Aktivitet i përbashkët me Kombet e Bashkuara/ Të pranishmëve ju drejtohet edhe kryeparlamentari Xhaferi  

Ju uroj mirëseardhje të ngrohtë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në evenimentin për kontributin e parlamentit në punën e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe Pasqyrës periodike universale, që e organizojmë në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut. E pranuam me kënaqësi nismën për të diskutuar për rëndësinë e përfitimeve nga inkuadrimi i Kuvendit në aktivitetet e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe mundësitë për kontributin tonë më të madh në Pasqyrën periodike universale. Prezenca e koordinatores Sepide Mohaxher nga Zyra e Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara pa dyshim se do të kontribuojë për një debat të frytshëm dhe këmbim të përvojave krahasuese dhe praktikave të mira në këtë fushë. 

Zonja dhe zotërinj,

Besoj se do të pajtoheni se parlamentet kanë rol kryesor në realizimin e të drejtave të njeriut në nivelin nacional. Përmes autorizimeve të veta ligjvënëse, mbikëqyrëse dhe buxhetore ato duhet të sigurojnë mbrojtje dhe avancim të drejtave të njeriut për të gjithë. Me rolin e vet kontrollues mbi zbatimin e politikave qeveritare, parlamentet sigurojnë harmonizim me obligimet e ndërmarra ndërkombëtare. Roli i parlamenteve është me rëndësi thelbësore edhe për reflektimin në legjislacionin kombëtar të rekomandimeve që rrjedhin nga mekanizmat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Pasqyrën periodike universale, që paraqet një nga mekanizmat më të rëndësishme të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara për kontrollin e përmbushjes së obligimeve në fushën e të drejtave të njeriut të çdo shteti anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Parlamentet janë partnerët e natyrshëm të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, dhe kjo lidhje njihet edhe në rezolutat e Këshillit për rolin e parlamenteve. Ato mund të inkuadrohen në mënyrë aktive në çdo fazë të procesit të Pasqyrës periodike universale. Parlamentet dhe parlamentarët mund të japin kontributin e vet në përgatitjen e raportit nacional dhe të inkurajojnë Qeverinë të realizojë proces të gjerë të konsultimeve. Në suazat e prezantimit të raportit nacional para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, deputetët e komisioneve përkatëse mund të marrin pjesë në seancat e Këshillit, si pjesë e delegacionit shtetëror. Pas mbajtjes së dialogut interaktiv me Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe marrjen e raportit dhe rekomandimeve, parlamentet janë ato që duhet ti zbatojnë harmonizimet e duhura legjislative dhe buxhetore. Dhe në fund, parlamentet, sidomos trupat parlamentarë për të drejtat e njeriut mund të ndjekin dhe kontrollojnë zbatimin e rekomandimeve të pranuara gjatë Pasqyrës periodike universale.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka zbatuar tre cikle të Pasqyrës periodike universale edhe atë në vitet 2009, 2013 dhe 2019. Për fat të keq, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut deri tani nuk ishte i inkuadruar në përpilimin dhe prezantimin e raporteve nacionale, as në ndjekjen e rezultatit nga rekomandimet e pranuara dhe obligimet e ndërmarra vullnetarisht për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në pajtim me ciklin e katërt të Pasqyrës periodike universale, vendi duhet të dërgojë raportin e vet nacional deri në shkurt të vitit 2024, ndërsa dialogu interaktiv me Këshillin për të Drejtat e Njeriut do të realizohet në prill, ose maj të vitit 2024 në Gjenevë. Evenimenti i sotëm paraqet hapin e parë në inkuadrimin aktiv të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin i cili duhet të jetë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe inkluziv me inkuadrimin e sa më shumë institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit civil. Besoj se kjo nuk do të ndalet vetëm me këtë një hap, por se në të ardhme do të mundemi rregullisht të kontribuojmë për këtë obligim.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe Ju uroj punë të suksesshme dhe diskutime të frytshme.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…