Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadoren e Konfederatës zvicerane në Shkup, Sibil Zuter Tehada.Siç thuhet në komunikatën e kabinetit të Xhaferit, ai ka potencuar se i çmon lartë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet politike ndërmjet dy shteteve, që karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim, me dialog të hapur dhe intensiv.“Përveç kësaj, çmohet lartë edhe mbështetja e vazhdueshme që Konfederata Zvicerane e jep në procesin e integrimeve evropiane, edhe pse ajo vetë nuk është anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ai e përshëndeti edhe Programin zviceran për dhënien e bursave për përkryerjen profesionale të punësuarve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me konkursin e hapur për regjistrim në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, kuptohet, për ato që janë të interesuar për përkryerje dhe zhvillim të mëtutjeshëm. Kryetari gjithashtu theksoi se Kuvendi edhe në këtë mandat do të vazhdojë me një ritëm të përshpejtuar ti realizojë interesat strategjike të shtetit, në drejtim të politikës së mirë fqinjësore, zhvillimit të bashkëpunimit në rajon, obligimet nga anëtarësimi në NATO, si edhe procesi i integrimit në BE”, theksohet në kumtesë.Ambasadorja Tehada nga ana tjetër e ka përgëzuar Xhaferin për rizgjedhjen kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe potencoi se ambasada e Konfederatës zvicerane në Shkup, do të vazhdojë të bashkëpunojë me dhomën ligjvënëse në zbatimin e projekteve aktuale por edhe të reja.Xhaferi madje e pranuar ofertën e hapur nga ana e ambasadores zvicerane të jetë pjesë e Këshillit Këshillëdhënës të Projektit të ri ndërmjet dy vendeve për “Reformat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Ky projekt, krahas asaj që kontribuon në stabilitetin e procesit zgjedhor në vendin tonë, i njëjti e përforcon edhe besueshmërinë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.Xhaferi dhe ambasadorja Tehada këmbyen mendime rreth prioriteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, respektivisht nevojën për nxjerrjen e ligjeve reformuese në vigjilje të konferencës ndërqeveritare për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në takim u bë fjalë edhe për domosdoshmërinë e mundësimit të punës alternative të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kushte të pandemisë ose gjendjeve tjera të paparashikueshme.“Bashkëbiseduesit e theksuan bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasadës Zvicerane, me qëllim të përforcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik dhe shprehën gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në këtë plan”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Xhaferit.