Xhaferi: Kjo festë e rëndësishme është thellë e ngulitur në memorien historike kombëtare

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së flamurit shqiptar në Akademinë solemne të organizuar nën patronatin e kreut të BDI Ali Ahmeti, mbajti fjalim rasti ku para të pranishmëve theksoi se Pa dyshim se kjo festë e rëndësishme është thellë e ngulitur në memorien historike kolektive kombëtare dhe në zemrat e të gjithë pjesëtarëve të popullit shqiptar, kudo që të gjinden të shpërndarë anembanë botës dhe sot, kur shënojmë 110 vjetorin prej ditës kur diplomati i shquar Ismail Qemali, bashkë me delegatë nga qytetet e ndryshme shqiptare e ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, është më se e përshtatshme që me ndjenjë krenarie kombëtare ta nderojmë si simbol të rilindjes kulturore kombëtare të shqiptarëve.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Është kënaqësi që sot, në këtë Akademi solemne në kuadër të kremtimit të Ditës së flamurit – 28 Nëntorit, me gëzim të veçantë, të drejtoj në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, urime të përzemërta ndaj të gjithë të pranishmëve këtu në këtë sallë, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve në vend dhe anembanë botës. Urime të përzemërta edhe ndaj Republikës së Shqipërisë, institucioneve dhe qytetarëve të saj. Pa dyshim se kjo festë e rëndësishme është thellë e ngulitur në memorien historike kolektive kombëtare dhe në zemrat e të gjithë pjesëtarëve të popullit shqiptar, kudo që të gjinden të shpërndarë anembanë botës dhe sot, kur shënojmë 110 vjetorin prej ditës kur diplomati i shquar Ismail Qemali, bashkë me delegatë nga qytetet e ndryshme shqiptare e ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, është më se e përshtatshme që me ndjenjë krenarie kombëtare ta nderojmë si simbol të rilindjes kulturore kombëtare të shqiptarëve. Edhe sot, jemi tubuar këtu për të kremtuar bashkë, njëlloj si që jemi bashkë në përcaktimet tona strategjike dhe aspiratat tona euroatlantike. Jemi bashkë në NATO, do të jemi bashkë edhe në Bashkimin Evropian, sepse përcaktimi ynë i përbashkët shtetëror dhe rajonal për integrimin evropian është udhërrëfyesi i vetëm i cili na motivon të punojmë me përkushtim dhe në mënyrë të palodhshme për tu bërë sa më shpejtë pjesë e familjes së madhe evropiane. Atje, bashkë, me vlera dhe standarde të njëjta do të kontribuojmë për një botë më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Të nderuar të pranishëm,

Jetojmë në kohëra sfidash në çdo aspekt. Sfida që filluan me krizën shëndetësore, që mandej të ndërlidhet agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë dhe vështirësitë ekonomike, energjetike, ushqimore që janë pasojë e kësaj lufte. Pikërisht për këtë, bashkimi dhe bashkëveprimi janë mënyra e vetme me të cilën mund të  tejkalojmë çdo pengesë, andaj, eurointegrimi nuk ka alternativë, është drejtimi i vetëm. Shqiptarët në vend, bashkë me të gjithë qytetarët tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe gjithë rajoni i Ballkanin Perëndimor moti jemi përcaktuar për ndërtimin e shoqërive me vlera të pranuara universale për të drejtat dhe liritë e njeriut. Jemi në një anije, udhëtojmë drejt një caku dhe me rëndësi është të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ajo anije të mbajë baraspeshën e duhur. Posaçërisht tani kur kemi arsye akoma më serioze për të bashkuar forcat, kemi vullnetin e mirë dhe veprojmë konkretisht duke u solidarizuar me popullin ukrainas sepse, shqiptarët e kanë të njohur luftën, vuajtjen dhe drojën për jetën e më të dashurve.

Të dashur miq, edhe një herë drejtoj urime të sinqerta për sukses dhe përparim të shqiptarëve kudo që të jenë, ndërsa festa, siç është në fakt edhe gjithë Nëntori, le të jetë arsye për ndjenjë krenarie dhe gëzimi për gjithë atë që kemi qenë, jemi dhe do të jemi në të ardhme.

Faleminderit për vëmendjen.

Gëzuar 28 Nëntori – Dita e flamurit!

Related posts

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…

Ali Ahmeti priti ambasadorin europian Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin e Bashkimit Europian z. Mihalis Rokas. …

Ali Ahmeti takoi ambasadorin turk Fatih Ulusoy

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin turk z. Fatih Ulusoy. Kryetari Ahmeti…