Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Xhoana, në kuadër të vizitës së punës në selinë e NATO-s në Bruksel, zhvilluan takim të përbashkët. Në takim u potencua roli i Maqedonisë së Veriut si faktor i stabilitetit në rajon.
Në takim u bisedua për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe sigurinë globale dhe zhvillimet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Kryeministri Xhaferi theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në zonën Euro-Atlantike, si një nga anëtarët më të rinj, jo vetëm si faktor ndikues i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por edhe me pjesëmarrje aktive në misionet e NATO-s në Kosovë, Irak, EUFOR ALTEA në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në grupet luftarake të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari.
Në përputhje me përkushtimin për investime në mbrojtje dhe në përputhje me vendimin e NATO-s nga Samiti në Vilnius, Republika e Maqedonisë së Veriut nga ky vit ndan së paku 2% të PBB-së për buxhetin e mbrojtjes, nga të cilat 30% është për modernizimin e Armatës. Kështu, Maqedonia e Veriut është ndër vendet anëtare të NATO-s që kanë arritur përkushtimin, i cili është baza për zbatimin efektiv të planit më të fuqishëm të mbrojtjes të NATO-s. Në mënyrë plotësuese, Maqedonia e Veriut vazhdon me mbështetjen e fuqishme për Ukrainën në luftën e saj për lirinë dhe paqen e popullit ukrainas, dhe kundër tmerreve që agresioni ushtarak rus po shkakton ende në territorin e Ukrainës.
Në takim u bisedua edhe për 75-vjetorin e ardhshëm të Aleancës. Në vitin më sfidues për Aleancën që nga krijimi i saj, NATO u zgjerua me një tjetër anëtar – Finlandën, dhe së shpejti me një anëtar tjetër – Suedinë, duke e bërë Aleancën më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.
Duke marrë parasysh zgjedhjet e ardhshme në të cilat do të vendosin më shumë se 2 miliardë qytetarë anembanë botës, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, në takim u diskutua edhe për sfidat që presin në periudhën zgjedhore, për të cilat fokusi është vendosur në forcimin e trajtimit të kërcënimeve hibride, dezinformimi dhe mbrojtja kibernetike.