët e brendshëm dhe inspektorët financiarë në periudhën paraprake është kryer pjesërisht dhe nuk ka pasur vazhdimësi të caktuar. Nëpërmjet akademisë do të sigurohet vazhdimësia e këtyre proceseve dhe zbatimi i tyre.

Përforcimi i kontrollit të brendshëm financiar publik

Shtylla e gjashtë e Programit të menaxhimit të reformës së financave publike i referohet kontrollit të brendshëm financiar publik. Përforcimin e efektivitetit të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik do ta arrijmë nëpërmjet rritjes së efektivitetit të kontrollit të brendshëm, përforcimit të efektivitetit të revizionit të brendshëm në sektorin publik dhe përmirësimit të funksionit të inspektimit financiar. Nëpërmjet masave dhe aktiviteteve të planifikuara do të përmirësohet rregullativa ligjore dhe nënligjore, me ç’rast do të vendosen modele për monitorimin e efikasitetit dhe performancës së inspektorëve financiarë dhe shpërblimin e tyre, si dhe matjen e rritjes së vlerës së shtuar të funksionit të inspektimit financiar.

Kontrolli dhe mbikëqyrja e jashtme

Shtylla e shtatë është kontrolli i jashtëm dhe mbikëqyrja parlamentare. Prioritetet tona si qeveri orientohen në përforcimin e mëvetësisë dhe efikasitetit të revizionit shtetëror, me qëllim të menaxhimit më të mirë të financave publike, transparencës dhe llogaridhënies më të madhe për shfrytëzimin e mjeteve publike, përmes përforcimit të kornizës ligjore për revizionin e jashtëm me arritjen e mëvetësisë kushtetuese të Entit Shtetëror të Revizionit dhe përforcimin e mëvetësisë financiare dhe operative në përputhje me parimet. Me vendosjen e mekanizmit efektiv për shqyrtimin e raporteve të revizionit në Kuvend, do të përforcohen efektet e revizionit, llogaridhënies dhe transparencës në shfrytëzimin e mjeteve publike.

Decentralizimi fiskal

Angazhimi për decentralizimin e vetëqeverisjeve lokale, përmirësimin e kapaciteteve të tyre dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies është gjithashtu një nga prioritetet në reformat e financave publike, respektivisht shtylla e tetë dhe e fundit në të cilën bazohet reforma. Në këtë drejtim, së fundi miratuam ndryshime në Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, me të cilat bëhen reforma kyçe në drejtim të sigurimit të më shumë mjeteve për pushtetet lokale përmes rritjes së pjesëmarrjes së tatimeve të arkëtuara në komunë nga pushteti qendror, por edhe në drejtim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës. Komunat janë kompetente për shumë fusha të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, si arsimi, mbrojtja sociale, mjedisi jetësor, shërbimet komunale dhe për këtë arsye është thelbësore të ketë financa stabile. Si rrjedhojë, me këtë reformë fuqizohen dukshëm kapacitetet e tyre fiskale, por njëkohësisht detyrohen për disiplinë më të madhe fiskale, punë të përgjegjshme dhe transparente.

Rritja e disiplinës financiare të komunave mund të arrihet përmes planifikimit real të të hyrave dhe shpenzimeve, racionalizimit në punë dhe zvogëlimit të shpenzimeve të panevojshme, servisimit të rregullt të detyrimeve, disiplinës më të madhe financiare, procedurave për shpalljen e jostabilitetit financiar dhe analizës së detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike. Rritja e kontrollit nga shteti do të sigurohet përmes mbikëqyrjes që do të kryejë inspektimi financiar lidhur me respektimin e dispozitave të Ligjit të Raportimit dhe Evidentimit të Detyrimeve, Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe Ligjit të Disiplinës Financiare, ndërsa rritja e transparencës së komunave do të bëhet përmes publikimit të raporteve financiare në mënyrë transparente dhe të qartë.

Investimet në burimet njerëzore – kruciale për zbatimin e reformës

Në secilën prej shtyllave, forcimi i kapaciteteve njerëzore ka rëndësi të veçantë për mundësimin e zbatimit të reformave. Për shembull, ekipi i Ministrisë së Financave, si institucion kompetent për procesin reformues në financat publike, që nga fillimi i krizës ka punuar paralelisht në aktivitete të rregullta dhe në projektimin e masave të caktuara për përballimin e krizës, sigurimin e mjeteve në kushte specifike, por edhe në axhendën reformuese për përmirësimin e sistemit të financave publike.

Prandaj edhe pse konteksti është i qartë, do të theksoj edhe një herë se investimet në burimet njerëzore do të jenë kruciale në zbatimin e axhendës ambicioze. Me vendosjen e bazave dhe krijimin në themel të një sistemi më të mirë të financave publike, edhe ekonomia që do të krijohet mbi të do të jetë më rezistente, më e qëndrueshme dhe me rritje më të shpejtë. Qëllimi final mbetet i njëjtë – rritje e përshpejtuar për zhvillim ekonomik dhe standard më të mirë jetese për qytetarët tanë në vendin tonë.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…