Bashkimi Europian për standard më të mirë dhe hapje të perspektivave të reja

“Do të vijë dita kur tregjet e hapura për tregti dhe shkëmbim të ideve do të jenë e vetmja fushëbetejë” – Viktor Hygo

Ideja e Evropës së bashkuar daton shumë më herët në histori, por një nga propozimet e para për bashkim paqësor përmes bashkëpunimit dhe barazisë së anëtarëve u dha nga shkrimtari i famshëm francez Viktor Hygo në vitin 1851. Ai shprehet me vizion se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Evropës do të bashkëpunojnë përtej Oqeanit dhe do të shkëmbejnë produkte, art dhe arritje të mendjeve gjeniale…”. Pasojat katastrofale të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore dhe nevoja për ta rindërtuar Evropën dhe ekonominë evropiane kontribuan në lidhjen e një pjese të ekonomive evropiane në një komunitet të ri. Me nënshkrimin e Traktatit të Parisit (1951) nga Gjermania, Franca, Italia dhe Beneluksi, u themelua Komuniteti Evropian për Thëngjill dhe Çelik, i cili filloi të funksionojë në vitin 1952. Që atëherë, ekonomia dhe interesi ekonomik, si dhe dëshira e përbashkët për paqe, siguri dhe të drejta të njeriut, ishin objektivat për bashkimin e vendeve evropiane. Me Traktatin e Romës (1957, që hyri në fuqi në vitin 1958), u krijua Komuniteti Ekonomik Evropian ose unioni i parë i plotë doganor, i quajtur jozyrtarisht – tregu i përbashkët. Me kalimin e kohës, ky komunitet evoluoi në Bashkimin Evropian, 28 vende anëtare (aktualisht 27 vende), një bashkim ky heterogjen i kulturave, gjuhëve dhe historive, të gjitha të bashkuara me synime të përbashkëta për kushte më të mira jetese për qytetarët.

Rregulla dhe standarde

Sipas Ezopit, bashkimi bën fuqinë dhe jep rezultate më të mira – përralla e babait që u tregoi djemve të tij se thupra thyhet lehtë, ndërsa një grumbull thuprash bashkë thyhen vështirë, kjo reflekton edhe thelbin e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst të fabulës, sipas përrallës së mrekullueshme evropiane multikulturore, pacifiste dhe të orientuar drejt zhvillimit, ia vlen të nënvizohet se po vendosen disa kushte që vendet duhet t’i përmbushin për t’u bërë pjesë e tij. Në legjislacionin mbinacional (Acquis communautaire), ose “BE, ashtu siç është”, përfshihen të drejtat dhe detyrimet që i bashkojnë anëtarët në BE. Nëpërmjet kritereve të anëtarësimit, Bashkimi Evropian stimulon ndryshimin dhe përshtatjen e legjislacionit, politikave dhe institucioneve të vendit kandidat, me qëllim të arritjes së vlerave dhe normave që ekzistojnë në të. Për t’u bërë anëtar i BE-së, vendi kandidat duhet të përmbushë kriteret politike, për sa i përket stabilitetit të institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve, kriteret ekonomike në lidhje me ekzistimin e ekonomisë funksionale të tregut, si dhe kapacitetet për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe fuqitë e tregut që mbizotërojnë në BE. Nga vendet që aspirojnë anëtarësimin, pritet aftësia për të marrë përsipër detyrimet që vijnë si rezultat i tij, duke përfshirë respektimin e qëllimeve të bashkimit politik, ekonomik dhe monetar, që kërkon gjithashtu kapacitet të mjaftueshëm administrativ të vendit kandidat për ta transponuar legjislacionin evropian në atë nacional, për zbatimin e tij. Të gjitha kriteret për anëtarësim në BE, si ato politike, ekonomike dhe juridike, ose të njohura si kriteret e Kopenhagës, plotësohen me kriteret e Madridit, me të cilat vendet kandidate i përshtaten strukturave administrative, respektivisht harmonizimit të legjislacionit nacional me atë evropian, por kjo është e pamjaftueshme. Nevojitet që vendet kandidate të krijojnë kapacitete administrative që do të jenë të mjaftueshme për ta zbatuar këtë aspekt.

