Kryeparlamentari Xhaferi: Duhet të vazhdojmë progresin në liritë e mediave

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve Maqedonisë (SHGM) dhe disa organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.Në takim u diskutua për progresin e vendit lidhur me lirinë e mediave, aktivitetet që po ndërmerren në Kuvend në drejtim të ngritjes së mëtejshme të nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe ligjet dhe procedurat që kanë të bëjnë me gazetarët dhe mediat, si dhe përfshirja e shoqatave të gazetarëve në miratimin e tyre.Në fjalën e tij, Kryetari Xhaferi theksoi se kërkesës për takim i është përgjigjur menjëherë, duke pasur parasysh angazhimin e tij të vazhdueshëm për transparencë të plotë të Kuvendit ndaj publikut dhe për komunikimin e vazhdueshëm me gazetarët, përmes respektimit të vazhdueshëm të lirisë së fjalës dhe mendimit dhe pavarësinë e mediave. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se gazetarët i percepton si partnerë në zhvillimin e proceseve demokratike në vend, për çka është e domosdoshme të forcohet transparenca e institucioneve më të larta shtetërore dhe dialogu i vazhdueshëm midis gazetarëve dhe bartësve të funksioneve shtetërore. Në këtë drejtim, Kryetari i Kuvendit foli për praktikën e futur prej tij për të mbajtur brifingje të rregullta mujore me gazetarët parlamentarë, në të cilat informon për obligimet dhe aktivitetet e kryera, aktuale dhe të planifikuara në Dhomën Ligjvënëse. Ai, gjithashtu, theksoi se, në interes të publikut dhe qytetarëve, të gjitha informacionet publike lidhur me punën e Dhomës Ligjvënëse publikohen dhe përditësohen rregullisht në ueb-faqen e Kuvendit.Në takim u përshëndet miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, me qëllim të sigurisë më të madhe të punonjësve të mediave, si rregullativë që është përgatitur në bashkëpunim me SHGM-në dhe që mundëson që sulmet e mundshme ndaj gazetarëve të trajtohen si sulm ndaj personit zyrtar. U diskutua edhe mundësia e formimit të fondit për mbështetjen e mediave, si një nga mekanizmat që do të siguronte pluralizëm më të madh në sferën mediatike. Veçanërisht u theksua fakti se Maqedonia e Veriut po përparon në aspektin e lirisë së mediave, kështu që u ngjit në vendin e 38-të sipas indeksit “Reporterët pa Kufij”, për të cilin Xhaferi theksoi se në të ardhmen duhet të bëhen përpjekje për të vazhduar këtë progres dhe për të avancuar edhe më tej.  Ky takim është në kuadër të misionit “Fact Finding” të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, qëllimi i të cilit është njohja më e mirë e situatës mediatike në vend, me ekspertizën e përfaqësuesve të organizatave të besueshme ndërkombëtare, të cilët gjatë ditëve të fundit realizojnë takime me institucionet kryesore në vend.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti Presidentin Begaj në selinë e BDI-së

Tetovë, 28.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pati kënaqësinë e veçantë që në selinë e partisë të mirëpresë Presidentin…

Kryetari Ali Ahmeti mirëpriti Presidentin Begaj

Shkup, 26.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorë dhe miq, mirëpriti Presidentin e Republikës së Shqipërisë,…

Kryetari Ali Ahmeti takoi ish-Komesarin, z. Johannes Han

Tetovë, 26.02.2026 Kryetari Ali Ahmeti zhvilloi një takim miqësor me z. Johannes Hahn, ish Komisionar Evropian për Buxhet dhe Administratë, si dhe…