Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot gjatë vizitës së tij të punës në Manastir, vizitoi disa institucione të arsimit të lartë. Xhaferi realizoi takim me rektorin e Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” dhe e vizitoi Fakultetin Pedagogjik në Manastir, si dhe Fakultetin e Shkencave Teknologjike dhe të Komunikimit – FSHTK. Në Rektoratin e Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, u takua me rektorin, prof. dr. Igor Nedelkovskin. Në takim, Kryeministri u informua me funksionimin, aktivitetet aktuale dhe planet e ardhshme të këtij institucioni të arsimit të lartë.
“Kam kënaqësinë që mund nga afër të sigurohem në atë se cilat janë parakushtet bazë për punën e kuadrit akademik, të profesorëve, veçanërisht të studentëve. Nga afër pashë se cilat janë kushtet dhe diskutuam se cilat janë mundësitë për mbështetjen e mëtejshme nga Qeveria dhe institucionet qeveritare për këto institucione të rëndësishme nga fusha e arsimit. Biseduam edhe për marrëveshjet kolektive, ndonëse për këtë kemi folur shumë herë më parë dhe shkëmbyem informacione përkatëse sa i përket rrjedhës së këtij aktiviteti konkret”, tha Kryeministri Xhaferi.
Kryeministri e vizitoi edhe Fakultetin Pedagogjik në Manastir, ku realizoi takim me udhëheqësinë dhe kuadrin akademik të Fakultetit. Në takim u konstatua se ky institucion i arsimit sipëror ka nxjerrë breza të tërë të mësuesve, arsimtarëve dhe edukatorëve dhe është një institucion që në vazhdimësi është zhvilluar, duke filluar nga një akademi deri në një fakultet në hap me kohën dhe sipas nevojave arsimore të vendit.
Kryeministri Xhaferi vizitoi edhe Qendrën Informative të Studentëve, e cila është pikë për lidhjen e më shumë studentëve me interesa të ndryshme, të ngjashme dhe të njëjta dhe që u ofron një gamë të gjerë të aktiviteteve, trajnimeve, stërvitjeve, konferencave, garave dhe ngjashëm.
Qeveria, në periudhën e kaluar, me miratimin e Ligjit të ri për arsim sipëror, siguroi më shumë të drejta dhe mundësi për kuadrin akademik, me çka e garantoi lirinë e veprimit dhe të shprehjes së tyre, si për kuadrin mësimor e shkencor, ashtu edhe për studentët. Qeveria e avancoi edhe standardin e studentëve, ndërsa përmes MASH-it ndahen disa kategori të ndryshme bursash shtetërore në baza të ndryshme.