Procesi i integrimit

Shkurtimisht lidhur me procedurat, me qëllim që t’i jap kontekst gjithë këtij shtjellimi. Procesi i harmonizimit, zhvillohet përmes procesit të skriningut, ku KE-ja prezanton legjislacionin e përgjithshëm që vendi duhet ta transponojë në legjislacion nacional për çdo kapitull, veç e veç, ndërsa vendi kandidat prezanton arritjet e deritashme. Pas hartimit të raportit të skriningut të përfunduar (Screening Report) nga Komisioni Evropian, sipas konstatimeve, ku përfshihen të gjitha mangësitë sa i përket legjislacionit dhe kapacitetit administrativ dhe të cilat nevojiten që të plotësohen gjatë negociatave, hapen kapitujt e negociatave, me vendim të Këshillit të BE-së. Gjatë negociatave, vendi detyrohet që me afate të kryejë harmonizimin me legjislacionin evropian. Pas përfundimit të negociatave, përcaktohet data për anëtarësim të plotë në BE. Hapi i ardhshëm, ose faza e tretë, është kur vendi do të jetë i gatshëm që të hyjë në Bashkimin Monetar Evropian, përkatësisht ta miratojë monedhën euro si mjet pagese.
Si profesor i shkencave ekonomike, sipas vokacionit, pranoj se mund të argumentoj gjerësisht sa i përket hyrjes, por kjo kolumnë është e arsyetuar në mënyrë kohore dhe përmbajtësore, duke pasur parasysh se gjatë muajve të fundit, administrata jonë dhe përfaqësuesit tanë të institucioneve, në Bruksel, po punojnë aktivisht mbi procesin e skriningut. Përkundër ngjarjeve politike, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit, sepse aktualisht BE-ja identifikon përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për anëtarësim dhe kryerjen e detyrave. Sfidat janë të mëdha, pavarësisht momentit politik, vijojnë punë serioze përpara. Për shkak se rrugëtimi është po aq thelbësor sa dhe destinacioni, ku çdo hap përpara është përfitimi ynë.
Do të theksoj se edhe në kushte të krizës afatgjate, përkatësisht kombinimit të disa krizave me efekte të mëdha, të njëkohësishme, ekonomike, tani më shumë se kurrë është e nevojshme përkrahja e ndërsjellë e vendeve dhe tejkalimi i problemeve me forca të përbashkëta.

