Qeveria vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e synimeve strategjike, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të Maqedonisë së Veriut me qëllim plotësimin e obligimeve që dalin pas anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive gjatë takimit të sotëm me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj.Rejçell Gallouej. Grubi gjatë takimit me ambasadoren Gallouej u shfaq optimist se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të shfaqë një mozaik të Republikës së Maqedonisë së Veriut në aspektin e përfaqësimit dhe veçorive të të gjitha bashkësive etnike. Zëvendëskryeministri i parë para ambasadores britanike potencoi se përfaqësimi i drejt dhe adekuat është e drejtë kushtetuese dhe që duhet respektuar parimi: “Sa më shumë të jetë lojal shteti ndaj qytetarëve, aq më shumë qytetarët do të jetë lojal ndaj shtetit.” Grubi gjithashtu gjatë këtij takimi i tha ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar znj.Rejçell Gallouej se rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihen vetëm me transparencë të plotë dhe përmes vetingut të bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve. Grubi në këtë takim nuk ka lënë pa përmendur edhe rastin e Sopotit, Monstrës, Alfa, dhe Almirit të vogël. Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar znj.Rejçell Gallouej dhe Grubi folën edhe për transparencën dhe funksionimin e institucioneve gjatë periudhës së pandemisë dhe angazhimin e tyre për tu përballur me të. Gjatë takimit mes zëvendëskryeministrit të parë Grubi dhe ambasadorja Gallouej u shkëmbyen mendime edhe për gjendjen aktuale të shkaktuar nga pandemia me COVID-19, pasojat nga kjo gjendje mbi ekonominë dhe gjitha proceset e rëndësishme demokratike në vend. Të dy bashkë u pajtuan se reformat në vend nuk mund të jenë viktimë e krizës së shkaktuar nga Covid-19 dhe se të njëjtat duhet të realizohen pa asnjë ndërprerje. Bashkëbiseduesit, znj.Gallouej dhe z.Grubi shkëmbyen mendime dhe për tema tjera politike në vend dhe më gjerë.