Sot, zëvendës ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi pati takim zyrtar me përfaqësuesin e Odës Ekonomike të Vjenës, i cili njëkohësisht është edhe përfaqësuesi tregtar në mes të Austrisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Filip Simek.
Me z. Simek diskutuam rreth intensifikimit të bashkpunimit në mes dy vendeve tona, në mes të kompanive tona vendore dhe atyre austriake në projekte të ndryshme si në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore theksoi Rexhepi.
Partneritete të tilla mund të sjellin investime të ndryshme të cilat mund të vënë në pah potencialin e vendit tonë në sfera të ndryshme. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është motori i ekonomisë lokale ku vetëm tani investojmë mbi 1 miliardë euro në infrastrukturën rrugore, hekurudha dhe gazifikim.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve janë fuqishëm të përkushtuar në mbështetjen e të gjithë investitorëve të huaj në vendin tonë, përfundoi Rexhepi.
Gjithashtu z. Simek theksoi edhe njëherë angazhimin e Republikës së Austrisë dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në Bashkimin Evropian.