BE – tërësi që është më shumë se shuma e pjesëve të saj

Le t’u referohemi arsyeve dhe përfitimeve praktike nga anëtarësimi në BE, sa i përket shtytësit kryesor të këtij bashkimi – ekonomisë. Ka disa tregues makroekonomik, që tregojnë efektin pozitiv të BE-së gjatë periudhës para dhe pas anëtarësimit. Edhe në vetë procesin e para anëtarësimit, vërehen zhvillime pozitive te vendet (në këndvështrimin e izolimit të efekteve nga fazat e ciklit ekonomik). Para së gjithash, anëtarësimi në BE, do të thotë hyrje në një treg prej mbi gjysmë miliardë konsumatorësh. Fuqia ekonomike e BE-së reflektohet edhe në tregtinë dhe investimet e huaja direkte, me 16% të tregtisë së përgjithshme globale. Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE nënkupton hyrje në një treg 25 herë më të madh, PBB nominale pesë herë më të lartë për frymë të popullsisë (me ç’rast PBB-ja reale për banor në ekonominë tonë është rreth 40% nga PBB-ja e BE-së sipas Eurostat-it), si dhe me shkallë dukshëm më të ulët të papunësisë. Sipas një studimi të bërë në vitin 2014 (Coricelli, Moretti, Campos) ku rezultatet janë marrë duke shfrytëzuar një sërë të dhënash nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar dhe të dhënave nga zgjerimi në vitin 2004, rezultojnë përfitime shtesë prej 12% mbi PBB-në aktuale për frymë të popullsisë. Ka shumë punime shkencore kushtuar vlerësimit të përfitimeve ekonomike të Bashkimit Evropian, për shembull, në njërin prej tyre theksohet se PBB-ja për banor në BE do të ishte për një të pestën më e ulët, nëse nuk do të kishin ndodhur integrimet e viteve 50-ta (Badinger, 2005). Në punimet e tjera përcaktohen, gjithashtu efektet e larta të anëtarësimit ndaj rritjes, por gjithashtu paralajmërohet heterogjeniteti i ekonomive si faktor. Po ashtu, studime janë bërë edhe për Komisionin Evropian në vitin 2019 në lidhje me përfitimet e tregut të përbashkët të BE-së, që ndryshe nga çdo marrëveshje tjetër e tregtisë së lirë është i hapur për të gjithë sektorët dhe individët. Sipas tyre, vlerësimet janë se produkti i brendshëm bruto i BE-së do të ishte për 9% më i ulët, nëse nuk do të kishte integrim të plotë në tregun unik, që do të thotë mesatarisht rreth 840 euro më pak të hyra vjetore për banor. Duke analizuar veçmas vendet anëtare, kjo shifër varion, por varion nga 193 euro për banor në Bullgari, deri në 2.834 euro në Luksemburg. Sa i përket këtij këndvështrimi, çdo vend anëtar është më mirë në BE se jashtë, gjë që tregon se BE-ja krijon vlera të reja, respektivisht vlerë të shtuar me eksternalitete pozitive. Siç do të thoshte Aristoteli “tërësia është më shumë se shuma e pjesëve të saj”.
Duke bërë analizë krahasuese të vendeve anëtare që iu bashkuan zgjerimeve të fundit të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendet e reja anëtare kanë normë më të lartë rritjeje dhe po i afrohen standardit të jetesës në BE më shpejt, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Tek vendet e reja anëtare, gjithashtu vërehet produktivitet më i lartë i punës. Klima e biznesit në vendet e reja anëtare është më e favorshme, e analizuar mesatarisht sipas Raportit të të bërit biznes (Doing Business), ndërkohë që vërehet progres më i shpejtë në reformat strukturore për zhvillimin e sektorit privat. Shtetet e reja anëtare të BE-së tregojnë progres më të madh në aspektin e demokracisë institucionale dhe qeverisjes së mirë – lirinë e shprehjes, stabilitetin politik, si dhe cilësinë e rregullatorëve, efektivitetin e qeverisjes, sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit, nëse krahasohet me Indeksin global të qeverisjes së mirë.

BE me vlerë të shtuar dhe eksternalitete pozitive

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka avantazhe të tjera ekonomike dhe joekonomike, të cilat mund të jenë më të vështira për t’u kuantifikuar, por ndikojnë në performancën ekonomike të vendit. Një shembull i tillë është adresimi i përbashkët i çështjeve si ndryshimet klimatike dhe ndotja e tokës dhe ujit, që përmirëson efikasitetin dhe efektivitetin e veprimit krahasuar me atë që do të kufizohej në kufinjtë nacional. Gjithashtu, një shembull i tillë është edhe lufta e përbashkët kundër korrupsionit, kontrabandës dhe parandalimit të pastrimit të parave. Këtu përfshihet edhe shkëmbimi ndërkufitar i informacioneve në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, në aspekt të sigurisë së tyre dhe si qytetarë të BE-së, por edhe drejt sigurisë së tyre si konsumatorë. Në fund, por sigurisht më e rëndësishmja është se siguria e ofruar nga BE-ja është vlerë e shtuar në të gjitha segmentet e ekonomisë. Në këtë shtrirje nuk mund të anashkalohet as rëndësia e anëtarësimit në NATO, veçanërisht në kontekstin e sfidave të sigurisë globale nga sulmet hibride dhe trazirat gjeostrategjike me agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar që, përveç dëmeve njerëzore dhe ekonomike, ngërthen edhe shumë pasiguri të tjera.

