Nga sot, më 1 janar 2023, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht e fillon Kryesimin e OSBE-së – Organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e cila përfshin 57 shtete pjesëmarrëse nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani do të kryesojë këtë organizatë të rëndësishme multilaterale e cila punon në aspekte gjithëpërfshirëse të sigurisë që kanë të bëjnë me dimensionet politiko-ushtarake, ekonomike-mjedisore dhe atë njerëzor. Përmes qasjes së saj unike, OSBE-ja kontribuon në paqen rajonale, bashkëpunimin dhe zhvillimin e përgjithshëm.
Nën sloganin ” për njerëzit bëhet fjalë “, fokusi i presidencës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset në sigurinë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale.
“Fokusi ynë, si vend kryesues, do të jenë misionet në terren. Do të ndërmarrim dhe mbështesim aktivitete konkrete me qëllim lehtësimin e jetës së njerëzve, avancimin e të drejtave dhe lirive të tyre”, theksoi Osmani.
Përveç fokusit në rajonet e krizës, dhe mbi të gjitha, agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, prioritetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese do të jenë riafirmimi i përfitimeve të OSBE-së dhe ripërtëritja e dialogut dhe besimit, si dhe investimi në paqen dhe qëndrueshmërinë e OSBE-së, si mënyra më e mirë për t’u përballur me sfidat e sigurisë. Me këtë, Maqedonia e Veriut afirmohet si veprues aktiv në gjenerimin e stabilitetit në kontekst më të gjerë rajonal.
“2023 do të jetë vit i rëndësishëm për pozitën ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Forcimi i profilizimit ndërkombëtar nënkupton investim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, mundësi të reja për të rinjtë dhe stabilitet. Në kushtet e luftës në rajonin e OSBE-së dhe marrëdhënieve politike komplekse mes vendeve pjesëmarrëse, do të fokusohemi në uljen e tensioneve, rikthimin e besimit, prosperitetin dhe sigurinë e njerëzve në përgjithësi”, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesuesi i OSBE-së në vitin 2023, Bujar Osmani në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar publikut.
“Maqedonia e Veriut deri më tani shpesh herë e ka treguar kapacitetin e saj, se përmes dialogut politik, mjeteve demokratike dhe udhëheqjes demokratike, i realizon qëllimet e veta si në aspektin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Tani kemi mundësi që me pjekurinë dhe njohuritë tona të jemi lojtar kyç, të udhëheqim dhe të kontribuojmë në politikat dhe proceset ndërkombëtare”, theksoi ministri Osmani.
Kryesimi Maqedonisë së Veriut me OSBE-në do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023. Ministri Osmani do ta prezantojë programin e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë më 12 janar.