Besimi: Plani i ri i BE-së nënkupton qasje në më shumë fonde për zhvillim dhe integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor

Plani i ri i BE-së për përafrimin dhe përkrahjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënkupton fonde shtesë të BE-së për projekte zhvillimore dhe infrastrukturë, ndërsa për kompanitë tona do të thotë qasje e lirë në një treg prej gjysmë miliardi konsumatorësh. Kjo nismë, së bashku me Planin nacional për përshpejtimin e rritjes ekonomike, do të ndikojnë në rritjen e aktivitetit investues dhe konkurrencës dhe si rrjedhojë edhe në përshpejtimin e rritjes ekonomike, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

Sipas njoftimit të kryetarës së Komisionit Evropian, nisma e re për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla: 1) Përafrimi drejt tregut të vetëm të BE-së, 2) Integrimi ekonomik rajonal, 3) Përshpejtimi i reformave fundamentale dhe 4) Stimulimi i rritjes ekonomike përmes rritjes së fondeve aderuese.

”Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë që shumë më herët t’i ndjejnë benefitet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik të Bashkimit Evropian – tregut të përbashkët. Me shumë mundësi, kjo qasje do t’i referohet një prej segmenteve më të mëdha të tij, respektivisht tregut të vetëm dixhital, i cili i referohet shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve përmes kanaleve dixhitale. Ai përfshin fusha të tilla si tregtia elektronike, siguria kibernetike dhe lehtësimi i shërbimeve të pagesave dhe tregtia e mallrave. Ekonomia e përbashkët rajonale mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të aderimit në BE, por gjithashtu integrimi ekonomik rajonal është esencial për nxitjen e potencialit të madh ekonomik të rajonit duke e bërë atë më tërheqës për investitorët e huaj. E njëjta gjë është edhe me reformat paraaderuese, sepse sundimi i ligjit dhe gjyqësori efikas dhe kredibil janë sinjale pozitive për investitorët e huaj, ndërsa tranzicioni i gjelbër dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së energjisë janë kruciale për stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme. Nevojitet në mënyrë urgjente rritja e investimeve në rajon, me ç’rast do të rritet standardi i jetesës dhe do të ofrohet përkrahje në përafrimin drejt BE-së”, shkruan ministri.

Ministri thekson gjithashtu se në të njëjtin drejtim është edhe Pani nacional për përshpejtimin e rritjes ekonomike, i cili bazohet në të njëjtat premisa dhe ka të njëjtin pikësynim.

“Nëse analizojmë strukturën e planit të BE-së, ajo orientohet në përforcimin ekonomik, lidhjen e rajonit, përmirësimin e konkurrencës së ekonomive dhe rritjen e investimeve. Nëse shqyrtohet Plani nacional për përshpejtimin e rritjes, mund të konkludohet se një pjesë e madhe e strukturës është e njëjtë, ashtu edhe pikësynimet. Nëpërmjet zbatimit të dy planeve, nuk do të mungojë përkrahja e Bashkimit Evropian dhe perspektiva e qartë për qëllimin përfundimtar “sjellja e Evropës në shtëpi”, respektivisht sigurimi i mirëqenies për qytetarët”, thekson Besimi.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…