Fondet e BE-së dhe financat publike

Si ministër i Financave do t’i referohem sistemit të menaxhimit me financat publike. Me krenari, mund të theksoj se kemi hedhur hapa të rëndësishëm në reformat për menaxhimin me financat publike, madje më të mëdhatë në dekadat e fundit, të cilat pritet që ta përmirësojnë dukshëm procesin. Këtu flas për Ligjin e ri të Buxheteve, me të cilin do të veprohet në mënyrë më strategjike, më të integruar dhe sipas kritereve strikte të BE-së. Në këto korniza, bëjnë pjesë edhe limitet për menaxhimin me borxhin publik, përkatësisht kriteret e Mastrihtit, me të cilat kufizohet deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Po ashtu, sa i përket Planit për përshpejtimin e rritjes apo qasjes në fondet evropiane të cilat njëherësh mundësojnë mjete të destinuara për arritjen e pikësynimeve zhvillimore, ai ka rëndësi të veçantë për arritjen e objektivit tonë kryesor, përkatësisht sigurimin e normave më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike, duke ruajtur kështu edhe bazat makroekonomike të mirëfillta.
Një sqarim për fondet evropiane: Buxheti i Bashkimit Evropian për periudhën 2021-2027 vlerësohet të jetë rreth 2.000 miliardë euro, mjetet janë të orientuara drejt përkrahjes së këtyre fushave: Integrimit klimatik dhe dixhital; Tregut të përbashkët dhe novatorizmit; Kohezionit, rezistencës dhe vlerave të përbashkëta; Burimeve natyrore dhe mjedisit; Migrimit dhe menaxhimit të zonave kufitare; Fqinjësisë, botës dhe administratës publike evropiane.
Me procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkim Evropian, me çdo nivel të ri, për vendin mundësohet qasje në fondet e reja për financimin e pikësynimeve të caktuara. Një nga këto fonde është edhe Instrumenti për Ndihmë Paraaderuese (IPA) – i destinuar për vendet me statusin kandidat dhe për ato vende që aspirojnë anëtarësimin, ku ne si vend kandidat për anëtarësim kemi qasje në të pesë komponentët e tij. Po ashtu, këtu përfshihet edhe Programi për ndihmë paraaderuese për zhvillim rural (IPARD), përkatësisht ndihma financiare nga Bashkimi Evropian për bujqësinë dhe zhvillimin të qëndrueshëm rural, me fokus në harmonizimin me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian, në krijimin e bujqësisë konkurruese dhe zonave rurale të qëndrueshme dhe të fuqishme. Me hyrjen në Bashkimin Evropian, për vendin do të mundësohet qasje në shumë fonde të tjera për përkrahje strukturore në shërbim të objektivave zhvillimore.
Në kontekst të reformave në financat publike dhe rëndësisë së tyre për krijimin e sistemit të mirëfilltë ekonomik, që do të ofrojë norma më të larta të rritjes ekonomike, si sistem që do të jetë pjesë e së ardhmes sonë evropiane, po theksoj rëndësinë e kapitalit njerëzor në këtë proces. Të punësuarit në Ministrinë e Financave janë jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e reformimit të financave publike, andaj investimi në këto kuadro, por edhe vlerësimi i duhur dhe mbajtja e tyre është, po ashtu, jashtëzakonisht e rëndësishme. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat në dispozicion për ta siguruar këtë. E njëjta logjikë për rëndësinë e kapitalit njerëzor vlen edhe në fusha të tjera, në varësi të kompetencave, kompleksitetit të detyrimeve dhe presioneve të tregut.

“Modeli ekonomik – Evropa në shtëpi”

