Ankandi i radhës për euroobligacionin e nëntë të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë në vlerë prej 600 milionë eurove. Investitorët që morën pjesë paraprakisht në këtë ankand janë të interesuar të paraqiten sërish në të, i cili do të zhvillohet menjëherë pas përzgjedhjes së ministrit të ri të Drejtësisë. Procedura e përsëritjes së ankandit, nga aspekti ligjor është edhe në interes të investitorëve, ndërsa informacionet që dolën në opinion se ndaj tyre do të paguhen disa penalitete janë të pavërteta. Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në një intervistë për programin e parë të servisit nacional – TVM.
Duke shpjeguar shtyrjen e emetimit të euroobligacionit, ministri i Financave theksoi se mendimi i ministrit të Drejtësisë nuk mund të kërkohet më herët, pasi sipas procedurës së ankandit të euroobligcionit, duhet të kalojnë 5 ditë pune deri në shlyerjen (nivelizimin), respektivisht emetimin e euroobligacionit. Ministri thekson se kanë qenë vazhdimisht në kontakt me institucionet, axhentët dhe investitorët edhe në aspekt të respektimit të procedurës, vendimi më optimal është që ankandi të përsëritet.
“Kemi konsorcium të shkëlqyer të bankave, të cilat na përkrahin në tregjet financiare prej 20 vitesh. Ishim në komunikim me investitorët, ata janë informuar, kemi informuar edhe në platformën Bloomberg dhe dolëm menjëherë me kumtesë për publikun. Në një situatë të tillë është më mirë që investitorët ta përsërisin ankandin sërish, në vend që të lihet vakum ligjor nëse ai mendim është i vlefshëm apo jo. Nëse lëshohet dokument i pavlefshëm, dëmi do të ishte më i madh, me ç’rast investitorët e vlerësojnë këtë”, thotë Besimi.
Ministri thekson se në ankandin paraprak janë paraqitur kryesisht investitorë që posedonin euroobligacionet tona dhe janë ende të interesuar për regjistrimin e euroobligacionit të nëntë, prandaj pritet që edhe ankandi i radhës të jetë i suksesshëm. Sa i përket normës së interesit, theksoi se nuk do të spekulojë, sepse kjo varet nga tregjet ndërkombëtare.
“Kam dëgjuar disa komente se euroboobligacioni është tregtuar në tregun sekondar. Kjo nuk është e saktë, sepse nuk është emetuar fare, respektivisht investitorët nuk e kanë poseduar atë për ta tregtuar”, thotë Besimi dhe përgënjeshtron zërat se investitorëve duhet t’u paguhen penalitete.
Me mjetet nga euroobligacioni do të financohet euroobligacioni i vitit 2016, i cili maturon në muajin korrik, andaj ka kohë të mjaftueshme për ta përfunduar procesin e emetimit të euroobligacionit.