Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me kolegun e tij bullgar, Nikollaj Millkov, sot në Sofje kanë vizituar shtetasin e lënduar nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Pendikov, i cili të enjten është sulmuar fizikisht në Ohër.
Osmani duke shprehur keqardhje për incidentin i ka uruar shërim të shpejtë Pendikovit. Ministri e shfrytëzoi vizitën për të riafirmuar dënimin e tij për incidentin, duke shprehur besimin se rasti do të zbardhet shumë shpejt.
“Më vjen keq për këtë incident. Një akt i tillë nuk pasqyron vlerat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shoqërisë sonë multietnike dhe Maqedonia e Veriut do të kujdeset që të ketë zero tolerancë ndaj dhunës, për çfarëdo problemi e më së paku ndaj bashkëjetesës ndëretnike që është diçka e shenjtë që ne e kemi ndërtuar në 30 vitet e fundit. Shteti do të sigurojë që të krijohet një atmosferë e zero tolerancës ndaj dhunës. Duhet ta ndalojmë këtë cikël të provokimeve dhe dhunës nga të dyja palët dhe të ndikojnë në agjendën tonë pozitive”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut do t’i ketë të gjitha të drejtat, liritë dhe privilegjet si çdo komunitet tjetër, duke theksuar se nuk do të lejohet mohimi i komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç nuk do të lejohet mohimi i popullit maqedonas. Dhe, së bashku bullgarët, shqiptarët, turqit dhe të tjerët do të jetojnë njëlloj të lirë.
“Çdo ardhje e politikanëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut me qëllim të fyerjes së popullit maqedonas, mohimit të popullit maqedonas, do të duhet ta trajtojmë seriozisht dhe kjo do të jetë vizita e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen. Ai rreth vicioz në të cilin jemi duhet të ndalet”, shtoi Osmani.