Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, si pjesë e delegacionit zyrtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot realizoi vizitë pune në Mbretërinë e Suedisë.
Në përbërje të Delegacionit ishin ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe drejtori për BE-së në MPJ, Xhenk Sejfulla. Delegacioni shoqërohej nga ambasadorja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Mbretërinë e Suedisë, Sh.S. Mira Krajaçiq.
Në kuadër të vizitës, anëtarët e Delegacionit realizuan takime të veçanta pune me Kryetarin e Riksdagut të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlen, me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, SH.T. Tobias Billstrom dhe me drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë Suedeze të Zhvillimit (SIDA), Karin Jemin dhe shefen e Departamentit të SIDA-s për Evropën dhe Amerikën e Jugut, Lisa Fredrikson.
Në fokus të bisedimeve ishte procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut, i cili fitoi dinamikë të re me fillimin e negociatave aderuese. Në këtë kontekst, anëtarët e Delegacionit tonë falënderuan për aktivitetet dhe rolin e Suedisë nga pozicioni i kryesuesit të Këshillit të BE-së, duke theksuar se Suedia është një nga partnerët tanë më të mëdhenj që ofron mbështetje të qartë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën kohë, u shpreh shpresa për përfundimin e skriningut deri në fund të këtij viti dhe për rrjedhën e suksesshme të negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim të plotë në BE, si dhe për tejkalimin e pengesave, pas shumë vitesh pritje që vendi të kalojë në këtë fazë të fundit të procesit të integrimit në BE.
Në takimet u diskutua edhe për situatën politike momentale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për punën aktuale të Kuvendit. Biseduam edhe për sfidat me të cilat përballet vendi ynë në aspektin e integrimeve evropiane, dhe u theksua se Mbretëria e Suedisë gjithmonë thekson nevojën që Republika e Maqedonisë së Veriut të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, duke rënë dakord se konflikti ushtarak në Ukrainë ka ndryshuar situatën gjeopolitike dhe në situatë të tillë është më se e nevojshme ruajtja e paqes, si vlerë e paprekshme.
Në takimet u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Mbretëria e Suedisë kanë bashkëpunim të shkëlqyer bilateral dhe se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Riksdagu Suedez kanë bashkëpunim të frytshëm në të gjitha nivelet, me mundësinë e rritjes së intensitetit të takimeve të zhvilluara në të ardhmen.