Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 100 milionë euro përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përkrahje të furnizimit stabil, të vazhdueshëm dhe të sigurtë me energji elektrike për amvisëritë dhe kompanitë, përmes kompanisë shtetërore EMV. Sot, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtoresha e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, nënshkruan Marrëveshje të garancisë, ndërsa Marrëveshja e huasë u nënshkrua me drejtorin e EMV-së, z. Vasko Stefanov.
Ministri i Financave nënvizoi se me këto mjete EMV-ja do të përkrahet që të ofrojë shërbime të vazhdueshme për qytetarët dhe kompanitë përkundër sfidave eventuale nga jashtë.“Qeveria, deri më tani, për përballimin e krizës miratoi 2 pako masash në vlerë prej 760 milionë euro, ndërsa për këtë vit janë planifikuar 225 milionë euro. Marrëveshja që e nënshkruajmë sot është plotësim i masave të tilla, me të cilat u mundësuam qytetarëve çmim të subvencionuar të energjisë elektrike, i cili është përkrahur financiarisht nga Buxheti. Përveç masave të këtyre dy pakove, punohet edhe mbi realizimin e projekteve energjetike, me të cilat në periudhë afatgjate do të sigurohet diversifikimi dhe siguria më e madhe sa i përket furnizimit me energji elektrike, ndërsa në zbatimin e këtyre projekteve marrim përkrahje pa rezervë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, theksoi ministri i Financave Besimi. Mjetet janë siguruar me kushte jashtëzakonisht të favorshme, respektivisht me afat pagese prej 5 viteve, me grejs periudhë prej 6 muajve dhe normë variabile interesi – EURIBOR gjashtëmujor, të rritur për margjinë prej 1%. Shfrytëzues i mjeteve do të jetë SHA EMV – Shkup dhe të gjitha detyrimet sipas huasë, do t’i servisojë kompania, ndërsa shteti emeton vetëm garanci.Sipas drejtoreshës së BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me EMV-në po tregojnë rrugën drejt dekarbonizimit dhe modernizimit të suksesshëm të sistemit energjetik të pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor.“Jemi të impresionuar nga ambiciet tuaja klimatike dhe mezi presim të punojmë së bashku për zbatimin e 85 milionë dollarëve të vendosura në dispozicion të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Fondi i investimeve klimatike,” tha Charlotte Ruhe.Drejtori i përgjithshëm i EMV-së Stefanov theksoi se qëllimi i kësaj huaje është ofrimi i përkrahjes në financimin e kostove për avancimin e procesit të prodhimit, investimet në burimet e reja të ripërtëritshme të energjisë si dhe për mirëmbajtjen e termocentraleve tashmë të ndërtuara nga burimet e ripërtëritshme.“SHA EMV vazhdon me realizimin e skenarit të gjelbër, me ç’rast në të ardhmen planifikohen disa projekte sa i përket burimeve të ripërtëritshme të energjisë, të cilat do të ndikojnë në mënyrë serioze që ne si shtet, të bëhemi energjetikisht të pavarur”, theksoi Stefanov. Përkrahja dhe bashkëpunimi me institucionet, siç është BERZH-i, ka rëndësi kyçe dhe do të kontribuojë në drejtim të tranzicionit më të shpejtë dhe më të lehtë sa i përket Axhendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke u përpjekur që të kemi tranzicion drejt energjisë së pastër, me qëllim të uljes së emisioneve të gazrave serrë për 61%. Që nga viti 1993, BERZH-i ka përkrahur mbi 175 projekte në vend, në vlerë prej 2.6 miliardë eurove, ku 86% janë në sektorin publik. Aktualisht, realizohen projekte në vlerë prej 1.1 miliardë eurove. Ndër projektet prioritare për realizimin e të cilave përgjegjës është BERZH-i janë projekti i interkonektorit të gazit me Greqinë, centrali fotovoltaik në “Osllomej”, ndërtimi i largpërçuesit të interkonektorit me Shqipërinë, ndërtimi i pjesëve (akseve) të autostradave të Korridorit 8, korridorit hekurudhor 8 dhe 10, autostradës drejt Bllacës, projekti rajonal për mbetje të ngurta etj. Prioriteti i Qeverisë është vazhdimi i bashkëpunimit me BERZH-in, sa i përket tranzicionit të gjelbër, rritjes së konkurrencës së ekonomisë dhe lidhjes së rajonit.