Besimi: Zgjidhja sistemike për pagat në sektorin publik është zgjidhja më e mirë, e cila do t’i motivojë të punësuarit dhe nuk do të shfrytëzohet për qëllime politike

Pagat në sektorin publik do të zgjidhen me zgjidhje sistemike të qëndrueshme, me ç’rast nuk do të ketë hapësirë për zgjidhje të fragmentuara në sistem dhe shfrytëzim të saj për qëllime politike në të ardhmen. Kështu theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, i ftuar në Ditarin e RTM-së.

“Bëhet fjalë për reformë të madhe që nuk mund të zgjidhet ad hoc, por do të zgjidhet në mënyrë sistemike përmes dialogut me sindikatat si partnere në këtë proces. Është thelbësore që me anë të kësaj zgjidhjeje të synohet tejkalimi i situatës që krijon zgjidhje parciale që nxisin pakënaqësi. Aktualisht, mundohemi ta tejkalojmë këtë, me anë të dialogut në Këshillin Ekonomik dhe Social, ku duhet të arrijmë zgjidhje më optimale. Kemi bazë solide për të arrritur në zgjidhje sistemike dhe të qëndrueshme, zgjidhje që do të vlejë për të gjithë në sektorin publik, duke përfshirë edhe të punësuarit në Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera ku ka diferenca të tilla”, tha Besimi.

Ministri theksoi se Qeveria ofron përkrahje për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe se sistemi që do të pranohet do të implementohet në buxhet. Njëkohësisht, përmendi se nuk bëhet fjalë për fiksim të pagave të të punësuarve në sektorin publik, përkundrazi, siç theksoi, në vitet e kaluara kishte rritje të pagave në arsim, strukturat e sigurisë, drejtësi, inspektorate, shëndetësi dhe fusha të tjera, duke përfshirë edhe vitin aktual.

“Ky sistem do të zbatohet me plotfuqishmërinë e ligjit, ku nuk do të ketë nevojë për negociata dhe nuk do të shfrytëzohet për pikë politike”. Kjo çështje do të zgjidhet me qasje të ngjashme si me pagën minimale, për të cilën krijuam sistem dhe tashmë këtë vit askush nuk parashtron pyetje të tillë. Paga minimale me ligj u rrit gjatë muajit mars të këtij viti dhe kjo do të vijojë edhe në të ardhmen”, tha ministri dhe shtoi se në kuadër të dialogut me sindikatat, janë afër përcaktimit të metodologjisë pas mbajtjes së mbledhjes së fundit të Këshillit Ekonomik dhe Social”, tha Besimi.

Gjatë intervistës, ministri iu referua emetimit të paralajmëruar të fletobligacionit të destinuar ndaj qytetarëve, i cili tha se nuk do të ndikojë negativisht ndaj depozitave në banka dhe se roli i fletobligacioneve është kontribuimi mbi zhvillimin e ekonomisë. “Mjetet nga fletobligacionet e qytetarëve janë të parapara në Buxhetin e vitit 2023 dhe do të shfrytëzohen për financimin e projekteve kapitale”, tha ministri dhe shtoi se aktualisht nuk ka ndryshime sa i përket projeksioneve për rritje ekonomike, me ç’rast monitorohet realizimi, por që pasiguria rezulton nga zhvillimi i situatës në Ukrainë dhe ndikimi i saj ndaj ekonomisë në BE, që është partneri ynë më i madh tregtar.

Related posts

BDI: Kush po e mbron Stoilkoviqin? Kuvendi duhet të nxjerrë të vërtetën.

Shkup, 23 shtator 2026 BDI – Konferencë për media Ilir Hasani – Deputet & Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të…

BDI: Sonte në Tetovë takohen kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti dhe i ASh-së, z. Arben Taravari

Sonte në Tetovë po zhvillohet takimi ndërmjet kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, dhe kryetarit të Aleancës për…

Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti: Të organizohet referendum popullor për verdiktin e popullit të Kosovës

Në një intervistë për Top News në Shqipëri, kryetari Ahmeti hodhi një tezë të rëndësishme lidhur me verdiktin e popullit të Kosovës…