Fjalimi i kryeparlamentarit Xhaferi në shënimin e 60 vjetorit të tërmetit në Shkup

I nderuar Kryetar dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar kolegë deputetë,

I nderuar sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut,  

Të nderuar mediume,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni t’ju përshëndes të gjithë të pranishmit në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, në shënimin e 60 vjetorit të tërmetit katastrofik që e goditi Shkupin më 26 korrik 2023.

Duke u kthyer nëpër historinë e Qytetit të Shkupit, ky gjithsesi nuk ka qenë tërmeti i parë.  Fatkeqësisht, probabiliteti se nuk do të jetë as i fundit që e godet këtë qytet të bukur ekziston edhe për të ardhmen. Ka filluar në ora pesë e 17 minuta, e ka vazhduar me tronditje më të vogla deri në ora pesë e 43 minuta dhe ato kanë qenë 26 minutat më të dhimbshme dhe më të tmerrshme ku 1070 njerëz e kanë humbur jetën, ndërsa 3000 kanë qenë të lënduar. Janë rrënuar 15.800 banesa e mbi 200 000 mijë njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë. 

Lajmi ka bërë jehonë dhe është përhapur shumë shpejtë dhe Shkupi është shndërruar në vendin kah i cili është drejtuar e gjithë vëmendja e botës humane dhe demokratike, e cila pa hezitim i ka ndërmarrë të gjitha masat që ka pas në dispozicion për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe me efikasitet thirrjes së dhimbshme të Shkupit të goditur. Është aktivizuar Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i cili ka drejtuar apel te të gjitha organizatat nacionale. Unioni Ndër-Parlamentar ka dërguar rekomandim te të gjitha parlamentet dhe qeveritë për të ndihmuar në ripërtëritjen e qytetit ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara menjëherë pas katastrofës ka ndërmarrë aktivitete në mënyrë që të ndihmohet qyteti i shkatërruar në mënyrë të planifikuar afatgjate. Me një fjalë, është aktivizuar solidariteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha, njerëzia dhe vetëdija dhe ndërgjegjja njerëzore. 

Më nuk ka qenë me rëndësi se cilit komb i takon, cilën ideologji politike e ndjek dhe cilit Zot ia drejton lutjet. Nuk ka qenë me rëndësi as ajo se nëse dhënia e ndihmës do të jetë në interes apo jo të shtetit konkret. Kombet e Bashkuara e kanë aktivizuar sistemin e mbështetjes dhe kanë miratuar Rezolutë për dhënien e ndihmës gjatë rikonstruktimit të Shkupit. Kjo ka qenë ditë për Shkupin dhe ditë e cila ka mbetur e shënuar në analet e Kombeve të Bashkuara. Shkupi i bashkoi rreth një qëllimi njerëzit, institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe në përgjithësi, njerëzinë. Kjo e vu Shkupin në piedestalin si qytet – simbol i solidaritetit, epitet të cilin të gjithë ne e kujtojmë me respekt të veçantë, sepse në secilin kënd të këtij qyteti të bukur hasim në vepër që është përkujtues i solidaritetit ndërkombëtar dhe përkujtues për të gjithë ne se sa jemi të dobët dhe të pamundur kur jemi vetëm.  Përkujtues për atë se çfarë do të thotë dora e shtruar, ndihma e ofruar, strehimi i ngrohtë dhe vakt në kohën kur i ke humbur të gjitha dhe ke mbetur vetëm me jetën tënde të zhveshur.

Të nderuar të pranishëm,

Prandaj është me rëndësi të shënohet kjo ditë, që mos harrohet, që të jetë udhërrëfyes nëpër pjekurinë tonë si shtet sado të vegjël që jemi, dhe për fisnikërimin tonë si qenie njerëzore. As katastrofat natyrore nuk do të pushojnë të ndodhin, as fatkeqësitë e shkaktuara nga pakujdesia e njerëzve do të pushojë të jetë shkas për humbjen e jetëve të çmuara dhe për shkaktimin e dëmeve të pa llogaritura materiale. E kemi fuqinë dhe diturinë për të mund ti paramendojmë anët pozitive të bashkimit dhe unitetit për një qëllim të mirë, ndjenjën e këndshme të dhënies ndihmë për të pafuqishmit. Patëm mundësi deri tani të bindemi në raste të shumta. Edhe atëherë kur ndodhën tërmetet shkatërruese në Turqi, në Siri, paraprakisht në Kroaci dhe Shqipëri. 

Të nderuar të pranishëm,

Katastrofat natyrore ndodhin në forma të ndryshme.  Zjarret tërbohen dhe shkatërrojnë sipërfaqe shumë të mëdha të rruzullit tokësor. Vërshimet e marrin vazhdimisht tatimin e vetë për shkak të papërgjegjësisë së njerëzve. Uraganet, cunamit, fshijnë gjithçka para vetes dhe lënë shkretëtirë nga ëndrrat dhe dëshirat e parealizuara për shkak të jetëve të humbura dhunshëm. Dhe mbi gjithë këtë, bota u ballafaqua edhe me pandeminë e koronës, e cila e tregoi fytyrën e vet të gërditshme në çdo aspekt. U gjunjëzuan sistemet ekonomike, shëndetësore. Njerëzimi ra në gjunjë. Dhe përsëri, solidariteti, bashkëpunimi dhe bashkimi rreth qëllimit të fundit kontribuoi në zvogëlimin e efektit të koronës. 

Ia dolëm, sepse ishim bashkë! Dhe, do të vazhdojmë edhe më tej të jemi qyteti i solidaritetit, qyteti i cili lindi nga hiri dhe u bë përmendore e humanizmit!        

Mos përsëritet kurrë!  Për shumë çaste të lumtura në Shkupin tonë të bukur!

Ju faleminderit për vëmendjen!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…