Përderisa ushtroja funksionin e Zëvendëskryeministrit për Eurointegrimet, duke iu referuar integrimeve për periudhën nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian në vitin 2014, deri në rekomandimin e shtatë të Komisionit Evropian në vitin 2015 dhe në interes të llogaridhënies, e kam analizuar këtë proces, duke riafirmuar dëshirën dhe përkushtimin tonë si popull për të qenë pjesë e BE-së. Si atëherë edhe tani, theksoj se askush nuk thotë se është e thjeshtë dhe e lehtë, por janë rezultatet ato që e bëjnë të gjithë procesin të ketë vlerë, në mënyrë që si shpërblim, në fund, të jetë anëtarësimi dhe hapja e dyerve për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë, por kjo nënkupton që dhe ne të çojmë përpara edhe procesin e vetëpërmirësimit dhe krijimit të shoqërisë dhe ekonomisë prosperitare evropiane.
Që në vitin 2015 kam shkruar se “na duhet një model ekonomik i bazuar kryesisht në krijimin e vendeve të reja të punës (në sektorin privat), përmes rritjes së konkurrencës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe klimën e biznesit. Menaxhimi transparent dhe i përgjegjshëm i financave publike me qëllim të përkrahjes dhe stimulimit të investimeve, si dhe afirmimi i kohezionit social dhe territorial, njëkohësisht promovon edhe zhvillim të barabartë rajonal. Investimet e huaja, sigurisht që do të nxisin eksportin dhe do të rrisin produktivitetin ekonomik, por kjo kërkon njohuri dhe teknologji të reja. Na duhet edhe mentalitet i ri. Modeli i zhvillimit ekonomik i bazuar në ekonomi konkurruese dhe të integruar, me mundësi të barabarta për të gjithë, do të ndikonte që të mos ecim ngadalë, por t’i bashkohemi sa më shpejt – Evropës sonë të Bashkuar”. Sot, do të parafrazoja të njëjtën gjë – pa pretenduar se kam model shkencor në dorë, por më tepër si një sublimim i bazuar në punime shkencore të cilësisë së lartë dhe më shumë raporte e analiza të institucioneve ndërkombëtare dhe debatin e ekspertëve vendas – model ekonomik i bazuar në investime, inovacione, kapital njerëzor, infrastrukturë dhe teknologji të reja, të cilat do ta bëjnë ekonominë tonë më konkurruese (të gatshme për tregun evropian dhe më gjerë), do të krijojë vende të reja pune, do të sigurojë rritje më të shpejtë, do të jetë më inkluziv dhe i qëndrueshëm në periudhë afatmesme dhe afatgjate, do të sigurojë tranzicion të gjelbër dhe cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Model ekonomik që do ta sjellë Evropën në shtëpi.

Ne jemi Evropa

Anëtarësimi në BE nënkupton përmirësimin e pozitës gjeostrategjike të vendit tonë dhe pjesëmarrjen e barabartë në vendimmarrje për çështje të rëndësishme. Rritet siguria dhe stabiliteti i vendit, krijohet bazë më e mirë për rritje dhe zhvillim ekonomik. Kjo ndikon edhe në përmirësimin e rejtingut të kredisë së vendit dhe në rritjen e investimeve vendase dhe të huaja. Investimet e reja nënkuptojnë vende të reja pune, njohuri dhe teknologji të reja, si dhe rritje të konkurrencës së ekonomisë vendase. Rritja e konkurrencës do të thotë rritje e eksportit dhe tregtisë, si dhe rritje më e shpejtë ekonomike. Reformat strukturore si dhe reformat në lidhje me demokracinë dhe sundimin e ligjit do të arrihen me dinamikë më të shpejtuar. Përmirësohet standardi i jetesës dhe perspektiva ekonomike e vendit. Ekzistojnë shumë përfitime të rëndësishme për mbajtjen gjallë të vizionit të së ardhmes evropiane, drejt së cilës tashmë po hapërojmë.
Qëllimi ynë është të krijojmë të ardhmen për të rinjtë në vend. Largimi i intelektualëve dhe kuadrove është humbja më e madhe për një vend dhe për një ekonomi. Prandaj, duhet në vazhdimësi të përmirësohen kushtet për t’iu siguruar të rinjve jetë të njëjtë sikurse në Evropë.
Pikërisht, prandaj është kaq i rëndësishëm procesi i anëtarësimit, që të bëjmë reformat e nevojshme që ta sjellim “Evropën në shtëpi”. Në këtë proces, ne, sistemi ynë, përmirësohemi dhe sigurojmë një të nesërme më të mirë për veten tonë, ndërsa efekti i BE-së pas hyrjes, do t’i përforcojë këto rezultate.
Çdo pengesë nuk duhet të na shkurajojë, por të na detyrojë të përmirësohemi për avancimin e sistemit tonë dhe për arritjen e rezulateve më të mira. As Roma nuk është ndërtuar për një ditë, ashtu siç tha dhe një nga themeluesit e Bashkimit Evropian, Robert Shuman, “Evropa nuk do të ndërtohet menjherë, sipas planit unik, por do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që do të bazohen në solidaritet”.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…